1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Biologia shqiptare Rezarta Reimann

Anila Shuka16 Maj 2012

Rezarta Reimann ka doktoruar në shkencat biologjike në universitetin e Jenës dhe sot jep mësim në universitetin e Nurembergut në Bavari, ku jeton së bashku me të shoqin gjerman dhe të birin.

https://p.dw.com/p/14w3N
Fotografi: Rezarta Reimann

"Kush jam unë – dhe nëse po sa shumë?" Ky nuk është vetëm titulli i librit (në gjermanisht: Wer bin ich – und wenn ja wie viele?) nga Richard David Precht, të cilin Rezarta Reimann sapo e ka përfunduar së përkthyeri në shqip. Kjo është edhe një pyetje që i shkon më së miri 40-vjeçares nga Tirana, e cila prej disa vitesh jeton në Gjermani. Sepse identiteti i përkthyeses është vetëm njëri nga rolet që ajo ka zgjedhur në jetë. Tjetri është ai i aktivistes në kryesinë e degës së Partisë Socialdemokrate të qytetit të vogël bavarez Shvabah. Por puna e përditshme e doktores së shkencave të biologjisë është mësimdhënia në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Nurembergut.

Pikërisht këtu e takoj Rezartën. Klasa e zbrazur, ku sapo ka përfunduar mësimi është rrethuar nga rafte epruvetash, kafshë të balsamosura a kurme plastike në prerje tërthore. Ishte pikërisht shkenca që në vitin 1998 e solli Rezarta Reimann – atëbotë Meço – në Gjermani. Docentja e re e Universitetit të Tiranës dëshironte ta mbronte doktoratën në një universitet gjerman. Përse Gjermania? "Një simpati e lindur që nga koha e fëmijërisë, kur në familje më quanin me ironi 'gjermane', për shkak të natyrës pak të ftohtë", rrëfen ajo e qeshur. Pastaj kishte qenë edhe simpatia për skuadrën e Beckenbauer-it që në të ri e kishte orientuar gjithnjë e më shumë nga vendi verior.

"Gjermanët nuk premtuakan në erë!"

Kur dikur një profesor nga Instituti i Biologjisë së Universitetit të Jenës u ndodh për vizitë në Shqipëri, shfrytëzoi rastin dhe e pyeti për mundësinë e mbrojtjes së doktoraturës në katedrën e tij. Profesori premtoi se me t'iu dhënë mundësia do ta lajmëronte. Një vit e gjysmë kaloi dhe Rezarta nuk mori asnjë lajm nga Gjermania. Po përgatitej për të shkuar me bursë në një vend edhe më verior, Suedi, kur i erdhi ftesa nga Jena. "O, këta gjermanët" kujton Rezarta çudinë e saj të atëhershme, "nuk premtuakan në erë!".

Ishte qershor i vitit 1998: Tre vjet, sa të mbaronte doktoratën dhe do të kthehej në Shqipëri, me këtë mendje u nis Rezarta Meço drejt qytetit të vjetër universitar: "Atmosfera ishte familjare: në institut kishte disa kolegë shqiptarë, profesori dhe stafi ishin shumë të gatshëm për të më ndihmuar, problemi i vetëm ishte gjuha", kujton ajo muajt e parë në Gjermani. Rezarta filloi një kurs të gjuhës gjermane, pikërisht atë kurs, që do t'i jepte jetës së saj një kahje tjetër. Shkaku ishte Jensi, mësuesi i gjermanishtes, me të cilin ajo sot është e martuar dhe ka një djalë nëntëvjeçar.

Albaner in Deutschland Rezarta Reimann Tirana Jena
Fotografi: Rezarta Reimann

Biçikletë, në vend të makinës

Rezarta Reimann është sportive në trup dhe në veshje: Tualet i lehtë, pantallona xhins, këmishë, xhup, këpucë të sheshta. Sidomos këto të fundit i nevojiten, sepse megjithëse banesa e saj në qytezën bavareze Schwabach është afro njëzetë kilometra larg Nyrenbergut, ajo nuk përdor makinë. "Ky është një tipar karakteristik i Reimannëve – vetëdija ekologjike", vëren ajo. Një vetëdije, me të cilën ndërkohë është mbrujtur edhe ajo vetë, edhe pse një aspekt me të cilin jo patjetër mund të krenohet para mysafirëve që i vijnë nga Shqipëria, për të cilët makina është më shumë status, se një mjet qarkullimi që ndot mjedisin: "Shumë syresh çuditen që e lëmë makinën në garazh dhe udhëtojmë me biçikletë".

Është pikërisht kjo liri e ndërtimit të jetës sipas kërkesave vetjake ajo që i pëlqen më së shumti Rezartës në Gjermani. "Por kjo liri e ka një çmim", shton ajo. "Një nënë e re këtu e ka shumë të vështirë ta përballojë punën dhe familjen njëherësh". Rezarta vetë ishte me fat: Disa muaj pas lindjes së të shoqit iu pranua kërkesa për të punuar si lektor i gjermanishtes në Tiranë. Tre vjet kaloi familja e re në vendlindjen e Rezartës: "Gjëja më e bukur ishte që Franku u rrit me një dashuri të patreguar nga gjyshërit dhe tezja dhe kjo është një gjë që ka lënë gjurmë tek ai", thotë ajo për të birin.

Albaner in Deutschland Rezarta Reimann Tirana Jena
Rezarta Reimann (Meço) me kolegët në Universitetin e Jenës, fotografi e vitit 2010Fotografi: Rezarta Reimann

E ndryshuar në thelb

Ngrohtësinë dhe mikpritjen shqiptare e përjetuan edhe shumë miq nga Gjermania që e vizituan Shqipërinë në atë kohë. "Unë u përpoqa t'u tregoj atyre anët më të bukura të Shqipërisë dhe jam paksa krenare për këtë", rrëfen Rezarta. Por, megjithëse periudha në Shqipëri ishte e bukur dhe mjaft e dobishme, përvoja e mëparshme në Gjermani i kishte dhënë botës së saj të brendshme një drejtim të pakthyeshëm: "E kam vështirë ta përcaktoj saktësisht, por duket se në Tiranë kam jetuar vazhdimisht me një konflikt të heshtur. Vura re se kisha ndryshuar në thelb. Shpesh ndieja se interesat e mia nuk përputheshin shumë me ato të miqve apo të të afërmve të mi dhe mënyra jonë e pavarur e jetesës binte ndesh me zakonet e "familjes së madhe" shqiptare", arsyeton ajo vendimin për t'u kthyer sërish në Gjermani.

Rikthim që nuk ishte pa probleme: "Të gjeje një vend pune me fëmijë të vogël, me gjithë titullin doktore shkencash nuk ishte aspak e lehtë, sidomos si biologe, ku pjesën kryesore të kohës duhet ta kalosh në laborator", kujton ajo. Kështu që në fillim iu desh të sakrifikonte punën për t'iu kushtuar të birit. Gjermania e ka këtë të mirë: Nëse diçka nuk të pëlqen, të jep mundësinë ta korrigjosh nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në politikë. Prandaj edhe në qendër të veprimtarisë së saj në kryesinë e degës së Partisë Socialdemokrate të qytetit Shvabah janë kushtet që u duhen krijuar nënave me fëmijë që ato të mos shkëputen nga puna.

Rezarta Reimann (Meço) ist in Tirana geboren und kam 1998 wegen einer Promotionsarbeit nach Jena, wo sie ihren heuitigen Mann kennenlernte. Sie lebt mit ihm und ihrem Sohn in Schwabach nahe Nürnberg, wo sie Biologie an der Uni unterrichtet. Die dreiköpfige Familie hat zwischendurch auch in Albanien gelebt. In der Serie "Albaner in Deutschland" erzählt Rezarta Reimann, was ihr in Deutschland manchmal fehlt. Das Bild zeigt sie mit ihrem Mann und ihrem Sohn. Das Foto wurde die Familie sie in einem Seminarraum des Pädagogischen Fakultäts der Universität Nürnberg. Das Foto wurde im März 2012 von Anila Shuka aufgenommen.
Familja ReimannFotografi: Rezarta Reimann

"Gënje pak, se më ngre moralin!”

Sado që jeta e saj në Gjermani është tejet e mbushur, një mall për Shqipërinë mbetet: "As vajtjet një herë në vit nuk e shlyejnë dot", thotë Rezarta Reimann. Ajo përpiqet ta zvogëlojë distancën me vendlindjen duke nxitur bashkëpunimet ndërmjet universiteteve. Kësisoj ajo shpreson që të japë edhe një ndihmesë të vogël në përmirësimin e kulturës së studimit në Shqipëri. "Do të kisha shumë dëshirë që bibliotekat e fakulteteve të mbusheshin me studentë, siç ndodh këtu", thotë Rezarta.

Me kaq shumë kunguj në sqetull, të cilët ajo i mban me kënaqësi, Rezarta Reimann ka shumë arsye që ta ndiejë veten të mbushur në Gjermani. E megjithatë asaj i mungon aty diçka që nuk ka të bëjë me arsyen: "Mund të duket për të qeshur, por ndonjëherë e ndiej se më mungon këtu pikërisht ajo dëshira e mirë që ne shqiptarët kemi për të ndihmuar, edhe kur nuk kemi gjë në dorë. Këtu njerëzit janë të hapur dhe të thonë pa iu dridhur qerpiku, se kjo apo ajo nuk bëhet. Pikë. Ndonjëherë them me vete: 'Po s`ka gjë, gënje pak dhe thuaj se mund të më ndihmosh, se më ngre moralin". Logjika të thotë se është më mirë kështu si gjermanët, por shpirti ndihet më mirë në Shqipëri."