Doktoraturat në Gjermani
8 Shtator 2010Promovimi për titullin doktor kërkon një diplomë të mirë universitare. Por ndryshe është në mjekësi: këtu dizertacioni me shkrim dhe provimi me gojë, mund të bëhet edhe gjatë studimit. Gjithsesi mjekët e ardhshëm mund ta shfrytëzojnë titullin e tyre vetëm pas përfundimit të studimeve.
Për lejimin e doktoraturës vendos komisioni përgjegjës për doktoraturat në unviersitetin përkatës. Konkuruesit nga shtete të tjera duhet të informohen me kohë lidhur me njohjen e diplomës së tyre universitare dhe të parashtrojnë me kohë kërkesën. Po ashtu edhe të diplomuarit në shkollat profesionale, të cilët kërkojnë të marrin titullin „doktor“, sepse diplomimi në një shkollë profesionale në të shumtën e rasteve nuk të jep mundësi të mbrosh doktoraturën.
Mbështetja nga udhëheqësi i temës
Në shumë lëndë për përfundimin e punimit të doktoraturës duhen shpeshherë vite. Secili doktorant është personalisht nën kujdesjen e një profesori, që nga gjetja e temës, shoqërimi në hulumtimet shkencore e deri në provim.
Shpesh doktoratura është parakusht për një karrierë në fusha shkencore. Në shkencat shoqërore për shëmbull dizertacioni shpesh ka lidhje me mësimdhënien në lëndën përkatëse.
Gjithnjë e më shumë studentë përpiqen që të regjistrohen në një kolegj pasuniversitar, ose në një shkollë pasuniversitare. Ato ofrojnë alternativa me mbikëqyrje nga udhëheqësi i temës dhe sjellin rezultate më efikase.
Mbështetja në kolegjin pasuniversitar
Kolegjet pasuniversitare ofrojnë një mbështetje të veçantë për doktorantët. Këto kolegje janë organe të përkohshme të universiteteve për promovimin e shkencëtarëve të rinj të diplomuar. Ata mbështeten dhe financohen nga Fondacioni Gjerman për Hulumtime (DFG). Kolegjet pasuniversitare përqëndrohen në një temë ndërdisiplinore dhe plotësojnë sistemin tradicional të këshillimit individual të doktorantëve. Këtu doktorantët mund ta bëjnë punimin e doktoraturës brenda një grupi shkencëtarësh. Zgjedhjen e bursistëve e bën secili kolegj vetë. Kolegji në esencë përbëhet nga 10 deri 15 mësues të shkollave të larta dhe deri nga 30 studentë, 12 deri në 15 prej tyre bursistë të kolegjit. Të tjerët financohen nëpërmjet bursave të ndryshme.
Shkollimi pasuniversitar
Në disa universitete, sidomos në të ashtuquajturat „Universitete elitare“, ka programe doktorature të konceptuara enkas për „Shkolla pasuniversitare“ të ngritura në to. Atje shkencëtarët e rinj përfundojnë doktoraturën brenda tre vjetësh. Njësoj sikurse edhe kolegjet pasuniversitare edhe shkollat pasuniveristare kanë drejtim ndërdisiplinor dhe doktorantët mbështeten intensivisht nga drejtuesit e temës. Ndryshe nga kolegjet e pasuniversitare, shkollat pasuniversitare janë institucione të përhershme të universiteteve. Për shkencëtarët ndërkombëtarë është veçanërisht interesante, sepse oferta e mësimit është kryesisht në anglisht dhe rreth një e treta e bursave të plota është për shkencëtarët e rinj.
Akademikë dhe profesorë të rinj
Atij që do të arrijë të marrë titullin profesor, i duhet edhe procedura për marrjen e titullit: provimi i shkollës së lartë i nivelit më të lartë në Gjermani. Ai gjithsesi nuk është titull akademik, por shërben që në kuadër të një provimi akademik të konstatojë "aftësitë mësimdhënëse" në një lëndë të caktuar shkencore. Kandidati duhet që të përfundojë një projekt të madh hulumtues. Ai mund të japë mësim si profesor, apo profesoreshë, nëse emërohet në ndonjë universitet pas marrjes së titulli profesor.
Për të mbështetur shkencëtarët e rinj që të bëjnë një doktoraturë sa më të mirë dhe për t'i njohur ato me kohë me proceset mësimore të universiteteve, është krijuar e ashtuquajtura „profesura për të rinjtë“. Me këtë shkencëtarët e rinj mund të ligjërojnë të pavarur në shkolla të larta edhe pa bërë provimet për marrjen e titullit. „Profesorët e rinj“ emërohen si të tille tre deri në katër vjet dhe ndërkohë mund të kualifikohen për profesionin e profesorit për gjithë jetën.
Autorin: Claudia Unseld / Ajete Beqiraj
Redaktion: Angjelina Verbica