
Leja e qëndrimit "Blue Card" e Bashkimit Europian synon të tërheqë tashmë edhe në Gjermani akademikë të huaj. Diplomat e huaja priten të njihen më shpejt. Një studente maqedonase shpreson t'i hapen shanse të reja.
Gjermania është për Biljana Stojanovskën një "vend i mrekullueshëm". 25 vjeçarja nga Maqedonia flet me entuziazëm për njerëz korrekt dhe të sjellshëm, të cilët e bëjnë punën në mënyrë precize. Biljana ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Shkupit. Gjatë studimeve, ajo mori pjesë në një program kooperimi të Universitetit të Shkupit me një universitet gjerman. Asokohe ajo u përpoq të qëndronte në Gjermani, por ishte e pamundur. Fillimisht duhej të përfundonte studimet. Tashmë me një përpjekje të dytë, përmes Blue Card, kartës europiane të qëndrimit ajo synon të provojë fatin e saj.
Me "Blue Card" bie edhe e drejta e vendasit si i par në radhëi për një vend pune, krahasuar me një të huaj. Leja e qëndrimit është njëkohësisht edhe leje pune. Pjesëtarët e familjes pajisen po ashtu me leje qëndrimi. Me qëllim që "Blue Card" të jetë efektive edhe në Gjermani, duhet që të dalë ligji përkatës këtë vit, si edhe të hyjë në fuqi. Por ende në Bundestag dhe Këshillin Federal nuk është përcaktuar një datë e saktë për këtë ligj. Qeveria gjermane llogarit me dhënien e 3.500 lejeve të tilla të qëndrimit në vit.
Biljana Stojanovska
Kompetencë në vend të prejardhjes?
Por me rregulloren e re Biljana Stojanovska ka disa pengesa të reja përpara. Më e rëndësishmja: Gjetja e një vendi pune, madje që në vendlindja. Puna duhet të ketë të bëjë me specializimin e saj me drejtim dizjan industrial. Ajo shpreson që "Blue Card" të vendosë kompetencën dhe jo prejardhjen në vend të parë.
Me studimet me orientim teknik ajo duhet të provojë para autoriteteve se ka mundësi të fitojë rreth 33.000 euro në vit. Limiti i të ardhurave është ulur për profesionet, për të cilat ka nevojë për fuqi punëtore në Gjermani. Biljana nuk është e sigurtë nëse një fillestare mund të fitojë kaq në profesionin e saj. Por Ilona Riesen, eksperte për arsimin në Institutin Gjerman të Ekonomisë në Këln, thotë se 33.000 euro janë një pagë realiste për fillestarët e këtij profesioni.
Zyra e të huajve në Kasel. Kush ka Blue Card merr edhe leje qëndrimi për familjarë
Papunësia si rrezik
Vështirësi krijohen në rast të humbjes së vendit të punës, pavarësisht se cila është arsyeja. Një papunësi që zgjat më shumë se tre muaj mund t'i kushtojë personit në fjalë humbjen e "Blue Card." Ilona Riesen e sheh këtë si një afat shumë të shkurtër. Vetë akademikët gjermanë kanë nevojë për më shumë se tre muaj për gjetjen e një pune të re, shprehet ajo. Biljana nga Maqedonia është megjithatë optimiste. Ia vlen t'i hysh këtij rreziku mendon ajo. Më shumë se kaq, është madje një shtysë ta bësh punën më mirë, dhe të kualifikohesh më tej, ka bindjen ajo.
Megjithatë rruga e Biljanës është ende e gjatë. Njohuritë e saj të gjermanishtes janë ende të pakta. Por kjo nuk e pengon studenten t'i mbetet besnike zgjidhjes së saj, Gjermanisë. "Unë e njoh këtë vend, më pëlqen Gjermania", thotë ajo. "Shteti është i stabilizuar, kushtet e jetesës dhe të punës janë të shkëlqyera: Më pëlqen shumë mënyra e punës: Besnikëria ndaj parimeve, disiplina, toleranca dhe progresi."
Autor: Matilda Jordanova-Duda/Lindita Arapi
Redaktoi: E. Xhani