1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Aty ku ka dashuri, nuk ka vend për urrejtje"

6 Shkurt 2012

Nën moton "Faleminderit Gjermani" në Emmendingen u shënua katërvjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

https://p.dw.com/p/13y3y
Fotografi: Sokol Maloku

“Kosovarët janë komunitet që ka arritur të integrohet shumë mirë këtu. Integrimi i tyre mund të shërbej si shembull për komunitetet e tjera dhe kjo me siguri ka të bëjë me atë se ata janë të hapur për gjëra të reja”, tha kryebashkiaku Stefan Schlatterer në ceremoninë e shënimit të përvjetorit të katërt të pavarësisë së Republikës së Kosovës në qytetin Emmendigen (2.2.). Shoqata “Yjet e Kosovës” për festimin e kësaj ngjarjeje kishte zgjedhur ambientet e Fondacionit Metzger-Gutjahr në Emmendingen. Përveç kryebashkiakuat Stefan Schlaterer ftesës së emigrantëve kosovarë për të festuar bashkarisht i ishin përgjigjur edhe deputeti kristiandemokrat (CDU) si dhe kryetar i grupit të parlamentarëve për Evropën Juglindore në Bundestagun gjerman, Peter Weiß, Hanno Hurth përfaqësues në land i Emmendingenit si dhe drejtuesi i Wonheimit, Kreis.

Në foto: Stefan Schlatterer, Hanno Hurth, Peter Weiss dhe Tahir Shabani
Në foto: Stefan Schlatterer, Hanno Hurth, Peter Weiss dhe Tahir ShabaniFotografi: Sokol Maloku

Diaspora kosovare ka një rëndësi të veçantë për Kosovën

Deputeti kristiandemokrat (CDU) Peter Weiß tha në një deklaratë për Deutsche Wellen se shteti i ri i Kosovës pothuajse nuk do të mund të ekzistonte në aspektin ekonomik pa ndihmën e shumëanshme të diasporës kosovare: "Diaspora kosovare ka një rëndësi të veçantë për Kosovën. Nëse shikojmë ecurinë ekonomike të Kosovës, atëherë mund të themi që një e treta rezulton nga ndihmat që vijnë nga diaspora. Dhe kjo është një ndihmë e jashtezakonshme e kosovarëve apo e njerëzve me prejardhje nga Kosova që jetojnë në vendet tjera të Evropës dhe botës të cilët e ndihmojnë vendlindjen e tyre."

Në foto, Peter Weiß
Në foto, Peter WeißFotografi: Sokol Maloku

Për fat të mirë, sipas Weiß, ekzistojnë grupe shumë aktive që nuk angazhohen vetëm për mbajtjen bashkë të popullatës me prejardhje nga Kosova, por janë aktiv edhe në politikën për integrim. "Sidomos te manifestimi i shoqatës "Yjet e Kosovës" mund të vërehej një pjesëmarrje e konsiderueshme e përfaqësuesve të rëndësishëm të jetës politike, ekonomike dhe të shoqërisë civile të rajonit të Badenin jugor, me të cilët kjo shoqatë ka një bashkëpunim shumë aktiv. Me këtë po prezantohet një pasqyrë e Kosovës dhe kosovarëve që është shumë pozitive dhe që tregon se këtu ka njerëz aktiv që e ndjejnë veten mirë në Evropë dhe i ndajnë vlerat evropiane me të tjerët. Ata dëshirojnë të përfshihen në mënyrë aktive në shoqërinë gjermane."

"Aty ku ka dashuri, nuk ka vend për urrejtje"

Ndërkaq kryetari i shoqatës “Yjet e Kosovës”, Tahir Shabani ka falendëruar popullin dhe shtetin gjerman për zemërgjerësinë dhe mikpritjen e treguar para dhe gjatë luftës për kosovarët që kishin kërkuar strehim në Gjermani: “Me një fjalë erdhëm te miqtë e popullit tonë dhe patëm një pritje të veçantë, siç dinë për ta pritur familjen, tani ishim në atdheun tonë të dytë.”

Në foto, Tahir Shabani
Në foto, Tahir ShabaniFotografi: Sokol Maloku

Gjermania ka vazhduar të mbështes Kosovën edhe pas luftës, ajo po ndihmon ndërtimin dhe mbrojtjen e paqes në Kosovë, si dhe shërimin e plagëve të së kaluarës. "Andaj ne kemi arsye edhe më të fortë që Gjermaninë ta quajmë atdheun tonë të përbashkët. Kjo na motivon për punën që po e bëjmë me shoqatën "Yjet e Kosovës". Pse “Yjet e Kosovës” është emëruar me të vetmin qëllim që të shohim drejt të ardhmes, sepse yjet simbolizojnë të gjitha nacionalitetet në Kosovë. Pra, duke mos harruar kurrë të kaluarën, por të mos mendojmë në urrejtje. Me punën tonë këtu po mundohemi të afrohemi sa më shumë në mes veti dhe t'ju tregojmë se atdheu i juaj është edhe yni, vetëm e vetëm që të hiqen paragjykimet dhe duke e njohur njëri- tjetrin do kemi më shumë dashuri. Nëna e madhe Tereze thoshte: "Aty ku ka dashuri, nuk ka vend për urrejtje".

Roli i diasporës në përpunimin e të kaluarës

Në këtë frymë deputeti kristiandemokrat Peter Weiß kërkon që diaspora kosovare të marrë një rol shumë më aktiv sesa atë që e ka tani në Kosovë.

Mirënjohje për miqët gjermanë
Mirënjohje për miqët gjermanëFotografi: Sokol Maloku

"Ajo i njeh format e bashkëjetesës paqësore tek ne në Evropë, ajo njeh veprimet tona aktive në politikën për integrim, ajo njeh mbrojtjen e minoriteteve tek ne dhe gjithashtu ajo njeh dialogun në mes të feve dhe bashkësive fetare. Dhe këto përvoja pozitive diaspora kosovare duhet t'i transportojë më shumë në vendlindje dhe të tregojë: Po është e mundur, që njerëzit e etnive të ndryshme, që njerëzit e besimeve të ndryshme fetare, që njerëzit me një sfond të ndryshëm kulturor mund të jetojnë në mënyrë paqësore dhe të ndërtojnë një shoqëri të përbashkët. Para së gjithash ata janë në dijeni për kontributin e shoqërisë civile tek ne në Gjermani, për ndërtimin e shoqërisë dhe shtetit dhe këtë përvojë diaspora mund ta pasqyrojë në Kosovë, pra unë besoj që për Kosovën do të ishte e dobishme nëse diaspora do të menaxhonte në mënyrë edhe me aktive transferimin e dijenisë dhe përvojës që ajo posedon."

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani