1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Dreqi ta hajë në se nuk jam integruar!"

7 Dhjetor 2011

Juli Ndoci ka kaluar gjysmën e parë të jetës në Shqipëri dhe gjysmën e dytë në Gjermani. Ajo sapo ka mbushur 40 vjeç.

https://p.dw.com/p/13OAW
Në pasion i vjetër i Juli Ndocit është fotografia. Shpesh edhe si vetëinskenim ironik: Këtu në rolin e mamasë konservatore në kontrast me të bijën që sapo ka hyrë në moshën e rebelimit antiprindëror
Në pasion i vjetër i Juli Ndocit është fotografia. Shpesh edhe si vetëinskenim ironik: Këtu në rolin e mamasë konservatore në kontrast me të bijën që sapo ka hyrë në moshën e rebelimit antiprindërorFotografi: Juli Ndoci

Jo, vetëm kështu nuk e njohim Julin: me fustan retro, me flokë topuz, me rruaza të bardha në qafë, me çorape najlon dhe këpucë me taka. Ku është ajo pankerja që këndon “Burrat janë derra”, gjezdiset nëpër festivale alternativë nga Apeninet në Ural? Ku është ajo rokerja që valëvit flokët në skenën e KFOR-it në Prizren dhe i bën ushtarët amerikanë e gjermanë të thërrasin me orë të tëra “Juli, Juli”? Ç'u bë me atë performuesen ilegale që me zërin e saj kumbues “prish” rehatinë e artdashësve në Hannover, Hamburg a Kassel që me nga një spumante në dorë enden mes punimeve bashkëkohore të Adrian Pacit a Anri Salës? Vallë të jetë tërhequr tani mamaja e dy vajzave në rolin e saj tradicional për t'ia lënë stafetën e rebelimit të bijës dymbëdhjetëvjeçare (foto).

Të gjitha këto pyetje mund t'i shtrojë kushdo që e ka përjetuar Juli Ndocin nëpër shfaqjet e saj zyrtare dhe jozyrtare dhe sheh këtë fotografi familjare të kohëve më të fundit. Ky moment i fiksuar nga vetë aristja sido që është parafytyruar si një parodi, shpreh atë anë të vërtetë të këngëtares që e njeh vetëm rrethi i ngushtë shoqëror: nënën e përkushtuar dhe bashkëshorten besnike. Ajo ka nevojë për të dyja: mbrëmjeve ekzaltimin në skenë, ditëve angazhimin në familje: “Tani kam dy sfida në jetën private, atë fizike që ma kërkon vajza e vogël dy vjeçare, Jolinda, dhe atë mendore, që ma kërkon e madhja, e cila sapo ka hyrë në adoleshencë”, thotë Juli dhe zbraz në një tavë një qese me arra që sapo i ka mbledhur në parkun e qytetin gjatë shëtitjes me të bijën.

Gjithmonë vetvetja

Që prej dy vjetësh ajo banon në dy katet e sipërme të një vile në qendër të Hildeshemit. Rruga ku është vendosur familja katëranëtarëshe mban emrin e dramaturgut gjerman “Friedrich Schiller”. Edhe pse jo patjetër veprat e Schillerit, teatri është pjesë e pandashme e jetës së saj. Kjo jo vetëm për shkak të roleve të shokut të saj dhe të atit të Jolindës, Oliverit, që është aktor dhe regjisor. Edhe ajo vetë e ka gjithmonë një rol në teatrin e qytetit: Herë duke parodizuar Lady Gagan, herë duke kënduar në një operë vokale fantastiko-shkencore të frymëzuar nga filozofi polak Stanislav Lem, herë duke hapur valixhen e kujtimeve të kohërave kur binte “muri shqiptar”, kur ajo këndonte në kuartetit “Hapni dritaret”, siç bëri në maratonën teatrore të 2009ës në Berlin.

Në këto role Juli nuk del shumë nga vetja. Por të dalit nga vetja për t'u pëlqyer të tjerëve nuk ka qenë kurrë në katalogun e ambicieve të saj. “Parimi i jetës sime është të jem e lumtur. Dhe e di që lumturinë nuk ta dhuron kush, por duhet ta bësh vetë, e kjo do të thotë, në radhë të parë të jesh vetvetja”, thotë ajo në një intervistë për Deutsche Wellen. Kjo është një përvojë që Juli e ka mësuar sidomos në vitet e para të mërgimit, ku në fillim vetvetiu u mundua t'i përshtatej shoqërisë gjermane, derisa e kuptoi se ky lloj asimilimi nuk i jepte aspak kënaqësi: „Atëherë unë u çlirova dhe fillova të sillesha ashtu si e ndjeja unë, e që në atë moment pata shumë më tepër miq”, kujton.
 
Larg festave folklorike

Ky ishte fillimi i saj në Hildesheim. Një qytet si shumë të tjerë në Gjermaninë Veriore: me një pjesë të vjetër, të shkatërruar në luftë e të rindërtuar e mirëmbajtur pas luftës, me një kala e një katedrale, me buxhet kulturor, skenë alternative të përmbajtur dhe thuajse asnjë skandal. Por ky Hildesheim i pabujshëm i pëlqeu Julit kur erdhi këtu 20 vjet më parë, sepse aty nuk kishte komunitete shqiptarësh si në Hamburg, Stuttgart a Munih. Asokohe ajo nuk ishte e panjohur në Shqipëri, sapo kishte fituar në treshen me Manjola Nallbanin dhe të vëllanë Frederik Ndoci çmimin e parë në festivalin e këngës në radiotelevizion (Toka e diellit, 1989). Ashtu si shumë kolege të saj në mërgim ajo nuk do ta kishte të vështirë t'i kthehej repertorit folklorik e të këndonte për bashkëkombasit migrantë nëpër klube e festa kombëtare. “Në Hildesheim ku nuk kishte shqiptarë të organizuar do t'i shpëtoja kësaj joshjeje, sepse nuk ishte repertori i njohur i folklorit shqiptar ai që më kishte shtyrë të vija në Gjermani”, rikujton argumentet e asokohe.

Ishte ajo pjesë e panjohur e botës muzikore e artistike që i kishte munguar në Shqipërinë komuniste dhe që ishte jashtë paradës së hiteve në RAI: Që nga grupe kult hardrocku e heavy metal si Mothers Finest, Skid Row e Motor Head e deri tek legjendat e reja e të vjetra vokale si Zap Mama e Bobby McFerin. “Kolegët më jepnin muzikë ta dëgjoja dhe unë nuk ngopesha e më vinte keq që ky thesar i muzikës botërore më kishte munguar në Shqipëri”, kujton këngëtarja. Ajo mundohet të ecë në gjurmët e mjeshtërve të adhuruar prej saj, çka kuptohet menjëherë, mjafton të dëgjosh emrat e grupeve ku ajo ka kënduar gjatë dy dekadave. Ato pasqyrojnë njëkoësisht edhe zhvillimin e saj muzikor: "Mary Trouble" e "Papa brand News" (Hardrock), "Coustik light" (eksperimentale), "Exile Lounge" (vokal). Një përmbledhje e ndërmjetme e këtij zhvillimi është albumi i saj i parë si kantautore e grupit “Goja Mars” – një përzierje stilesh, rrymash, gjuhësh, e përbashkëta e të cilave është se kanë dalë nga dora e saj: Në të këndon në sfond edhe e motra, Rita, e cila është tërhequr prej disa vitesh në lumturinë private në Mannheim. “Goja Mars” - projekti i fundit i Julit para se të lindte Jolindën - fitoi në vitin 2009 në një festival të etnomuzikës në Hamburg.

E pasur shpirtërisht

Në aspektin material jeta e saj nuk është luksoze, por e vetëdijshme për shëndetin dhe mjedisin. Kjo do të thotë ushqime organike dhe sa më pak mbeturina plastike. "Këto janë pasoja të vetëkuptueshme të përvojës së jetesës në një shtet të kamur", thotë Juli tek ushqen dy lepurushat në oborrin e kopshtit. Karriera muzikore nuk i ka sjellë aq të ardhura sa për të mbijetuar pa kokëçarje. Paralelisht i është dashur të bëjë edhe karrierën e zakonshme të mërgimtarit të suksesshëm: kameriere, këshilltare për refugjatë, përkthyese nëpër gjyqe nga gjermanishtja dhe anglishtja. “Këto të ardhura më kanë mundësuar të merrem me ato gjëra që dua unë”, thotë artistja. Dhe aftësitë e saj janë të shumëllojshme: Përveç muzikës dhe aktrimit është edhe fotografia dhe dezajnimi i rrobave. “Talenti më i madh i Julit është arti i të jetuarit”, thotë një nga miqtë e saj nga Hildesheimi. Elementi bazë i këtij talenti është humori, një veti karakteristike e gjithë familjes Ndoci. Është ndoshta kjo natyrë mirakandëse e shkodranes që ka bërë të grumbulojë rreth vetes një rreth shumë të madh shoqëror. Në vitin 2000 një gazetë lokale e qytetit me mbi 100 mijë banorë do ta radhiste ndër fytyrat më të njohura të qytetit. Fotografi i së përditshmes rajonale Hildesheimer Allgemeine Zetiung, Andreas Hartmann, ka një dosje të tërë digjitale me emrin e Julit në kompjuterin e tij. Një pjesë të adhuruesve të Julit janë mysafirë të vazhdueshëm nëpër festat e darkat që organizon familja shqiptaro-gjermane. E pyet Julin për integrimin e saj në Gjermani: “Kam kaluar këtu gjysmën e jetës, dreqi ta hajë në se nuk qenkam integruar!”, thotë.

Mërgimi, shkollë që nuk i njihet diploma

Në cepin e dhomës së saj është e varur një kostum grash i Malësisë së Madhe. Me krenari ajo tregon tapetin e punuar me dorë në Dukagjin, mbulesën e tryezës, gjithashtu punim duarsh shqiptare. Gjuha e parë e saj me të bijat është shqipja, e megjithatë ajo nuk e frekuenton Shqipërinë aq shpesh. Juli e di pse. "Shqipëria për të cilën unë kam mall nuk ekziston më, ajo ka ndryshuar shumë e nuk është më ajo që kam lënë", kujton. Dhe zhvilimi i Shqipërisë sikur nuk korrespondon me atë të Julit: Nuk është vetëm mungesa e hapësirës për artin alternativ, komercializimi i tepruar dhe etja për konsum, por para së gjithash homofobia, ajo që e shqetëson më së shumti kur kthehet në vendlindje: “Kur kalon një homoseksual menjëherë do të dëgjosh shprehjen “kujdes se po ta njet”! Aty më bëhet e qartë varfëria shpirtërore e shoqërisë që nuk është në gjendje të tolerojë dikë që është ndryshe”, thotë Juli me keqardhje. “Në këto momente e di që mërgimi më ka dhënë diçka: një pasuri shpirtërore, një shkollë të tërë. Vetëm se për fat të keq, diploma e saj nuk të njihet”.

Trurls Elektrobarde - Teatri është pjesë e pandarë e jetës së saj. Edhe e bija Dorela luan me të: Nënë e bijë luajnë këtu në një operë vokale të vitit 2007 të frymëzuar sipas një tregimi fantastiko shkencor të autorit polak Stanislaw Lem.
Trurls Elektrobarde - Teatri është pjesë e pandarë e jetës së saj. Edhe e bija Dorela luan me të: Nënë e bijë luajnë këtu në një operë vokale të vitit 2007 të frymëzuar sipas një tregimi fantastiko shkencor të autorit polak Stanislaw Lem. Fotografi: Andreas Hartmann
Me grupin e saj "Goja Mars" Juli Ndoci fitoi në vitin 2009 festivalin Creole në Hamburg. Në disa këngë të albumit të parë si kantautore e shoqëron edhe e motra, Rita Ndoci. Humoristja e njohur shqiptare tashmë është tërhequr në lumturinë private në Mannheim.
Me grupin e saj "Goja Mars" Juli Ndoci fitoi në vitin 2009 festivalin Creole në Hamburg. Në disa këngë të albumit të parë si kantautore e shoqëron edhe e motra, Rita Ndoci. Humoristja e njohur shqiptare tashmë është tërhequr në lumturinë private në Mannheim. Fotografi: Juli Ndoci
Juli Ndoci Gjatë një shfaqjeje për ushtarët e KFOR-it në Prizren në vitin 2002. Si të githa kostumet e skenës, edhe këtë e ka dezajnuar dhe qepur vetë.
Juli Ndoci Gjatë një shfaqjeje për ushtarët e KFOR-it në Prizren në vitin 2002. Si të githa kostumet e skenës, edhe këtë e ka dezajnuar dhe qepur vetë.Fotografi: Juli Ndoci

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama