
Rreth 250.000 fëmijë shfrytëzohen si ushtarë prej ushtrive dhe grupeve të rebelëve në rreth 20 vende të botës. Madje talebanët në Afganistan i shfrytëzojnë fëmijët si atentatorë vetëvrasës.
"Ata më lidhën rreth brezit një bombë dhe më siguruan se ajo ishte një lodër. Sa të shohësh ushtarë, lidhe kabllin ", më thanë." Nasibullahu sapo ishte bërë nëntë vjeç. Megjithatë, sipas dëshirës së talebanëve ai duhet t'i jepte fund jetës së tij përpara se kjo të kishte filluar me të vërtetë. Nasibullahu po luante në bregun e një përroi në qytetin e tij Kandahar në Afganistanin jugor, kur e rrëmbyen disa burra. Ata e morën rob dhe i bënë një lavazh truri.
Të rinj afganë të rekrutuar prej talebanëve
Të ashtuquajturit luftëtarë të shenjtë donin ta bënin atentator vetëvrasës, që të vdiste për luftën e tyre. Ata i joshin fëmijët me lodra dhe premtime, po në shumicën e rasteve me të holla. Nasibullahu ishte me fat: Para se të zbatonte urdhërin, ai u zbulua nga policia dhe u dërgua në një qark tjetër. Më pas autoritetet e rikthyen tek familja. Të rinj të tjerë afganë, të cilëve u duhej të ndërmerrnin atentate të tilla dhe të sakrifikonin jetën, kanë përfunduar nëpër burgje. Shumica e tyre kishin vendosur gjoja "vullnetarisht" që të vdisnin dhe nuk i kishte rrëmbyer njeri.
Në verën e vitit 2011 presidenti Hamid Karzai u dha lirinë një numri fëmijësh dhe të rinjsh që ishin arrestuar në tentativë për atentate vetëvrasëse. Ata duhet të shkollohen dhe të kenë një shans të ri në jetë: "Armiqtë e fesë islame rrëmbejnë djem dhe u thonë të hedhin veten në erë në xhami, ku luten njerëz të tjerë. Ata duan të hedhin hije të keqe ndaj fesë islame dhe t'i largojë njerëzit nga fesja islame. Bijtë e tyre po i bëjnë mjekë dhe inxhinierë. Fëmijët tanë duan t'i bëjnë vrasës dhe kriminelë, në mënyrë që vendi ynë të mos mund të përparojë ".
Afganistan, talibanë
Por edhe përpara se talebanët t'i shfrytëzonin të rinjtë si kamikazë, këta rekrutoheshin si ushtarë në Afganistan, tregon gjenerali Atiqullah Amarkhel, ish-komandant në Ushtrinë Kombëtare Afgane: "Që gjatë luftës kundër Bashkimit Sovjetik, të rinjve u bëhej thirrje për të shkuar në luftë dhe për të marrë pjesë në Xhihad. Edhe sot, kjo propagandë ka një efekt të fuqishëm mbi të rinjtë. Ata janë ende të rinj dhe mund të ndikohen lehtë. Kjo mund të shkojë deri aty sa ata të shkojnë vetë në luftë dhe madje këtë të mos e dinë as prindërit. "
Varfëria është një nga faktorët që ndikon për rekrutimin mizor të të miturve prej talebanëve që të veprojnë si kamikazë. Sidomos fëmijët verbohen prej premtimeve për shuma të mëdha parash si shpërblim për misionin e tyre. Po ashtu sipas ekspertëve shumica e tyre janë rritur në familje shumë fetare dhe janë mësuar që të vegjël që të falen dhe të respektojnë ritet fetare.
Autor: Waslat Hasrat-Nazimi / Pandeli Pani
Redaktoi: Esat Ahmeti
Kontakt
Deutsche Welle
Albanische Redaktion
Kurt-Schumacher-Str. 3
D -53110 Bonn
Deutschland
Telefon: +49 228 429-4685
Telefaks: +49 228 429-4690
E-mail: shqip@dw-world.de
http://www.dw-world.de/albanian