1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Studentët e programit master

Shkenca & Edukimi

"DW Akademie" - Aty ku formohen gazetarët e së ardhmes

Gazetaria është një profesion që kërkohet nga shumë të rinj, ashtu siç ka edhe shumë universitete që ofrojnë programe studimi në këtë fushë. Prej tre vitesh Deutsche Welle Akademie ofron një program master në këtë fushë.

Tregu i medias sot është duke kërkuar më shumë gazetarët multimedialë, pra që të jenë të gatshëm të punojnë në radio, televizion, të shkruajnë online, si edhe për një gazetë apo revistë. Programi master i Akademisë së Deutsche Welle-s, "Studime Ndërkombëtare për Masmedia", është programi ku të rinj me ëndërr gazetarinë për dy vjet praktikojnë dhe marrin njohuri të reja në katër fushat e mësipërme te medias.

„Më ka befasuar sistemi, në të cilin të përgatitet programi në praktikë,“ thotë Naim Zeqiri, student master nga Kosova, i cili studion në vitin e dytë për Masmedia Ndërkombëtare në Akademinë e Deutsche Welle-s në Bonn. Programi dy vjeçar i studimeve i'u mundëson studentëve një kombinim të teorisë me praktikën në të gjitha disiplinat e medias: radio, televizion, online dhe media e printuar.

Trajnim për moderatorë

Trajnim për moderatorë

Përvojë e rëndësishme

Në ndryshim nga i riu kosovar, Katya Kryzhanovskaya, përpara se të niste Studimet Ndërkombëtare për Masmedie, kishte një edukim në gazetari po ashtu edhe eksperiencë në mediat Bjelloruse. Pavarësisht kësaj, dy vite studim në Deutsche Welle Akademi ajo i quan shumë të frytshme dhe të rëndësishme për të ardhmen e saj.

„Këto dy vite këtu kanë qenë shumë ndryshe në një mënyrë pozitive. Sepse njohuritë që kemi marrë këtu janë shumë praktike, pra ne nuk jemi robër të librave. Ne kemi mundësi të përdorim çdo lloj mjeti apo aparati modern që përdorin edhe gazetarët gjatë punës së përditëshme. Për shembull, ne mësojmë se si të përdorim një kamera në terren. Kjo gjë do më lehtësojë shumë në të ardhmen, nëse do të punoj në TV me një kameraman, sepse unë e di se çfarë duhet dhe se si duhet filmuar. Kjo është gjë shumë e mirë për të ardhmen time, ” thotë Kryzhanovskaya.

Ndërsa Naim Zeqiri është i bindur për rëndësinë e studimeve: “Ky studim do të më vlejë, sepse është një përgatitje shumë profesionale, të cilën nuk do kisha patur mundësi ta bëja në Kosovë apo në ndonjë vend tjetër të Ballkanit. Diçka mjaft e rëndësishme është edhe fakti se leksionet i kam marrë në dy gjuhë të ndryshme, anglisht dhe gjermanisht.“

Jo vetëm përgatitje profesionale, por edhe njohje kulturash nga pothuajse nga gjithë bota. Kombësitë e studentëve të cilët janë pjesë e Akademisë janë të ndryshme, duke nisur që nga Gjermania, Kosova, Brazili, Kina, Bjellorusia, Etiopia etj.

Deutsche Welle, Akademia

Deutsche Welle, Akademia

Jo vetëm mësim, edhe stereotipet rrëzohen në "DW Akademie"

“Kjo eksperience më ka ndryshuar shumë, sepse ka rrëzuar të gjitha steriotipet që unë kam patur. Ne kemi një ide se si mund të jenë njerëzit e një vendi tjetër, por është gjithmonë ndryshe kur krijon kontakt të drejtpërdrejtë me ta. Ishte e këndshme të shihje se bota nuk është ajo që ti ke imagjinuar; ” thekson Kryzhanovskaya.

Edhe për të riun kosovar përballja me kulturat e ndryshme të studentëve të tjerë ka qenë mjaft e rëndësishme. “Informacionet që kam marrë nga komunikimi i drejtpërdrejtë me kolegë nga mbarë bota, nuk mund t'i merrja nëpërmjet librave apo leksioneve. Kontaktet me ta, përvojat në vendet e tyre dhe kulturat e ndryshme, këto kanë qenë disa përfitime të tjera që unë kam marrë nga Deutsche Welle Akademie.“

Pjesë e programit të Studimeve Ndërkombëtare për Masmedia janë edhe partnerët akademikë si „Universiteti i Bonit“ me „Institutin e Shkencave të Komunikimit“ dhe „Kolegji Teknik Bonn-Rhein-Sieg“. Kurrikula është hartuar bashkarisht dhe shtrihet në katër semestra. Leksionet, seminaret, diskutimet, ekskursionet dhe praktikat ofrojnë një përzierje interesante metodash. Natyrisht, e gjithë kjo ka një çmim. Për shërbime studentore të gjithsecilit vihen në dispozicion 6000 euro. Do të ketë edhe një numër bursash, ndër to edhe nga Shërbimi Gjerman për Shkëmbimin Akademik (DAAD). Por, një pjesë e mirë e studimit do të jetë i financuar nga grantet federale apo nga fondet e jashtme. Për të gjithë ju që të ardhmen tuaj e shikoni në media dhe doni të bëheni pjesë e këtij programi, aplikimet për vitin tjetër akademik janë të hapura deri në fund të muajit Mars.

Autor: Amarildo Topi

Redaktoi: Lindita Arapi