1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Desar Sulejmani

27 Janar 2012

I bie bukur pianos, dirigjon me pasion, përpunon këngë popullore, organizon koncerte dhe ka pamjen tërheqëse, të qeshur, gazmore, që i duhet suksesit. Desar Sulejmani ka bërë emër në Gjermani dhe në trojet shqiptare.

https://p.dw.com/p/13s45
Në foto, Desar Sulejmani
Në foto, Desar SulejmaniFotografi: Desar Sulejmani

Kur e takoj për Deutsche Wellen pas koncertit në hollin e sallës së koncerteve Robert Schumann në Düsseldorf, ai duket i emocionuar, por plot gëzim dhe me një energji të pashtershme, e cila është ngjitëse, reflektohet dhe kaplon edhe të tjerët. Fytyra e tij është e hapur dhe e qeshur, shtrëngimi i dorës i përzemërt. Plot motivacion. Kjo është në natyrën e tij, por pas koncertit edhe më tepër.Çmimi më i madh për mua si artist është gjithmonë publiku, duartrokitjet e tij, emocionet e mrekullueshme, që përjetoj përherë pas çdo koncerti, takimet me njerëz të njohur dhe të panjohur po pas koncerteve, fjalët e tyre, përjetimet personale te tyre nga muzika, që unë transmetoj përherë. Ky për mua është çmimi më i madh, që një artist mund të marrë në jetën e tij“, buron nga Desari. Perveçse nga publiku ai është vlerësuar disa herë me çmime edhe nga juritë.

Dirigent Desar Sulejmani aus Albanien
Fotografi: Desar Sulejmani

Zhanri i preferuar muzika klasike

Prej vitesh Desari është shumë aktiv në skenë, me organizime koncertale nga më të ndryshmet, qoftë si pianist, apo si dirigjent, kryesisht në koncerte me muzikë klasike: „Që kur kam filluar të kuptoj dhe të dëgjoj muzikë, jam përfshirë në rrjedhën e pafundme të muzikes klasike“, tregon ai. „Eshtë ky zhanër, me të cilin unë tashmë kam shumicën absolute të aktiviteteve të mia artistike. Por kam qenë gjithmonë i hapur për projekte muzikore edhe jashtë kornizave të muzikës klasike. Gjatë viteve të qëndrimit në Gjermani, kam patur të bëj me muzikantë shumë të talentuar të muzikes jazz, musical dhe pop. Projektet, që unë kam zhvilluar me këto muzikantë të shkëlqyer, e kanë zgjeruar mjaft interesimin tim mbi zhanret e tjera të muzikës.“

"Edukatorja i thoshte mamasë, që të shkoja në shkollën e muzikës."

Talenti, dashuria për muzikën kanë qenë për të udhërrëfyesit në rrugën e tij në jetë. Ai ka fatin ta perceptojë si mision, si qëllim të jetës së tij të marrurit me art, me muzikë.

Dirigent Desar Sulejmani aus Albanien
Fotografi: Desar Sulejmani

Prindërit e tij kishin vënë re se ai që në moshë parashkollore interesohej për muzikën. Desari kujton se ashtu 2-3 vjeçar, kur dëgjonte muzikë në televizor, apo radio, gjithmonë linte çdo gjë tjetër, që mund te kishte në dorë dhe dëgjonte tepër i vëmendshem. „Edukatorja ime në kopshtin “Tom Alimhilli” në qytetin e lindjes Shkodër i thoshte gjithmonë mamasë sime, që unë duhej të shkoja patjetër në shkollë të muzikës. Edhe kështu ndodhi më pas“, tregon ai.

Ai shkoi në shkollën e muzikës "Preng Jakova", e më vonë në liceun "Jodan Misja" dhe në akademinë e Arteve në Tiranë. Ai ka patur fatin të ketë pedagogë shumë të mirë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Evropë. Me disa, të cilët kanë qenë mësuesit e tij, ai më vonë edhe ka bashkëpunuar. Ndër bashkëpunimet më të spikatura të deritanishme ai mund të veçojë eksperiencat e mrekullueshme me ikonën e pedagogjisë pianistike Prof. Peter Feuchtwanger, dirigjentin londinez Sir Roger Norrington, apo me ish profesorin e tij të muzikes se dhomës, violinistin Andreas Reiner. Për të arritur deri këtu Desarit i është dashur punë, disiplinë, përkushtim dhe moskompromis me mediokritetin artistik.

Interesimi për këngën shkodrane

Këngët e ëmbla, melodioze të Shkodrës, janë muzika e parë, që ai ka dëgjuar, prandaj ato e shoqërojnë dhe e ngazëllejnë edhe sot. Në kuadrin e javës së kulturës shqiptare në maj 2009 ai i solli publikut në Düsseldorf një koncert me këngë dhe muzikë instrumentale nga Shkodra.

Der albanische Dirigent Desar Sulejmani dirigiert die Heinrich Heine Symphoniker im Robert Saal in Düsseldorf, Juli 2011. Copyright: Desar Sulejmani
Dirigent Desar Sulejmani aus AlbanienFotografi: Desar Sulejmani

„Në rastin tim, interesi për këngën shkodrane gjendet në genet e mia, si të thuash ka lindur me mua. Si djalë shkodran, siç jam, dhe që njëkohesisht ndihem me shumë krenari, kam patur gjithmonë dëshirë të hulumtoja, të dëgjoja, të këndoja dhe së fundmi edhe të përpunoja muzikën popullore shkodrane, këngët qytetare dhe meloditë e mrekullueshme të kësaj perle të kulturës shqiptare. Pasuria artistike e këngës shkodrane, gjenialiteti i krijuesit popullor, si dhe pafundësia e melosit shkodran, janë disa nga arsyet pse interesi im për këngën shkodrane ka qenë, është dhe do të jetë për mua i madh", shpjegon artisti.

Arie të operës të kompozitorit shkodran Preng Jakova, Mrika, të cilën Desari e ka për zemër, ka shfaqur së fundi në Kosovë së bashku me kolegen e tij, sopranon e mirënjohur Ermonela Jaho. Desari thotë se çdo takim artistik me nje koleg të ri, apo të vjetër, plotëson gjithnjë e më shumë botën e tij artistike, përfytyrimin dhe njohjen e tij personale në familjen e madhe të artistëve.

Aktiviteti në trevat shqiptare

Një ushqim dhe shtysë të brendshme të qënies së tij ai ndjen kontaktin e vazhdueshëm me zhvillimet e fundit artistike në trevat shqiptare. Desari gjendet shpesh me veprimtari muzikore në Kosovë, Maqedoni, apo Shqipëri. Në prill të 2011 së bashku me muzikantë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia formuan Orkestrën Filharmonike Mbarëshqiptare. Ky organizim i ri në trevat shqiptare në Evropën Juglindore është shtëpia e madhe, ku do të gjejë veten çdo muzikant, çdo instrumentist, çdo kompozitor e dirigjent shqiptar, apo edhe i huaj, i cili e shikon kultivimin e mëtejshëm të muzikës shqiptare dhe të huaj në menyrën e saj më të mirë“, thotë Desari.

Si e realizon Desari organizimin e projekteve dhe të koncerteve?

Janë shumë gjëra për t'u organizuar me shumë artistë, që marrin pjesë. Megjithëse ndihmësit për projekte të veçanta janë të shumtë, shumicën e punëve organizative i kryen vetë. „Jeta në Gjermani më ka mësuar të punoj me shumë largpamësi, thotë ai dhe jep shpjegimin, që mund të merret shumë mirë edhe si këshillë: “Planet dhe projektet e mia artistike janë në kohë të avancuara nga e tashmja. Atë, që unë bëj tani, e kam planifikuar dhe përfunduar qoftë financiarisht, apo dhe nga pikëpamja organizative kohë më parë. Mendoj që kjo menyrë e organizimit të punës me parashikime afatgjata e ka rezultuar shumë produktive.“

Dirigent Desar Sulejmani aus Albanien
Fotografi: Desar Sulejmani

I përkedhelur nga fati?

Aty, ku kaq shumë gjëra në angazhimin profesional shkojnë në rregull, edhe fati personal nuk ngelet prapa.“Të pasurit e një djali si Amelio im, të përjetuarit çdo ditë i ndjenjës prindërore ndaj tij së bashku me Jessicen, shoqen time të jetës, përbën për mua një përkëdhelje të pafund të fatit ndaj Desarit.”, thotë ai dhe shton: “Dua gjithashtu të theksoj faktin e të jetuarit dhe mundësisë për të punuar në Gjermani, gjë që unë e shikoj si një favor të madh në jetën time.“

Autor: Angjelina Verbica

Redaktoi:Esat Ahmeti