
Shkolla e lartë Jade në Elsfleth të Saksonisë së Ulët ka një traditë të gjatë në fushën e detarisë dhe të navigimit. Në këtë shkollë të rinjtë përgatiten për oficerë marine.
Fatkeqësia e kryqëzorit turistik Kosta Konkordia përpara bregdetit italian konsiderohet si një nga katastrofat më të mëdha në historinë e re të lundrimit. Ky aksident, i cili ka ndodhur edhe për shkak të neglizhencës së kapitenit, ka treguar se sa i rëndësishëm është shkollimi dhe trajnimi i personelit të anijeve. Kush drejton një anije, duhet të jetë në gjendje t'i vlerësojë si duhet aftësitë e veta personale, ujërat dhe të llogarisë përmasat e anijes. Shkolla e lartë Jade në Elsfleth të Saksonisë së Ulët ka një traditë të gjatë në fushën e detarisë dhe të navigimit. Fillimet e saj datohen në vitin 1832. Në këtë shkollë të rinjtë mund të marrin pas përfundimit të studimeve, që zgjasin si rregull katër vjet një diplomë si oficer marine. Studimi ka kryesisht karakter praktik dhe bazohet në përvojën e mbledhur gjatë praktikave mësimore.
Edhe pse studimi në këtë shkollë duket sikur është i lehtë, ai është në fakt shumë i komplikuar. Gjatë shkollës dhe praktikave nxënësit mësojnë të drejtojnë në det anije të mëdha transporti, apo kryqëzorë turistikë si Kosta Concordia, në mënyrë që të lundrojnë në mënyrë të sigurtë. Ata mësojnë të udhëheqin një ekip dhe për të shpëtuar pasagjerët dhe ekuipazhin në raste nevoje apo avarish. Kush dëshiron të dalë në det dhe të drejtojë një anije, ka nevojë sidomos për përvojë praktike.
Thorsten Löffler
Prandaj studimi fillon me një semestër prej gjashtë muajsh në det. Dhe për këtë ka shumë arsye, thotë Thorsten Loeffler, i cili konsulton studentët, që duan të diplomohen në këtë universitet: "Ne e kemi vënë me qëllim që në gjashtëmujorin e parë të studimeve këtë praktikë, në mënyrë që njerëzit ta shohin konkretisht se me se do të merren dhe në rast se kjo nuk është për ta, ata nuk kanë pse të shpenzojnë aq shumë vite të jetës së tyre dhe kanë harxhuar të themi vetëm një gjysmë viti, gjë që deri tani nuk i ka bërë dëm askujt prej të rinjve."
Stina Menzel dhe Julia Koenecke janë diçka ekzotike në këtë shkollë, sepse detaria vazhdon të jetë një domen, ku mbizotërojne meshkujt. Asnjëra prej tyre nuk vjen nga ndonjë familje detarësh, por pas maturës ato vendosën që të studiojnë për detari dhe nautikë.
Julia Koenecke
Julia Koenecke e ka kaluar këtë periudhë në bordin e një anije të madhe transporti dhe ka lundruar me të nëpër dete dhe oqeane. Në fillim ajo nuk kishte asnjë lloj përvoje:
"Ti duhet të gjesh një shoqëri lundruese me shpresë se do të të ofrojnë një vend për praktikën. Nisesh për udhëtim dhe nuk ke asnjë lloj ideje dhe je e lumtur që ta gjesh prapë kabinën tënde, ku fle dhe që të mësosh gjërat e para në bord."
Stina Menzel
Stina Menzelit i duhet të bënte punë të rënda në bordin e anijes, ku ishte për praktikë: "Fillimisht punoja në kuvertë dhe duhet të lyeja me bojë, apo të pastroja ndryshkun. Pastaj kalova në urën e drejtimit të anijes dhe përpiqesha t'u ndihmoja oficerëve dhe të merrja dijet e para për çdo gjë të re, puna ishte e larmishme."
Pas stazhit të parë në praktikë vijojnë kurset teorike në detari. Fillimisht ka shumë lëndë teorike, legjislacioni detar, ekonomi - me fokus ekonomia e porteve detare dhe e industrisë së transportit detar. Në semestrin e tretë dhe të shtatë studentët bëjnë trajnim për lundrim në anijen me vela Dukesha Elizabeth, që studentët e quajnë me dashuri Lissy. Këtu ata janë thellojnë aftësitë e tyre detare.
Studentët në simulator
Përveç kësaj çdo nxënës duhet të bëjë një stazh të dytë në bordin e një anijeje dhe të udhëtojë rreth 160 orë në një simulator anijeje. Në simulator vështirësitë rriten vazhdimisht, p.sh. udhëtim natën, në mjegull, ose në kushte trafiku detar të rënduar. Vazhdimisht praktikohen edhe situata të jashtëzakonshme, ku studentët mësojnë teknikat e mbijetesës në det dhe në ujë të ftohtë, si të japin ndihmën e parë dhe ç'përgjegjësi sociale kanë për pasagjerët. Pas marrjes së diplomës si bachelorit studentët kanë të drejtë të drejtojnë fillimisht në funksionin e kapitenit të II apo III të gjitha llojet e anijeve të mëdha. Pas dy vjetësh ata mund të punojnë si kapiten i parë. Patentën e kapitenit ata e marrin pas tri vjetësh pune në profesion.
Autor: Jessica Holzhausen/P Pani
Redaktoi: A Verbica