1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Delegacionet e Kosovës dhe Shqipërisë në Beograd

Bahri Cani22 Tetor 2014

Në Beograd (23.10) zhvillohet takimi i ministrave të jashtëm, të ekonomisë dhe financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në takim marrin pjesë edhe ministrat e Kosovës dhe Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/1DZzy
Serbien Straßenszene Belgrad
Fotografi: DW/I. Petrovic

Në kuadër të takimit rajonal të ministrave të jashtëm dhe të ekonomisë ndërkohë qysh nga e mërkrua (22.10)qëndron në Beograd Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj dhe ai i Ekonomisë Fadil Ismaili. Edhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, konfirmoi në intervistë për DW, se të enjten udhëton për në Beograd.

Vazhdimësi e takimit në Berlin

Ky takim zhvillohet në vazhdimësi të takimit të kryeministrave të vendeve të Evropës Juglindore, të zhvilluar në gusht në Berlin, me iniciativën e kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel.

Takimi rajonal në Beograd zhvillohet sipas modelit Gimnih, që do të thotë se para pjesëmarrësve do të jenë vetëm emrat e tyre, por jo edhe shtetet prej nga vijnë. Kjo është hera e parë që në Beograd vjen një delegacion i një niveli kaq të lartë nga Kosova në kuadër të një takimi zyrtar të shteteve të rajonit. Kjo formë prezantimi anashkalon problemet me njohjen e statusit të Kosovës, sepse pala serbe ende refuzon ta njoh pavarësinë e saj. Takimi në Beograd zhvillohet pikërisht në kushtet e një atmosfere të nxehtë, pas ndërprerjes në Beograd të ndeshjes së kombëtareve të Serbisë e Shqipërisë, një javë më parë(14.10).

Shtyrja e vizitës historike

Provokimet në stadium me flamurin e Shqipërisë së madhe, dhuna ndaj lojtarëve, tensionet politike dhe sulmet ndaj shqitparëve në disa rajone të Serbisë, çuan edhe në shtyrjen e vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që ishte planifikuar për më 22 tetor në Beograd. Vizita u cilësua si historike, pasi herë të fundit një kryeministër i Shqipërisë e ka vizituar Beogradin para 68 vjetësh. Pas një telefonate të përbashkët në fundjavën e kaluar, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe ai i Shqipërisë, Edi Radma kumtuan se vizita shtyhet për datën 10 nëntor. Pala serbe, ndër të cilët edhe presidenti Tomisllav Nikoliq dhe kryeministri Vuçiq vazhdojë ta fajësojnë palën shqiptare për "provokimin e ndërprerjes së ndeshjes Serbi - Shqipëri". Ndërsa sa i përket sulmeve ndaj pronave të shqiptarëve dhe vrasjes së një personi me thikë, Vuçiq deklaroi të mërkurën (22.10)në Beograd se "policia serbe ka arrestuar të gjithë të dyshuarit për këto sulme".

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, dikur edhe këshilltar i ish-kryeminsitrit të Serbisë dhe pjesëmarrës në shumë takime shqiptaro – serbe, Predrag Simiq, në një intervistë për Deutsche Welle-n, pohon se vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd duhet të realizohet patjetër – sa më parë. Por pas tensioneve të fundit, kjo vizitë me siguri që nuk do të sjellë rezultate spektakolare, siç është pritur nga disa qarqe.

Në rendin e ditës temat ekonomike

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq bëri të ditur se temat kryesore të kësaj konference rajonale do të jenë çëshjte të administrimit ekonomik. Bashkimin Evropian do ta përfaqësojë në këtë takim komisioneri në detyrë për zgjerimin e BE, Stefan Füle, i cili do të flasë për pespektivën evropiane të këtyre vendeve. Konferenca në Beograd pritet të zhvillohet nën masa të mëdha sigurie, për shkak të tensioneve në raportet Beograd - Tiranë dhe Beograd - Prishtinë.