1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kurrë s´do t´pushoj së pikturuari romët e mi, Kosovën time

5 Shkurt 2011

Bajram Mehmeti është një piktor rom, në punimet e të cilit pasqyrohet jeta, kultura dhe tradita rome. Pikturat e tij janë dëshmi e rrugëtimit të vështirë të popullit të tij dhe thirrje për solidaritet me romët.

https://p.dw.com/p/10BFN
Fshati Lepine në Kosovë, Bajram MehmetiFotografi: Ajete Beqiraj

Një rrugicë përgjatë oborrit të ngushtë me borën e ngjeshur nga njerëz e pula, na shpie drejt shtëpisë së vogël në fshatin Lepinë, rreth 7 kilometra në perëndim të Lipjanit. Drejt një kasolleje të varfër, për të cilën veç tymi i oxhakut të jep të kuptosh se është e banueshme. Ky është vendbanimi i piktorit rom Bajram Mehmeti; një vendbanim tejet larg nga çfarë do duhej të kishte një artist i ri, emri i të cilit tashmë është dëgjuar nëpër disa metropole botërore. E megjithatë, ky është realiteti i tij ndërkohë!

Bajram Mehmeti Roma Maler
Bajram MehmetiFotografi: Ajete Beqiraj

Arti i jetës rome

„Pikturoj në letër me ngjyra temper, ndërsa kur shes ndonje pikturë kursej para dhe blej pak pëlhurë dhe ngjyra vaji. Sikur të kisha mundesi materjale, imagjinata ime do t´ishte shumë më e hollë, pikturat e mia shumë me origjinale dhe do të mund të hapja edhe ekspozita. Sikur te kishim pak me shume mundësi, çdo gjë do t´ishte krejt ndryshe…“, thotë Bajram Mehmeti, i cili jetën e fshatit në pikturë e pasqyron si këndin më të bukur dhe me të pahall në botë.

“Më së tepërmi më pëlqen të pikturoj jetën rome, që nga shpërngulja e romëve nga India prej nga vimë e deri në jetën e sotme të romëve në Kosovë. Pra, kultura, tradita, ritet, puna jonë në ara, ruajtja e bagëtisë, pjekja e bukës në furre guri, çdo gjë që ka të bëjë me jetën rome këtu, por pikturoj edhe portrete, peisazhe, natyre të vdekur, po ashtu“, thotë piktori Mehmeti, për të shtuar se çdo pikturë është një pikë më shumë në burimin e ekzistencës së familjes së tij, krahas punës si punëtor krahu nëpër tokat e bujqve serb.

Ditën punëtor krahu - Natën piktor

Lidhja e ngushtë me jetën rome, me njerëzit, me natyrën, kafshët, shpezët e me çdo gjë që përbën boten e tij të vogël ndjehet në çdo pikturë, ndërsa frymëzimi i pashterrur i artit është shembull i mbijetësës së një artisti edhe në mes të skamjes e mjerimit.

Haus und Ställe ehemalige Residenz der Roma im Kosovo Bajram Mehmeti
Përgatitja e festës Bajram MehmetiFotografi: Ajete Beqiraj

„Jemi në gjëndje të rëndë ekonomike, pa punë e pa kushte elementare për jetë. Këtu e kemi kuzhinën, këtu dhomën e ndejës, këtu dhomën e fjetjes e për atelje, pëlhurë e ngjyra vaji mos të flasim fare kur ne mezi sigurojmë letër e ngjyrë. Por, falë Zotit që na dha këtë dhunti dhe pavarësisht kushteve të vështira, nuk dorëzohem dhe së bashku me motrën pikturojmë me shpresën se ndoshta dikush vjen e i blen me aq te holla sa t´na mjaftojnë për të mbijetuar“, rrëfen Bajrami, piktor rom nga Kosova, për të cilin kasollja dydhomëshe, furra në krye të oborrit të ngushtë, zogjët mbi pemë dhe puna në arë jane motivet më të dashura që e përbëjnë botën e tij.

Rrugëtimi i popullit rom në pikturë

Vargu i pikturave të varura rreth e qark dhomës, me kolona romësh gjatë shpërnguljes, grupe romësh nën tenda gjatë shtegtimit nëpër botë dhe një stallë e përzier me njerëz e bagëti, janë dëshmi e rrugëtimit të vështirë të popullit rom. Por, Bajrami më me dashuri pikturon të tashmen e popullit të tij në Kosovë dhe motive të dashura janë edhe festat, siç është Dita e Vitit te Ri Ortodoks: „Piktura quhet Vasilica në emër të festës, ku çdo 13 janar prehen patat apo gjeldetët për kremten e 14 janarit. Këtu është nëna që fut patat në ujë të valuar, fëmijët që ua heqin puplat, pak më tej babai tek pi duhan, pas tij qiriu i ndezur në dritare ndërsa matanë xhamit, agimi që zbardh sepse, kjo është koha e ritit kur shpezet bëhen gati për ushqimin e së kremtes“, përshkruan Bajrami njërën ndër pikturat e shumta, për të cilat i duhen dy ditë deri në dy javë, edhe pse po t´i kishte me porosi do të pikturonte shumëfish.

Tote Natur Gemälde von Bajram Mehmeti
Natyrë e qetë, Bajram Mehmeti 2011Fotografi: Ajete Beqiraj

Të paktën kështu pat bërë në vitin 2000, kur shkrimtari Paul Polanski e zbuloi se në gjirin e kësaj kasolleje të varfer jetonte një artist i rrallë. Sepse, sipas Polanskit: „Në Bajramin ne kemi atë që Pikaso e deshi gjithnjë: Një piktor të paarsimuar, një piktor të pa ndikuar, një piktor i cili pikturon vetëm me instinkt”.

Nga lagja e varfër në metropole

Paul Polanski, shkrimtar, poet dhe fotograf, është autor i 13 librave. Tetë prej tyre u jane kushtuar romëve, ndër të cilat edhe “Kosovo Blod” dhe “Not a Refugee”. Pak kohë pas marshimit të trupave të NATO-s në Kosovë, Polanski erdhi me punë vullnetare si këshilltar I UNHCR-së për problemet e romëve, duke themeluar kështu edhe një fondacion për mbështetjen e këtij komuniteti. “Paul Polanski atë botë jetonte në fshatin Preoc,-rrëfen Bajrami. Ai na blinte materiale për pikturë dhe kërkonte piktura me motive rome, të cilat i blinte pastaj. Atë vit me motrën kemi pikturuar rreth 100 piktura, të cilat na i ka blerë dhe ekspozuar në Austri, Zvicër, Indi, Gjermani, Turqi por edhe në Kosovë. Dhe mua, krahas përfitimit kjo më sillte edhe gëzim, për faktin se pikturat kanë arritur të dalin në pah që t´i shohin njerëzit“. Polanskit i përket merita edhe për orientimin e artit të Bajramit kah jeta rome, në poret e së cilës mund të futet vetëm një artist rom. Dhe kështu, pikturat e romit nga Kosova, u shndërruan në thirrje për solidaritet me romët në botë dhe mesazh shprese për një të ardhme më të mirë. Ndërsa Bajrami, krahas vështirësive, po e përmbush premtimin e dhënë mikut të tij: “Kurrë s´do të pushoj së pikturuari romët e mi, Kosovën time…”.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama