1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

8 Maj 1945: fund i luftës

8 Maj 2012

Më 7 Maj të vitit 1945 një delegacion gjerman u pajtua në Reims të Francës për kapitullimin pa kushte të Gjermanisë. Një ditë më vonë përfundoi Lufta e Dytë Botërore - të paktën në Evropë.

https://p.dw.com/p/14re6
Berlini i shkatërruar më 1945
Berlini i shkatërruar më 1945Fotografi: AP

16 Prilli i vitit 1945. Ushtria e Kuqe është gati për të sulmuar Berlinin. Dhe përballë trupave sovjetike në mbrojtje të kryeqytetit ndodhen vetëm disa grupe të shpërndara të Wehrmacht-it dhe njësive SS.

Takimi në Torgau

Në të njëjtën ditë Ushtria e Kuqe e udhëhequr nga mareshali Zhukov arrin në lagjet periferike të Berlinit. Ndërkohë nga Perëndimi afrohet ushtria amerikane, nga Lindja Ushtria e Kuqe depërton gjithnjë e më thellë në zemër të Gjermanisë. Më 25 prill stacioni BBC raporton:"Lindja dhe Perëndimi u takuan. Të mërkurën, 25 prill 1945, në ora 16 e 40 njësitë e gjeneralit Bradley dhe njësit e ushtrisë ukrainase të mareshalit Konev u takuan në afërsi të qytetit Torgau pranë lumit Elba."

Torgau 1945: ushtarë amerikanë dhe sovjetikë shtrëngojnë duart
Torgau 1945: ushtarë amerikanë dhe sovjetikë shtrëngojnë duartFotografi: dpa

Pavarësisht nga ky takim, forcat gjermane po zhvillonin luftime të ashpra në rrugët e kryeqytetit Berlin. "Berlini po lufton edhe më tej, Berlini i beson udhëheqësit!", njoftonte radioja shtetërore gjermane.

Më 28 Prill, Adolf Hitleri merr lajmin se është i pashmangshëm sulmi i Ushtrisë së Kuqe ndaj Kancelarisë së Rajhut.  Shpejt e shpejt ai martohet me të dashurën e tij Eva Braun, shkruan "testamentin politik" dhe emëron admiralin Dönitz si pasuesin e tij. Hitleri nuk dëshiron që të bierë as i vdekur e as i gjallë në duart e rusëve. Më 30 Prill në orën 15:30 ai vret veten, Eva Braun pi helm. Të dy trupat e tyre u dogjën sipas dëshirës së Hitlerit.

Të nxitura nga gjeneralët fanatikë luftimet në Berlin vazhdojnë edhe më tej. Gjatë luftimeve në kryeqytet humbasin jetën më shumë berlinezë se sa gjatë sulmeve ajrore disavjeçare. Më 2 maj trupat gjermane në Berlin dorëzohen. Megjithatë pasardhësi i Hitlerit, Dönitz vazhdon luftën diku tjetër, sepse ai dëshiron që të evitojë kapitullimin e plotë pa kushte.

Gjeneral-Kolonel Jodl nënshkruan kapitullimin
Gjeneral-Kolonel Jodl nënshkruan kapitulliminFotografi: Deutsches Historisches Museum

Luftë me 60 milionë viktima

Pesë ditë më vonë, delegacionit gjerman në Reims të Francës në kuartierin qendror të gjeneralit amerikan Eisenhower i duhet të japë pëlqimin për kapitullimin pa kushte të Gjermanisë. Dönitz i dërgon një mesazh delegacionit gjerman me fjalët: "Më 8 maj, në ora 23 armët heshtin".

Me insistimin e Stalinit ceremonia duhej të përsëritej edhe njëherë tek mareshali Zhukov në Berlin. Në natën e 9 Majit, dokumenti i kapitullimit u nënshkrua për herë të dytë. Pastaj liderët e katër vendeve aleate u nisën popujve të tyre dhe mbarë botës lajmin për arritjen e paqes. Më shumë se 60 milionë vetë humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore derisa presidenti amerikan Truman kishte mundësinë të njoftojë se: "Flamujt e lirisë valojnë në të gjithë Evropën."

Mareshali Zhukov dhe delegacioni sovjetik në Berlin, 28.12.1945
Mareshali Zhukov dhe delegacioni sovjetik në Berlin, 28.12.1945Fotografi: dpa

Autor: Birgit Görtz / Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi