1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Populizmi dhe nacionalizmi në Evropën Juglindore

25 Maj 2012

Rigjallërohen lëvizjet populiste e nacionaliste në Ballkan. Ekspertët diskutojnë për fenomenin në një konferencë për Evropën Juglindore në Tutzing pranë Mynihut.

https://p.dw.com/p/152ES
Pamje nga konferenca për nacionalizmin dhe populizmin në Evropën Juglindore (22. - 23.05.2012) në Tutzing pranë Mynihut
Pamje nga konferenca për nacionalizmin dhe populizmin në Evropën Juglindore (22. - 23.05.2012) në Tutzing pranë MynihutFotografi: DW

Në kohë krizash populizmi ka koniunkturë Këtë e bënë të qartë edhe njëherë rezultatet e zgjedhjeve në Greqi. Por edhe në vende të tjera të Evropës Juglindore po rritet simpatia për parti ekstremiste. Shkencëtarë dhe gazetarë ishin mbledhur në Tutzing për të diskutuar për këtë çështje. Më 20 Maj serbët zgjodhën një president të ri: Tomislav Nikoliç. Ai premton se do ta mbajë vendin në kursin evropian, por autori dhe gazetari serb që jeton në Beograd, Sasha Iliç dyshon në besueshmërinë e tij: "Ai do të vazhdojë politikën e tij të mëparshme. Këtë e dëshmon edhe e kaluara e tij si anëtar i trupave vullnetare të Shesheljit, përfshirja e tij në luftën e Kroacisë, angazhimi për Ratko Mladiçin dhe tezën e Serbisë së madhe”, argumentoi Iliç në një konferencë për nacionalizmin dhe populizmin në Evropën Juglindore (22. - 23.05.2012) në Tutzing pranë Mynihut. Konferenca ishte organizuar nga Shoqata e Evropës Juglindore (SOG), Akademia Evangjeliste dhe rrjeti i përkthimeve TRADUKI.

Stephanie Schwandner-Sievers,
Stephanie Schwandner-SieversFotografi: DW

I paralajmëruar prej kohësh

Iliçi kritikon pra së gjithash presidentin pro-evropian Boris Tadiç që nuk u tregua asnjëherë i gatshëm për të bërë lëshime në çështjen e Kosovës, duke ushqyer kështu ndjenjat nacionaliste. Që një politikë e tillë dikur do të sillte një zhvendosje edhe më të thellë të shoqërisë serbe për nga e djathta, për këtë patën paralajmëruar që para tetë vjetësh disa intelektualë në Serbi, thotë ai. Botuesi i shtojcës kulturore “Beton” është pjesë e një pakice ende të vogël serbësh që e pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe përpiqen për një afrim me shqiptarët. Zëra të tillë megjithatë humbasin në kohë krize. Prioritet kanë sloganet populiste: Në shumë shtete të Evropës Juglindore ato marrin nganjëherë dimensione fantastike. Kështu për shembull premtojnë përfaqësuesit e lëvizjes Aleanca Kuqezi që t'i pajisin të gjithë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Serbi të Jugut, Mal të Zi e kudo me pasaporta shqiptare dhe mbrojnë idenë e një proteksionizmi ekonomik mbarëshqiptar. Synime të ngjashme ndjek edhe "Vetëvendosja" e Kosovës, e cila është e përfaqësuar edhe në parlament.

Popullaritet nëpërmjet internetit dhe medieve

Të dyja lëvizjet gëzojnë një simpati të madhe te shumë shqiptarë të rinj falë përdorimit shumë efektiv të rrjeteve sociale në internet, shpjegon Stephanie Schwandner-Sievers nga Universiteti i Roehamptonit në Londër. "Nacionalizmi shqiptaro-madh kohët e fundit ka hyrë në modë dhe gëzon simpati edhe te shumë shqiptarë që deri tani kanë qenë indiferent ndaj çështjes kombëtare. Ai është bërë rinor, simpatik dhe seksi dhe përdor me agresivitet mjetet moderne”, thotë njohësja e shqiptarëve. Aleanca Kuqezi ka mbledhur 80.313 simpatizantë në Facebook brenda vetëm disa muajve, ndërsa partia më e madhe opozitare e Shqipërisë, Partia Socialiste, s'ka as 30 000.

Elena Panagiotidis
Elena PanagiotidisFotografi: DW

Se sa i rëndësishëm është interneti për ekstremistët për të fituar popullaritet, këtë e ka dëshmuar edhe ngjitja e partisë ultra-djathtiste në Hungari, Jobbik, e cila prej dy vjetësh është në qeveri. "Partia pati sukses sepse arriti të fuste në media temën e kriminalitetit të romëve”, thotë Aron Buzogany, shkencëtar në Fakultetin e Administratës në Speyer. Por ai thekson në të njëjtën kohë, se Jobbik fundja veçse konfirmoi ato paragjykime dhe ndjenja armiqësore që ekzistonin prej kohësh në shoqërinë hungareze.

Me elemente mitike, një gjuhë historizuese dhe theksin në unitetin kombëtar, këto veçori të Jobbik-ut në Hungari i gjen edhe në lëvizjet e tjera populiste në Evropën Juglindore. Që komponentët nacional-etnike po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm në Ballkan, këtë e ka vënë re edhe studiuesja nga Universiteti i Bochumit Armina Omerika në një tendencë të re të myslimanëve neo-fondamentalë në Bosnjë Hercegovinë. Ndërsa aktorët salafistë deri tani kanë predikuar gjithmonë islamin universal, gjatë viteve të fundit ata janë shndërruar në bartës të rëndësishëm të diskursit nacional-etnik. “Përfaqësues të islamit boshnjak, si Mustafa Çeriç, që për ta dikur ka qenë një nga figurat më të urryera, tani po nderohet si hero dhe si “bir i madh i kombit boshnjak”, thotë Omerika.

Kundrejt retorikës nacionaliste ose ekstremiste mediet janë të çarmatosura: Gazetarja e së përditshmes zvicerane Neue Zürcher Zeitung, Elena Panagiotidis, paralajmëron për popullaritetin që po fiton kohët e fundit partia ekstremiste greke “Krisi Aygji” (Agimi i artë). "Mediet nuk kanë gjetur ende mënyrën e duhur si të sillen ndaj tyre.

Përfaqësuesit e kësaj partie kanë filluar tani të dalin gjithmonë e më shpesh në programet e mëngjesit dhe të mbrëmjes dhe ekziston shpesh përshtypja se janë folësit e tyre ata që i udhëheqin moderatorët dhe jo anasjelltas.”

Prof. Heinz Jürgen Axt
Prof. Heinz-Jürgen AxtFotografi: DW

As Gjermania nuk është e mbrojtur nga populizmi

Partitë populiste kanë diçka të përbashkët: "Ato e vënë theksin tek politika e identitetit, në qendër të së cilës është populli, i cili konsiderohet si një njësi homogjene dhe vishet me atribute moralisht të mbarsura, që i vihet përballë zakonisht një elite të korruptuar”, thotëpolitologu austriak Werner Bauer. Por partitë populiste ose ekstremiste ngjyrosin gjithë skenën politike, paralajmëron Heinz-Jürgen Axt, profesor në Universitetin Duisburg-Essen. “Sa më i madh ndikimi i ekstremistëve, aq më i madh është tundimi i partive të moderuara për të peshkuar në rezervatin elektoral të ekstremistëve”, thotë Axt. Ky fenomen u vu re edhe në zgjedhjet e Francës, kur Nikola Sarkozy tentoi të kapte disa nga temat populiste të rivales së tij djathtiste Marine Le Pen.

Heinz-Jürgen Axt e konsideron të gabuar këtë konkurrencë sloganesh populiste. Më mirë është që të ofrohen zgjidhje për problemet që trajtojnë populistët e jo të bëhen premtime të parealizueshme.” Përderisa gjendja ekonomike është në rregull, paragjykimet dhe ndjenjat armiqësore që ushqejnë djathtistët mbeten në hije. Por rreziku që në krizën e ardhme prej tyre të përfitojnë populistët është i madh. Dhe as Gjermania nuk është e mbrojtur prej këtij rreziku, paralajmëron Heinz Jürgen Axt, duke pasur parasysh politikën aktuale në lidhje me Euron. "Politika gjermane duhet t'ua bëjë të qartë qytetarëve se përse në këto kohëra është e rëndësishme që të mbështeten financiarisht Greqia, Portugalia, Spanja dhe Italia”, thotë Axt. Vetëm me një politikë sqaruese dhe nëpërmjet informimit mund të pengohet që tema të tilla si “mendësia e donacioneve dhe e rishpërndarjes financiare” të përdoren nga lëvizjet populiste në Gjermani.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi