1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deutschzentrum Tirana promovon gjermanishten në Shqipëri

Arben Muka/ Tiranë4 Shkurt 2009
https://p.dw.com/p/GmzW
Tabela hyrëse e Qendrës së Gjermanishtes në Tiranë
Tabela hyrëse e Qendrës së Gjermanishtes në TiranëFotografi: DW/ Arben Muka

Deutschzentrum, ose Qendra e Gjermanishtes, është vendosur në një godinë në qendër të Tiranës. Ajo e ka përqëndruar aktivitetin e saj prej 8 viteve në dy sezone mësimore për çdo vit dhe në dhënien e provimeve të gjuhës. Janë rreth 500 të rregjistruar që ndjekin kurset për çdo vit. Ata që afrohen janë kryesisht të rinj, nxënës dhe studentë, por edhe në moshë madhore me profesione nga më të ndryshmet.

Jonida Gjuzi, pedagoge në Departamentin e Gjuhës Gjermane në Universitetin e Tiranës, ka rreth 1 vit e gjysëm që jep mësim në këtë Qendër. Ajo tregon për DW-në se mes të interesuarve ka dhe nga ata që duan nivelin e avancuar, pasi dëshirojnë të ndjekin më pas shkollën e mesme ose studimet e larta në Gjermani.

"Ka dhe në moshë të rritur që kërkojnë ta mësojnë gjuhën gjermane për arsye pune, ose sepse do të jetojnë më vonë në Gjermani, siç është rasti i bashkimeve familjare", thotë Jonida.

Studentë të Deutschzentrum Tirana
Studentë të Deutschzentrum TiranaFotografi: DW/ Arben Muka

Erindi ka mbaruar fakultetin Juridik në Tiranë. Gjermanishten e ka nisur që në moshë të vogël. Gjithashtu e ka ndihmuar në këtë drejtim dhe qëndrimi katër vjeçar në Zvicër. Por pas një periudhe shkëputjeje me gjuhën ai ndjen nevojën për kursin intensiv për konsolidimin e njohurive.

"Objektivi im më i afërt është një specializim pasuniversitar në Gjermani. Ndaj dhe jam këtu", thotë ai. Ndërkohë që shoku i tij i kursit, Moxarti, gjimnazist, shpjegon se "arësyeja që ka filluar kursin e avancuar në Qëndër është se mësimi bëhet me profesor gjerman. Kjo është garanci për nivelin e dijeve dhe vlerësimin real që do të marr në fund te shkurtit".

Promovimi i gjuhës gjermane sipas standarteve të Institutit Gëte

Qendra e Gjermanishtes në Tiranë ka nisur nga puna në vitin 2001, me iniciativën e Ambasadës Gjermane në Tiranë dhe me mbështetjen financiare të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore. Nga korriku i vitit 2005, Qendra e Gjermanishtes është pjesë e shoqatës kulturore gjermano-shqiptare "Robert Schvarc". Ajo ka për qëllim të përfaqësojë aktivitetin e Institutit Gëte në Shqipëri, për promovimin e gjuhës gjermane, nëpërmjet kurseve dhe provimeve, të cilat në çdo vit mbikqyren drejtëpërdrejt nga ky Institut. Por dhe të japë informacion për Gjermaninë në tërësi, për kualifikimin e mësuesve të kësaj gjuhe etj.

Ambjente pune të Deutschzentrum Tirana
Ambjente pune të Deutschzentrum TiranaFotografi: DW/ Arben Muka

Alketa Kuka, drejtuese e administratës, duke iu kthyer fillimeve të punës në Qendër, konstaton me kënaqësi se bërthama e ekipit të mësuesve është e qëndrueshme dhe mjaft cilësore për të përballuar objektivat në të gjitha nivelet e mësimit të gjermanishtes.

"Me rritjen e numrit të studentëve janë rekrutuar dhe të rinj, të cilët vijnë kryesisht nga universitetet publike e private, por dhe nga shkollat e mesme. Aktualisht janë 23 mësues, të cilët u nënshtrohen trajnimeve sistematike të ofruara nga Instituti Gëte. Por në programin mësimor ka dhe organizim të seancave bisedore me të ftuar, të cilët gjuhën gjermane e kanë gjuhën e nënës", thotë ajo.

Përpjekje për të dalë edhe jashtë Tiranës

Dr. Jërg Kuglin, Deutschzentrum Tirana
Dr. Jërg Kuglin, Deutschzentrum TiranaFotografi: DW/ Arben Muka

Dr. Jërg Kuglin, drejtori i Deutschzentrum Tirana nxjerr në pah një bashkëpunim shumë intensiv që Qendra ka dhe me institucione të tjera të kësaj fushe. P.sh., me Shërbimin e Shkëmbimit Akademik Gjerman, DAAD, me Zyrën Qendrore për Arsimin jashtë Gjermanisë, Fondacionin Robert Bosh etj.

"Them se duhet të jemi të kënaqur me intersimin ndaj gjuhës gjermane, jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethe të tjera. P.sh. kemi patur kurse të tilla në Shkodër, në Elbasan, në Korçë e në Durrës. Pak ditë më parë ishim në Fier, ku kemi biseduar për t'i zhvilluar kurset dhe atje. Ka interesim nga vete këto zona që ne të jemi prezentë dhe kjo është mjaft pozitive", thotë Kuglin.

Gjithashtu prej rreth gjashtë muajsh ka dhe të interesuar nga Kosova, të cilët siç na shpjegon drejtori, "vijnë për të dhënë provimin e gjuhës gjermane, sepse në Kosovë nuk ka degë të Institutit Goethe, nuk ka as Qendër të Gjermanishtes. Ne jemi të gatshëm të presim dhe andej të interesuar për provime a për kurse".

Fokusi rajonal i bashkëpunimit për kulturën e gjuhën gjermane

Një nga synimet e Qëndrës, ashtu si dhe për shoqatën kulturore gjermano shqiptare "Robert Shvarc", është përfshirja në programe konkrete të kooperimit jashtë kufijve. Dr. Kuglin tregon se

"me Institutin Gëte në Beograd, kemi organizuar trajnimin e multiplikatorëve nga Shqipëria e Maqedonia. Është ndërtuar një skuadër mikse me mësues shqiptarë e maqedonas, të cilët kanë realizuar vizita të ndërsjellta në vendet respektive. E njejta gjë vlen dhe për programet kulturore. Sapo kemi realizuar një uorkshop për karikaturën me pjesëmarrës nga Kosova".

Gjithashtu vitin e kaluar është zhvilluar dhe një aktivitet i posaçëm me përkthyes nga Maqedonia, Shqipëria e Kosova.