1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhjetra mijëra demonstrojnë pro qeverisë në Shkup

Fatos Musliu19 Maj 2015

Dhjetra mijëra demonstrues në Maqedoni iu përgjigjën thirrjes së qeverisë për një manifestim solidariteti me kryeministrin Nikola Gruevski.

https://p.dw.com/p/1FRoH
Mazedonien Pro-Regierungsdemonstration in Skopje
Fotografi: Reuters/O. Teofilovski

Nën moton "Maqedonia e fuqishme!", mijëra qytetarë u mblodhën të hënën në mbrëmje (18.05) para Kuvendit Republikan, në tubimin e VMRO-DPMNE-së dhe partive të koalicionit "Për një Maqedoni më të mirë". Tre muaj e gjysmë jemi nën një sulm të ashpër, për të cilin heshtëm dhe pritëm që të kalojë. Kjo që po ndodh është diktaturë e pakicës politike dhe imponim i një psikoze të rëndë, por mjaft ishte, ka thënë lideri i VMRO-DPMNE-s Nikola Gruevski, duke shtuar se Maqednia nuk është as Gruevski e as Zaevi, por populli. "Ky popull është përgjigja më e mirë për skenaristët që menduan se do të na gjunjëzojnë, do na e shpëlajnë trurin, do na gënjejnë me xhirime të prera e të montuara, ata sot e morën përgjigjen Maqedonia nuk dorëzohet ajo është e fortë", deklaroi Gruevski

Zaev me naivitet besoi se ne do të largohemi për tri ditë kokëulur, por sot pas tre muaj e gjysmë, jemi tre - katër fish më shumë se ata shtoi kreu i VMRO-DPMNE-së. "I them se nuk do të tërhiqemi, nuk ka dorëheqje, Maqedonia është e vendosur , Maqedonia po fiton përsëri, ne po fitojmë", shtoi Gruevski.

Ai ka foli edhe për ngjarjet e Kumanovës, që sipas tij, ishin tentim për destabilizimin e Maqedonisë. Gruevski për këtë akuzoi edhe opozitën për, siç tha, tentimet e saj për nxitjen e konfliktit ndërentik, që u refuzua nga populli. “Maqedonia nuk ka kapacitet për konflikt dhe destabilizim pasi populli nuk e do këtë. Të gjitha bashkësitë etnike duan prosperitet. Kjo u dëshmua edhe gjatë sulmit terrorist në Kumanovë, ku edhe përkundër apeleve të shumta të terroristëve për ndihmë, askush nuk i mbështeti. Populli dëshmoi se nuk ishte konflikt ndërentik, por luftë mes policisë dhe një grupi klasik terrorist. Kjo, që në mënyrë qyqare dhe të mjerë po e bën Zoran Zaev do të përfundoj dhe shteti do të ecë sigurtë drejt prosperitetit“, deklaroi Gruevski.

Mazedonien Pro-Regierungsdemonstration in Skopje
Kryeministri Nikola GruevskiFotografi: Getty Images/AFP/R. Atanasovski

Kryeministri foli edhe për çështjen emrit duke thënë se asnjëherë nuk do të pranojë ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, pavarësisht se në bisedat e publikuara të opozitës ai dëgjohet duke biseduar me zyrtarët e partisë së tij për kompromise të ndryshme për arritjen e një zgjidhjeje me Greqinë.

Manifestimi pro qeverisë u zhvillua si kundërpërgjigje ndaj demonstratës së madhe një ditë më parë (17.05) organizuar nga opozita me kërkesën për dorëheqjen e Gruevskit. Ndërkohë qindra demonstrues vazhdojnë të qendrojnë me çadra para selisë qeveritare duke këmbëngulur, se nuk do të largohen nga sheshi derisa qeveri atë japë dorëheqjen. Gruevski, i cili është kryeministër qysh nga viti 2006 u rigzjodh në prill 2014 në post. Opozita e akuzon atë për manipulim të zgjedhjeve dhe për një stil autoritar qeverisjeje. Përveç kësaj opozita e akuzon qeverinë edhe për korrupsion dhe përgjime ilegale ndaj 20.000 qytetarëve. Për shkak të aferës së përgjimeve të martën (12.05) dhanë dorëheqjen dy ministra dhe shefi i shëbrimit sekret.

Ndërkohë politikanët drejtues të pozitës dhe të opozitës nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje në bsiedimet për krizën e politikës së brendëshme. Bisedimet zhvillohen me ndërmjetësimin e SHBA-së dhe të BE-së me dyer të mbyllura në Shkup. Kryeministri Nikola Gruevski dhe kreu i opozitës Zoran Zaev, sipas të dhënave të tyre, do t'i vazhdojnë bisedimet të martën (19.05) në Strazburg.