1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dorëheqja e shefit të CIA-s: Fakte dhe spekulime

Silke Hasselmann/Eliana Xhani12 Nëntor 2012

Drejtori i CIA-s, David Petraeus ishte figura kyçe në zbardhjen e rrethanave të sulmit terrorist kundër konsullatës amerikane në Bengazi. Dorëheqja e tij për shkak të një lidhjeje jashtëmartesore shihet me skepticizëm.

https://p.dw.com/p/16hHt
David Petraeus
David PetraeusFotografi: Karen Bleier/AFP/Getty Images

Dianne Feinstein nga Kalifornia është shefe e komisionit të shërbimit sekret në Senatin amerikan dhe kështu një nga gratë më të fuqishme në Uashington. Sipas ligjit edhe policia federale FBI duhet të informojë atë të parën sapo vë re "zhvillime të rëndësishme në fushën e sigurisë kombëtare". Që FBI ka hetuar muaj me radhë në mjedisin përreth drejtorit të CIA-s por Feinstein mësoi për rastin fillimisht nga shtypi, ishte një gabim, u shpreh demokratja për kanalin FoxNews.

Ende nuk janë të njohura të gjitha rrethanat e lidhjes. Deri tani mediet amerikane kanë informuar duke iu referuar burimeve anonime nga FBI, sipas të cilave hetimet kanë nisur katër muaj më parë. Një punonjëse e komandës qendrore ushtarake në Tampa (Florida), shefi i së cilës ka qenë David Petreaus, i ishte drejtuar për ndihmë FBI-së për shkak të "maileve kërcënues". Siç rezultoi ato vinin nga biografja e Petraeus-it Paula Broadwell, me të cilën ai kishte pasur një lidhje jashtëmartesore. Se çfarë raportesh ka pasur mes gruas nga Tampa dhe ish-gjeneralit është ende e paqartë. Thuhet se Broadwell ka parë tek ajo një konkurrente.

Mikesha e Petraeusit Paula Broadwell çoi në rrëzimin e drejtorit të CIA-s
Mikesha e Petraeusit Paula Broadwell çoi në rrëzimin e drejtorit të CIA-sFotografi: AP

Tri javë më parë FBI e informoi David Petraeus-in për rezultatet e hetimeve por të dyja palët duket se janë sjellë me rezerva deri në mbrëmjen e zgjedhjeve presidenciale. Vetëm të martën e kaluar (6.11.) në orën 17, FBI ka informuar drejtorin e Instancës Kombëtare të Shërbimit Sekret, James Clapper. Të mërkurën (7.11.) pasoi Shtëpia e Bardhë dhe një ditë më vonë u informua presidenti Barack Obama. Vetëm më pas David Petraeus u paraqit tek presidenti për të dhënë dorëheqjen.

Prej kohësh qarkullonin zëra për histori me gra

Kjo kronologji e ngjarjeve ka hasur në shumë skepticizëm në të gjitha kampet partiake, siç dëshmuan gjashtë talk-show në kanalet amerikane ditën e dielë. Shumë deputetë të Kongresit shprehën dyshime që presidenti Obama për muaj me radhë nuk ka qenë në dijeni të hetimeve të FBI-së kundër shefit të shërbimit të fshehtë megjithëse prej tyre Petraeus rrezikohej nga shantazhi.

E çuditshme duket gjithashtu që CIA në vitin 2011 nuk e ka zbuluar marrëdhënien e gjeneralit me biografen e tij. Asokohe Petraeus i është nënshtruar hetimeve të zakonshme të sigurisë pasi presidenti Obama donte ta caktonte drejtor të CIA-s. Gazeta "Washington Post" shkruan se për Petraeus-in i cili konsiderohej si njeri pa të meta, prej kohësh qarkullonin zëra për histori me gra.

Tani kanë nisur spekulime nga më të ndryshmet. Një teori pretendon se Shtëpia e Bardhë ishte prej kohësh e informuar dhe e shfytëzon tani informacionin në mënyrë që Petraeus të mos nxjerrë zbuluar Obamën. Këtë javë parlamentarët kanë planifikuar gjashtë seanca dëgjimore në të cilat duan të mësojnë se përse administrata e Obamës nuk e kishte siguruar në mënyrë të mjaftueshme konsullatën në Bengazi megjithë paralajmërimet për muaj me radhë dhe përse punonjësit e konsullatës në 11 shtator nuk morën asnjë ndihmë, megjithëse sulmi i terroristëve ndaj konsullatës vazhdoi shtatë orë rresht. Ndër viktimat ishte edhe edhe ambasadori amerikan Chris Stevens. CIA pati deklaruar se nuk kishte refuzuar "në asnjë nivel" lutjen për ndihmë. Deri sot është ende e pasqaruar se çfarë roli ka luajtur presidenti Obama gjatë këtyre orëve.

Petraeus ishte i besuari i Barack Obamës
Petraeus ishte i besuari i Barack ObamësFotografi: picture-alliance/dpa

Sipas spekulimeve, Petraeus ka pranuar bërjen publike të lidhjes së tij jashtëmartesore që të mos jetë i detyruar prej Shtëpisë së Bardhë të japë dëshmi të rreme në kurriz të CIA-s. Të tjerë e quajnë marrëzi këtë spekulim. Dorëheqja për shkak të skandalit seksual synon t'i japë mundësinë Petraeusit të refuzojë dëshminë lidhur me të tjera afera.

Senatori republikan Lindsey Graham nga komisioni për ushtrinë tha për kanalin CBS, se për momentin nuk sheh ndonjë lidhje mes dorëheqjes së Petraeusit dhe seancave dëgjimore. Por shtoi: "Në Bengazi u vranë katër amerikanë dhe ajo që i parapriu vrasjes ishte një dështim i sigurisë kombëtare. Nuk e di se si mund të mësojmë se çfarë ka ngjarë përpara, gjatë dhe pas sulmit terrorist, pa dëshminë e gjeneral Petraeusit."