1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debat në Tiranë: Si do të zgjidhet Presidenti në Shqipëri? Nga deputetët apo nga populli?

Ani Ruci / Tiranë17 Prill 2008

Debati për mënyrën e zgjedhjes dhe kopetencat e Presidentit të Republikës, në Shqipëri ka përçarë Partinë Demokratike dhe ka ndezur debatin politik të ditës.

https://p.dw.com/p/Djq2
Si do të zgjidhet Presidenti në Shqipëri, nga deputetët apo nga populli?
Si do të zgjidhet Presidenti në Shqipëri, nga deputetët apo nga populli?Fotografi: picture-alliance / dpa

Kreu i PD-sëdhe njëherazi kryeministri Sali Berisha ka propozuar ndryshimet kushtetuese përkatëse, por ai nuk po gjen mbështetjen e gjithë deputetëve të tij, pa të cilën nuk mund t´i miratojë ato, përsa kohë ka një opozitë që voton kundër.

Një pjesë e atyre që i kundërshtojnë ndryshimet i quan ato të përcaktuara në mënyre jo transparente, një pjesë tjetër janë dakort që Kushtetuta të ndryshojë vetëm nëse vendoset që zgjedhja e presidentit të bëhet me referendum popullor.

Debati politik mes vetë deputetëve demokratë është përqëndruar në disa formula: zgjedhja e Presidentit me një shumicë të thjeshtë, pra me 71 vota ose 50% të anëtarëve të parlamentit, plus 1 ( Parlamenti i Shqipërisë ka 140 deputetë) Formula tjetër është me 3/5 e parlamentit dhe e fundit zgjedhja direkt nga populli përmes referendumit.

Sali Shehu deputet demokrat, një nga kundërshtarët e ndryshimve kushtetuese tha : "Të zgjedhësh presidentin me 71 vota , është të tallesh. Jam i prirur që të preferoj zgjedhjen e presidentit nga populli. Ka nga ata që thonë se nëse e zgjedhim me referendum popullor, Presidentit do t´i shtohen kopetencat. Jo, për mua nuk është kështu."

Deputeti tjetër demokrat, që ngre krye ndaj propozimit të kryetarit të vet, Berisha, është Pal Dajçi. "Jam kundër ndryshimeve. Jam kundër nxitimit që po tregohet për t´i ndryshuar nenet e kushtetutës. Le të mbetet diskutimi për një kohe më të vonë."

Por kryetari i komisionit parlamentar të ligjeve, deputeti demokrat Fatos Beja, argumenton pse nuk duhet shtyrë për më vonë dhe pse ndryshimet kushtetuese per mënyrën e zgjedhjes së Presidentit duhen bërë pa humbur kohë.

"Ndryshimet kushtetuese duhen bërë për të shmangur një ngërç kushtetues që prodhon krizë parlamentare." - thotë Beja.

Kundër ndryshimeve kushtetueseë është edhe vetë kreu i shtetit, Presidenti aktual i Republikës, Bamir Topi. Ai i ka etiketuar propozimin e kryeministrit Berisha "të çastit, emocional" por ka shkuar edhe më tej në reagimin e ashpër.

"ëto propozime krijojnë një lloj pështjellimi, tregojnë mungesë serioziteti, sikur jemi në caqet e një politike amatoreske, të frymëzuar nga emocione të çastit." .

Debati për mënyren e zgjedhjes së Presidentit nuk ka arritur të prodhojë asnjë zgjidhje konsensuale. Opozita eshte për zgjedhjen e Presidentit me tr raunde votimi, me tre te pestat e votave, pra me 84 vota dhe për një raund të katërt me shumicë të thjeshtë 50 plus 1.

Në rast të dështimit të raundit të katërt të kalohet në referendum popullor.