1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropës i duhen instrumenta ligjorë për kontrol të emigrimit

Ani Ruci22 Maj 2015

Dieter Romann, Drejtor i Policisë Federale të Gjermanisë intervistë ekskluzive për DW: Në Shqipëri nuk ka përndjekje politike, Gjermania do t'i kthejë mprapsht azilkërkuesit.

https://p.dw.com/p/1FVGX
Dieter Romann
Fotografi: BMI/dapd

DW: Z. Romann, cili është qëllimi i vizitës tuaj në Tiranë?

Dieter Romann: Do të zhvilloj bisedime me Ministrin e Brendshëm dhe drejtues të Policisë së Shtetit Shqiptar lidhur me rritjen e madhe të kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë. Në këta katër muajt e fundit ne kemi pasur pothuajse 25.000 shqiptarë, të cilët kanë ardhur në Gjermani për të aplikuar azil.

DW: Marrëdhëniet gjermano-shqiptare janë të ngushta dhe karakterizohen nga fryma e bashkëpunimit dhe partneritetit. Si reflektohet kjo në bashkëpunimin mes Policisë Federale të Gjermanisë që ju drejtoni dhe Policisë së Shtetit Shqiptar?

Dieter Romann: Mund ta konfirmoj bashkëpunimin e ngushtë dhe të besueshëm, veҫanërisht bashkëpunimin e besueshëm gjatë disa dekadave të Policisë Kufitare Shqiptare me Policinë Federale. Ne zhvillojmë rregullisht seminare trajnimi në Shqipëri dhe ofrojmë ndihma në pajisje. Bashkëpunimi është shumë i ngushtë dhe i besueshëm.

DW: Z. Romann, ju sapo thatë që numri i qytetarëve nga Shqipëria që kërkojnë azil në Gjermani është rritur shumë. Ndërkohë Gjermania mbetet destinacioni i azilkërkuesve edhe nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Cila është strategjia e Policisë Federale të Gjermanisë për të kundërvepruar ndaj këtij fenomeni? Cili është çelësi për të fituar sfidën e azilkërkuesve të paligjshëm nga Ballkani Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, ku ju ndodheni sot për të zhvilluar bisedime për këtë qëllim?

Dieter Romann: Për ta bërë të qartë: Policia Federale nuk është një zyrë përgjegjëse për azilin, e cila mund të marrë vendim për kërkesat për azil. Ajo lufton kalimin e paligjshëm të kufirit dhe krimin e trafikimit të emigrantëve. Në këtë kontekst, strategjia paraprake e Policisë Federale ka një rëndësi të veҫantë. Kjo konsiston në parandalimin e kalimeve të paligjshme të kufirit për në territorin federal që në shtetin e origjinës ose në shtetin tranzit. Kjo vlen veҫanërisht për personat, të cilët vijnë nga vendet e sigurta të origjinës, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Masat që kanë ndërmarrë autoritetet shqiptare, në dijeninë time, shkojnë në drejtimin e duhur dhe për këtë unë i falenderoj. Pothuajse gjysma e të gjithë kërkesave për azil në Gjermani vijnë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe bllokojnë kështu sistemin tonë të azilit. Dhe kjo, edhe pse kuota e njohjes së azilit, duke ju referuar përsëri Shqipërisë, është në nivelin e ulët prej një përqind. Prandaj udhëtimi për në Gjermani është i pakuptimtë dhe kjo ndodh në kushtet e abuzimit me privilegjin e lëvizjes pa viza.

DW: Ҫ'mesazh mund t'u jepet qytetarёve nga Shqipёria qё synojnё rrugёn e migrimit pёr tё aplikuar pёr azil nё Gjermani?

Dieter Romann: Nuk ka kuptim, nuk është e arsyeshme të shesin shtëpitë dhe bagëtitë dhe të marrin rrugën për në Gjermani apo Evropë, sepse në Shqipëri nuk ka përndjekjeje politike. Prandaj shqiptarët nuk mund të përfitojnë azil në Gjermani. Për këtë arsye procedurat e shqyrtimit të azilit në Gjermani do të shkurtohen dhe të gjithë do të kthehen mbrapsht në Shqipëri. Dhe atëherë ata do të jenë përsëri këtu dhe pa para. Unë i njoh shqiptaret e Shqipërisë për patriotë dhe nuk mund ta kuptoj, që patriotët të lenë vendin e tyre.

DW: Ndërkohë, trafikimi i paligjshëm i emigrantëve po kthehet në një nga sektorët më fitimprurës të rrjeteve të krimit të organizuar në Ballkan. Cilat janë fushat e bashkëpunimit mes Policisë Federale të Gjermanisë dhe Policisë së Shtetit Shqiptar për të luftuar këtë biznes të ri kriminal të krimit të organizuar ballkanik?

Dieter Romann: Policia Federale ka arrestuar vitin e fundit në Gjermani pothuajse mbi 1500 trafikantë. Një luftë e suksesshme ndaj krimit ҫnjerëzor të trafikimit të emigrantëve mund të realizohet vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi ndërkombëtar. Shqipëria dhe institucionet shqiptare të policisë janë në këtë mision një partner shumë vendimtar. Krimi i trafikimit të emigrantëve i trajton njerëzit si të ishin një mall dhe ajo ҫka u intereson këtyre trafikantëve është vetëm të përfitojnë të ardhura. Dhe është fatkeqësi që shtetasit shqiptarë të bien pré e trafikantëve dhe të mashtrohen për kërkesat e vërteta në Gjermani.

DW: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga autoritetet përkatëse të Shqipërisë për ndalimin e ardhjes në Gjermani të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë azil?

Dieter Romann: Autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë tashmë masat e duhura, për ҫka ne u jemi shumë mirënjohës. Veҫanërisht Policia Kufitare Shqiptare bën këtu një punë të shkëlqyer. Institucionet shqiptare dhe gjermane të sigurisë kanë interes të përbashkët, të kufizojnë emigrimin rural të pashpresë të shtetasve shqiptarë. Bashkëpunimi në këtë fushë është i shkëlqyer dhe vlen të zhvillohet kështu edhe më tej.

DW: Çfarë mendoni z. Romann lidhur me regjimin e tanishëm europian të azilit? A po funksionon mirё apo ka nevojë për përmirësim dhe reformim?

Dieter Roman: Mund të debatohet rreth kësaj ҫështjeje, nëse Europa – dhe veҫanërisht Gjermania – kanë nevojë për më shumë ose më pak imigrim dhe rreth ҫështjes se për ҫfarë lloj imigrimi. Nuk ka rëndësi se për cilin nga opsionet vendoset, të trija variantet – më shumë, më pak ose cili – parakuptojnë një drejtim, një kontroll të emigrimit për në Evropë dhe Gjermani dhe ky drejtim mungon ende. Evropa ka nevojë për instrumenta ligjorë, të cilët mundësojnë një drejtim, një kontroll të emigrimit.