1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ditë zie në Berlin

Kay-Alexander Scholz25 Mars 2015

Pas rrëzimit të avionit qeveria gjermane ka reaguar me shpejtësi. Një ditë pas fatkeqësisë në qendër ishte pikëllimi e dhimbja. Lidhur me shkakun e aksidentit nuk ka akoma deklarata.

https://p.dw.com/p/1ExZt
Ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Rrëzimi i avionit A320 në jug të Francës përcakton agjendën politike në Berlin. Që dje në ditën e fatkeqesisë Angela Merkel anulloi për dy ditë të gjitha takimet. Të mërkurën ajo u informua në mbledhjen e kabinetit nga ministrat Alexander Dobrindt dhe Frank-Walter Steinmeier për situatën në vendin e ngjarjes. Mbledhja filloi me një minutë heshtje.

Ministri i Transportit dhe ministri i Jashtëm kishin qenë që dje në vendin e fatkeqësisë. Kancelarja gjermane u nis për atje menjëherë pas mbledhjes së kabinetit. Avioni i saj bëri një ndalesë në Düsseldorf, ku mori me vete kryeministren e landit Nordrhein-Westfalen, Hannelore Kraft.

Me një minutë heshtje filloi edhe një konferencë për shtyp me ministrin e Punëve të Brendshme në ndërtesën e Konferencës Federale të Shtypit në Berlin. Thomas de Maiziere tha se është "thellësisht i tronditur". Ministria e tij, të gjithë punonjësit janë me mendje të familjet, prindërit, miqtë, tek të gjithë ata, që tani pyesin veten se si një gjë e tillë mundi të ndodhë dhe luftojnë me humbjen". Për shkak të fatkeqësisë ai urdhëroi që që nga dita e sotme flamuri të ulet në gjysmë shtizë në të gjitha institucionet federale.

Merkel dhe Hollande në Seyne les Alpes në Francë
Merkel dhe Hollande në Seyne les Alpes të FrancësFotografi: Getty Images/P. Macdiarmid

Deri tani nuk ka prova për ndonjë akt terrorist

Spekulimet dhe hamendjet në lidhje me shkakun e aksidentit duhet të evitohen, tha De Maiziere më tej. Për shkak të viktimave dhe të afërmve të tyre kjo është një "kërkesë urgjente". Aktualisht nuk ka "prova të besueshme që rrëzimi të jetë shkaktuar qëllimisht nga një palë e tretë". Natyrisht që do të zhvillohen hetime "në të gjitha drejtimet me shumë vendosmëri", informoi ministri i Brendshëm.

Pasdite heret mbërriti në Berlin Presidenti gjerman. Për shkak të aksidentit Joachim Gauck anuloi të martën vizitën e tij zyrtare në Amerikën e Jugut, gjë që është shumë e pazakontë.

Rrëzimi i ka prekur të gjithë

Mediat e vjetra dhe të reja në Gjermani njofuan mbi aksidentin me edicione speciale lajmesh dhe transmetime të drejtpërdrejta nga Franca. Shoqata Gjermane e Gazetarëve (DJV) kërkoi "respekt për vuajtjet e familjarëve. "Kodi i mediave e ndalon që të shqetësohen familjarët", tha kryetari i DJV, Michael Konken.

Në twitter dhe facebook ka pasur mijëra ngushëllime. Shumë qytatarë kanë shfrytëzuar edhe faqen e facebook-ut të qeverisë gjermane për të shprehur ngushëllimet. Reagimet e politikës aty edhe kritikohen por disa komente lidhur me fatkeqësinë nuk janë adekuate. Ekipi i mediave sociale pranë qeverisë përpiqet intensivisht t'u përgjigjet komenteve.

"Shkatërruar në miliona pjesë"

Ministri i Transportit Dobrindt njoftoi pasdite Komisionin parlamentar të Transportit mbi të dhënat e para nga vizita e tij në vendin e rrëzimit të avionit. Të raportosh për të është shumë e vështirë edhe një ditë më pas, tha Dobrindt, të cilit i shprehej në fytyrë fatkeqësia. Avioni është shkatërruar në miliona pjesë. Më e madhja është një pjesë anësore e gjatë sa tri dritare të avionit. Dobrindt foli për gjetjen e regjistruesit të zërave, dhe që mund të sigurojë informacion lidhur me atë, që ka ndodhur në minutat e fundit në bord.

Mirënjohje për forcat e shpëtimit

"Ne jemi të gjithë të bashkuar në pikëllim", tha ministri i jashtëm Frank-Walter Steinmeier në kuadër të një takimi me homologun e tij hollandez në Berlin. "është shumë e dhimbshme, që në mesin e viktimave janë edhe fëmijë dhe shumë të rinj." Ministri i Jashtëm , ashtu si më parë edhe ministri i Transportit dhe ministri i Brendshëm falendëroi në mënyrë të veçantë forcat e shpëtimit në terren dhe vlerësoi bashkëpunimin me autoritetet franceze.

Në Ministrinë e Jashtme mblidhen aktualisht të gjitha informacionet. Për familjarët është hapur një linje telefonike me numrin ++ 49-30-5000-3000.

Seanca e Bundestagut të enjten do të fillojë me një fjalim të shkurtër nga kryetari i parlamentit Norbert Lammert dhe një minutë heshtje në vijim.