1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Donbas në rrugën e "konfliktit të ngrirë"

Ingo Mannteufel27 Shkurt 2015

Marrëveshja Minsku II nuk do të zgjidhë konfliktin në lindje të Ukrainës. Por do ta ngrijë atë. BE dhe Perëndimi duhet të gjejnë tani përgjigje adekuate, mendon Ingo Mannteufel.

https://p.dw.com/p/1EiiL
Symbolbild - Gefechte in der Ukraine
Konflikt drejt ngrirjesFotografi: Getty Images/AFP/A. Boiko

Ngadalë dhe skeptike, por edhe Ukraina ka filluar që sipas marrëveshjes së Minskut të tërheqë armatimet e rënda nga linja e frontit. Por edhe sikur të mbante armëpushimi i brishtë në Donbas, për një përfundim të konfliktit të armatosur në Ukrainë nuk mund të bëhet fjalë. Kjo sepse nuk bëhet fjalë vetëm për Ukrainën. Shumë më shumë bëhet fjalë për përplasjet mes Rusisë së Putinit dhe BE, si dhe parimet e rendit në Evropë.

Ky është një fakt i hidhur: ideja e bukur e një shtëpie të përbashkët evropiane me Rusinë, ka dështuar tani për tani. Disponimi antievropian është futur thellë në shumë pjesë të shoqërisë ruse, përmes gjysmë të vërtetave, gënjeshtrave dhe teorive të komplotit, të përhapura nga propaganda e Kremlinit. Pavarësisht nëse Evropa dëshiron ta kuptojë: Evropa është e përçarë dhe ky hendek nuk do të mbyllet aq shpejt, as me marrëveshjet e Minskut.

Armëpushim me kushte të Putinit

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës Hollande kanë mundur të arrijnë në Minsk një marrëveshje për armëpushim. Por çmimi për përfundimin e gjakderdhjes ka qenë i lartë. Si kundërshpërblim, Putini e ka marrë prej Merkelit, Hollande dhe Poroshenkos atë që ka dashur prej fillimit të krizës: të drejtën e fjalës për të ardhmen politike të Ukrainës, një njohje të interesave ruse në hapësirën post-sovjetike.

Marrëveshja e Minskut e obligon Kievin që të bëj reforma kushtetuese dhe t'u jep rajoneve më shumë autonomi. Ajo që në letër duket si një zgjidhje e drejtë dhe e duhur, në të vërtetë në lindje të Ukrainës do të krijojë rajone besnike ndaj Moskës. Në rajonet seperatiste duhet të zhvillohen zgjedhje të lira, por kur merren parasysh lëvivjet e shumta të refugjatëve dhe mosbesimi i thelluar, zgjedhjet e tilla janë vështirë të paramendohen. Edhe pseudo-refenrendumet e vitit të kaluar kanë treguar se cili është kuptimi i tyre demokratik.

Deutsche Welle Russische Redaktion Ingo Mannteufel
Ingo MannteufelFotografi: DW

Edhe sikur armëpushimi të mbajë në Donbas, çështja kontestuese e radhës mes palëve në konflikt do të jenë zgjedhjet. Nëse vazhdon gjendja e tillë, në Donbas do të kemi një konflikt të ngrirë. Për politikën ruse ky do të ishte një terren i njohur. Përmes strukturave të besueshme, ajo do të arrijë mbrotjen e interesave të Rusisë.

Momenti i të vërtetës për Evropën dhe Rusinë

Kur i shikon me vëmendje, marrëveshjet e Minskut janë një fitore strategjike e Putinit. Por Minsku II është edhe një fitore taktike e tij. Së pari, marrëveshja parandalon debatet anglo-amerikane për dërgimin e armëve në Ukrainë - të paktën për momentin. Dhe e dyta, Minsku II do të nxitë edhe më shumë disa pjesë të Evropës që janë kundër sanksioneve ndaj Rusisë.

Megjitthatë, edhe nëse armëpushimi qëndron, Perëndimi nuk duhet të sillet si në konfliktin ruso-gjeorgjian. Heqja e sanksioneve do të ishte tepër e hershme. Mundësia që luftimet në Ukrainë të rindizen në pranverë nuk mund të përjashtohet kurrsesi. Ministrat e Jashtëm të Francës dhe Gjermanisë, kanë paralajmëruar nga mundësia e sulmeve të forcave separatiste ruse të mbështetura nga Rusia, në qytetin liman Mariupol.

Rusia në rrugën drejt krizës

Për më shumë, fundin e gjakderdhjes në Donbas BE-ja duhet ta shfrytëzojë që më në fund të hartojë një strategji të përgjithshme për raportet me Rusinë e Putinit. Përkundër propagandës ruse dhe disa vlerësimeve në Perëndim, Rusia nuk është në rrugën e kthimit të perandorisë ruse si një fuqi botërore. Politika e jashtme ruse po bën hapa agresivë dhe konfrontues. Kremlini nuk është i interesuar për ekspansion, por për ruajtjen dhe forcimin e status quo-së.

Modernizimi i ndërprerë nga Putini po e çon Rusinë drejt krizës ekonomike, sociale dhe politike. Kjo do të shtojë edhe më shumë pallogaritshmërinë e politikës së jashtme ruse. Për "epokën e trazirave" të filluar në kontinentin euroaziatik, Perëndimi duhet të gjejë një përgjigje të menduar mirë, nëse nuk do që ngjarjet ta tërheqin nga pas.