1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Departamenti Amerikan i Shtetit: Shqipëria - hapa prapa në luftën kundër trafiqeve njerëzore

Arben Muka/ Tiranë5 Qershor 2008

Sipas autoriteteve amerikane, Shqipëria ka rënë në nivelin e treguesve të vitit 2002 në luftën kundër formave më të rënda të trafiqeve njerëzore

https://p.dw.com/p/EDxg
Emblema e Stejt Departmentit të USA
Emblema e Stejt Departmentit të USAFotografi: AP GraphicsBank

Shqipëria merr një vlerësim tjetër negativ për nivelin e luftës kundër trafiqeve të qënieve njerëzore. Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për këtë cështje konkludon që Shqipëria të ketë bërë hapa prapa nisur nga të dhënat që i referohen vitit 2007.

"Shqipëria është një vend burimi për gra e vajza të trafikuara për qëllime të shfrytëzimit seksual, për përfitim dhe punë të detyruar. Vendi nuk konsiderohet më si një vend kryesor tranziti", thuhet mes të tjerave në raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, duke vazhduar se "qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standartet minimale për eleminimnin e trafikimit, megjithatë ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë".

Duke iu referuar fakteve konkrete autoritetet amerikane konstatojnë se qeveria shqiptare nuk identifikoi si duhet viktimat e trafikimit gjatë vitit të kaluar. Gjithashtu ajo nuk ka treguar se po heton apo po ndjek penalisht në mënyrë energjike zyrtarët fajtorë. "Qeveria e Shqipërisë nuk paraqiti fakte bindëse për të zbatuar me përgjegjshmëri luftën antitrafik. Vetëm në vitin 2007, ajo ndoqi penalisht 49 trafikantë të dyshuar, por dënoi vetëm 7 prej tyre”, thuhet në raport.

Departamenti i Shtetit i SHBA-ve kritikon autoritetet në Shqipëri edhe për trajtimin e viktimave të trafiqeve, kur e paraqet te dështuar në "vazhdimin konsekuent të përpjekjeve për të identifikuar, referuar, mbrojtur dhe riintegruar viktimat e trafikimit gjatë vitit të kaluar".

Në bazë të raportit gjatë viti 2007 qeveria shqiptare identifikoi vetëm 13 gra dhe shtatë fëmijë si viktima të trafikut, në kundërshtim me organizatat jo fitimprurëse që raportuan 146 viktima të trafikimit gjatë kohës së raportimit.

Ajo që ka ndikuar në mangësinë e policisë në luftën kundër trafikut janë edhe burimet e pamjaftueshme, ndikimi i korrupsionit dhe ndërrimet e shpeshta të rekrutëve të policisë për luftën kundër trafikimit. "Në qershor dhe në korrik të viti 2007 qeveria ka pushuar nga puna 20 përqind të oficerëve të policisë që kishin qenë të trajnuar, si pjesë e një përpjekjeje të gjithanshme për ristrukturimin e policisë".

Departamenti i Shtetit i SHBA-ve e ka organizuar raportin e vitit 2007 për trafiqet e qënieve njerezore në 170 vende të botës. Në bazë të vëzhgimeve Shqipëria ka rënë në nivelin e treguesve të vitit 2002 cfarë është një hap prapa e saj për të luftuar format më të rënda të trafiqeve njerëzore.