"Këtë mund ta shikosh edhe në mënyrë filozofike" - filozofë të shquar debatojnë në medie për çështje aktuale si ndryshimi i klimës ose kriza financiare - e ndjekin tendencën e kohës
"Kuarteti Filozofik" (emision i ZDF) Peter Sloterdijk (djathas) dhe Rüdiger Safranski (majtas)
Rüdiger Safranski është njëri prej tyre.
DW: Si e shpjegoni që njerëzit sot kanë filluar t'i kthejnë sërish sytë nga filozofia?
Rüdiger Safranski: Filozofia ka disa kohë që po del nga fusha akademike, ku qe mbyllur prej kohësh. Ka rëndësi që në universitet të ndiqet tradita e filozofisë. Por e rëndësishme është edhe që filozofia të dalë nga universiteti. Që Kanti ka bërë dallim midis filozofisë së shkollës dhe filozofisë për botën, siç e ka quajtur ai. Filozofia e botës ndeshet me problemet ekzistenciale dhe aktuale, me të cilat përballet çdo njeri dhe përpiqet t'u gjejë përgjigje. Në përgjithësi unë mendoj se kemi të bëjmë me një tendencë për t'u shënuar. Por siç thashë, kjo është një tendendencë e vjetër. Filozofia ka nisur tek Sokrati, i cili pyeste njerëzit në tregun e qytetit. Dhe për momentin ajo po kthehet sërish në tregun e qytetit.
DW: A luan një rol për këtë shtimi i pasigurisë përsa u përket çështjeve ekzistenciale? A kërkohet ndihmë tek filozofia?
Rüdiger Safranski: Një shprehje që e përdorim dendur është: "këtë mund ta shohësh edhe në mënyrë filozofike". Me këtë kuptohet që bën një hap pas, ngadalëson lëvizjet, përpiqesh të krijosh distancë. Kjo mënyrë e vështrimit filozofik është thuajse identike me përpjekjen për të qartësuar mendimet. Dhe është kjo ajo që kërkohet sot veçanërisht dhe që ka rëndësi, sepse e vërteta po bëhet gjithnjë e më e komplikuar, të paktën na duket neve kështu. Në një temë si kriza financiare e pyesim veten se përse bëhet fjalë në thelb. Pastaj ne arrijmë ne tema si lakmia. Pastaj vijmë në tema si dëshira e verbër për t'u pasuruar ose dëshira për të rrezikuar e kështu me radhë. Kjo do të thotë që ne mbërrijmë menjëherë tek probleme etike. Dhe problemet etike janë problemet e veçanta, me të cilat merret gjithmonë filozofia.
DW: A mund të shkosh kaq larg, sa të thuash se filozofia mund të jetë sot zëvendësuese e feve?
Rüdiger Safranski: Unë do të thosha, që në atë masë që fetë e mëdha humbasin forcën imponuese, fusha të caktuara natyrisht që lirohen. Pyetjet e famshme të fundit, me të cilat janë marrë gjithmonë fetë, ato në njëfarë mënyre janë një përgjigje që i mbivihet aftësisë vetjake për të menduar. Në këtë pikëpamje, unë nuk do të thosha se filozofia është një zëvendësuese e feve, por ajo është një vazhdim i feve me mjete të tjera.
DW: Cilat janë sot pyetjet dhe problemet e një filozofie kontemporane?
Rüdiger Safranski: Këtu mund të përmendësh natyrisht shumë çështje. Për shembull, unë do të thosha, se në botën shkencore ne kemi problemin që figurën e njeriut ne e reduktojmë pa ndërprerje, e reduktojmë në mënyrë natyraliste. Këtë e vëreni për shembull tek problemi i lirisë. Studimet për trurin duan të na mbushin mendjen se liria nuk ekzistoka. Studiuesit e trurit të njeriut përdorin edhe vetë inteligjencën e tyre për të shtruar një tezë të tillë të guximshme. Ata përdorin lirinë, për të deklaruar fundin e lirisë. Ne ndeshemi me problemin me rëndësi kardinale, që na duhet të mendojmë herë pas here për atë që është liria njerëzore dhe ku janë kufijtë e saj. Këto janë probleme fare praktike. Në rastin e kriminalitetit ne ndeshemi për shembull me çështjet e papërgjegjshmërisë në veprimet e tua: a mund të kërkosh nga dikush që të mbajë përgjegjësi? Tani vrasësin (Anders Behring Breivik) e deklaruan në Norvegji të paaftë për të mbajtur përgjegjësi për veprimet e tij. Këtu lind natyrisht një nevojë e madhe për reflektime filozofike. Çështja tjetër është natyrisht ajo e etikës dhe e përgjegjësisë në një shoqëri masive, ku mund t'ia ngarkosh për mrekulli të gjitha gjërat diçkaje apo dikujt. E gjithë tema e përgjegjësisë duhet menduar nga e para.
DW: Cilat janë format e filozofimit, të cilat kuptohen sot më mirë nga publiku?
Rüdiger Safranski: Mendoj se këto janë format e filozofimit që kërkojnë angazhimin e etikës. Ato për një jetë të lumtur ose për një jetë të mirë. Këto janë, le ta quajmë kështu, filozofitë e ndihmës për të jetuar deri në filozofitë për mënyrën e jetesës.
DW: Cili është roli që luan filozofia në medie?
Rüdiger Safranski
Rüdiger Safranski: Një rol më të madh se më parë, kjo duhet thënë. Unë kam dhjetë vjet që bëj me Peter Sloterdijkun "Kuartetin Filozofik" (emision i ZDF). Dhe vetë ky është një fakt që të tërheq vëmendjen për hapësirën mediatike. Ne flasim për të gjitha problemet e mundshme, që na ngacmojnë.
DW: Cilat janë njohuritë që mund të ofrojë filozofia, të cilat i kalojnë kufijtë e shkencave?
Rüdiger Safranski: Herën e fundit ne patëm një diskutim në kuartet për çështjen e ndryshimit të klimës. Dhe këtu mund të konstatosh me habi, që shkenca, vetë studiuesi i klimës merr pozicionin e një kishe dhe flet për disidentë të klimës, kur bëhet fjalë për premisa, të cilat nuk përshtaten shumë mirë me kërkimet e zakonshme shkencore për klimën. Këtu vë re një dogmatizim të nxitur politikisht, të cilin je i detyruar ta zbutësh me pyetje skeptike. Dhe konstaton se edhe shkencat serioze herë pas here kanë tendencë që të kthehen në komunitete besimi.
Dr. Rüdiger Safranski është filozof dhe shkrimtar gjerman. Ai ka studiuar ndër të tjera tek Theodor Adorno. Prej vitit 1994 ai është anëtar i Qendrës PEN të RFGJ dhe prej nëntorit 2001 është anëtar i rregullt i Akademisë Gjermane për Gjuhën dhe Poezinë në Darmstadt.
Autor: Gudrun Stegen/ Auron Dodi
Redaktoi:Esat Ahmeti