1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferencë ekonomike gjermano-shqiptare në Essen të Gjermanisë

Mimoza Kelmendi26 Nëntor 2013

U zgjodh qyteti i Essenit, sepse landi NRW, duke qenë se është një land shumë i fuqishëm në Gjermani në të gjitha drejtimet, nuk ka pasur asnjëherë fatin që të njihet me Shqipërinë.

https://p.dw.com/p/1AOh6
Fotografi: DW/Aida Cama

Konferenca zhvillohet nga Shoqata gjermano-shqiptare për Integrim, IDEAL, në bashkëpunim të ngushtë me Dhomën e Tregtisë së landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë, (NRW). Mbi 130 pjesëmarrës pritet të marrin pjesë në këtë aktivitet, i pari i këti lloji në këtë land. Në fokus të këtij takimi janë temat e bashkëpunimit të veçantë në sektorë si energjia, industria minerale, turizmi, agrobiznesi, industria përpunuese, tregtia etj. I pranishëm do të jetë edhe kryebashkiaku i Essenit, Rudolf Jelinek, zevëndësministrja për Ekonomi, Zhvillim dhe Tregti e Shqipërisë, Brunilda Paskali, si dhe përfaqësues të firmave më të mëdha gjermane dhe ato shqiptare. Sipas kryetares së Shoqatës gjermano shqiptare për integrim, IDEAL, Anduena Stefan, qëllimi është vendosja e bashkëpunimit ekonomik gjermano-shqiptar në mënyrë institucionale. „Duke pasur parasysh zhvillimet ekonomike, që kanë qenë spontane, sporadike, ose investime të shkëputura deri tani mes dy vendeve, menduam se ka ardhur momenti që këtë bashkëpunim ta ristrukturojmë, ta vendosim në ura, të cilat janë më aftagjatë dhe të vendosim pika kontakti, që t‘u shërbejnë bizneseve të të dyja palëve. Pra ta vendosim këtë bashkëpunim në mënyrë institucionale“.

Bashkëpunim institucional ekonomik gjermano-shqiptar

U zgjodh qyteti i Essenit, sepse landi NRW, duke qenë se është një land shumë i fuqishëm në Gjermani në të gjitha drejtimet, nuk ka pasur asnjëherë fatin që të njihet me Shqipërinë më gjërësisht, me potencialin e saj që ofron nga resurset, që ka, apo me tregun shqiptaro-folës në Ballkan, duke përfshirë këtu tregun në Kosovë, Maqedoni, apo në Mal të Zi. Por zona e Ruhrit ka investitorё tё rёndёsishёm, si DEMINEX, HOCHTIEF AirPort (tani AviAlliance), DEG - Banka Gjermane e Investimeve dhe Zhvillimit, RWE, E.ON, AG – Projekti TAP, DHL, që kanë investuar dhe kontribuar nё ekonomine e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

Qyteti i Essenit
Qyteti i EssenitFotografi: AP

“Këtë bashkëpunim e kemi të fokusuar në tre dimensione. E para është shumë e rëndësishme që Shqipëria të njihet me këtë land, për shkak të potencialit të bashkëpunimit ekonomik, që ka. Të mos harrojmë që në Dhomat e Tregtisë këtu ka mbi 972 mijë biznese të regjistruara. E dyta, sepse edhe nga pala gjermane ka pasur interes për bashkëpunim me palën shqiptare, por deri tani nuk ka pasur orientim dhe duhet kanalizuar interesi nëpërmjet kontakteve të vendosura drejtpërsëdrejti. Së treti, mendoj se kemi një diasporë, që ka marrë një profil shumë të rëndësishëm, një diasporë intelektuale e përfshirë në fushat e biznesit, në të gjitha nivelet, në të gjitha fushat e jetës, që po ashtu ka mundësi të bëjë diçka.“

Institucionet gjermane mbështesin projektin shqiptar

Veronika Lühl, zevëndësdrejtore e Dhomës së Tregtisë në Essen, e përshendet këtë iniciativë të shoqatës IDEAL dhe premton mbështetje nga pala gjermane „Ne mbështesim shumë bashkëpunimin me Dhomën e Tregtisë në Tiranë, bashkëpunimin ekonomik gjermano-shqiptar duke e parë këtë konferencë si një shans lidhjeje ndërmjet bizneseve gjermano-shqiptare. Kjo është edhe arsyeja, që qysh në fillim e kemi mbështetur këtë ide, pasi do të kemi mundësinë për një bashkëpunim më konkret. Unë jam optimiste që në konferencë, ku do të jenë prezent përfaqësuesit e duhur nga Shqipëria, Kosova dhe sipëmarrësit gjermanë, do të ketë edhe projekte konkrete bilaterale.“

Sipas kryetares së shoqatës IDEAL, janë rreth 35 kompani shqiptare, që do të marrin pjesë në këtë konferencë dhe që kanë interesa bashkëpunimi me biznesin gjerman. Gjithashtu në konferencë përveç përfaqësuesve të biznesit do të ketë edhe përfaqësues nga politika shqiptare, nga ministria e Ekonimisë, Turizmit dhe ajo e Bujqësisë së Shqipërisë. Almut Schmitz, drejtore e Agjencisë ndërkombëtare për kërkime ekonomike në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë, (Geschäftsführerin NRW. International GmbH - Außenwirtschaftsfërderung für Nordrhein-Westfalen) lidhur me këtë aktivitet vlerëson për Deutsche Welle-n angazhimin e sipërmarrjeve në këtë konferencë, gjë që sipas saj tregon se tregjet janë interesante për të dyja palët.

Kryetarja e Shoqatës gjermano shqiptare për integrim, IDEAL, Anduena Stefan
Kryetarja e Shoqatës gjermano shqiptare për integrim, IDEAL, Anduena Stefan.Fotografi: DW/ Ani Ruci

„Sigurisht që ne mbështesim veçanërisht ato projekte të përbashkëta, ku sipërmarrësit nuk janë shumë të aktivizuar, pasi deri tani nuk kemi pasur projekte për Shqipërinë dhe Kosovën, por vetë fakti që shumë sipërmarrje nga ky land ushtrojnë veprimtarinë e tyre atje tregon, që kanë zbuluar një treg interesant dhe ne do t'ju japim atyre mbështetjen tonë maksimale“.

Iniciatorët janë optimistë se kjo konferencë do të kontribuojë më shumë në bashkëpunimin ekonomik gjermano-shqiptar. “Kur e nisëm këtë iniciativë, ishim optimistë vetëm me idenë, por tani në prag të zhvillimit të kësaj konference jemi optimistë edhe në realizimin e saj“, thotë Anduena Stefan.