1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dashuria nuk njeh kufij - martesat e përziera në Kosovë

9 Janar 2010

Në Prizren ka shumë martesa të përziera ndërmjet qytetarëve thuajse të të gjitha kombeve dhe kombësive të ish-Jugosllavisë. E tillë është edhe familja Koçani.

https://p.dw.com/p/LPKu
Bashkëshortët Sllobodanka dhe Nazi Koçani me mbesën.
Bashkëshortët Sllobodanka dhe Nazi Koçani me mbesën.Fotografi: Refki Alija

Serbja Sllobodanka dhe shqiptari Nazi ndajnë të njëjtën bukë prej gati 40 vjetësh. Sllobodanka erdhi në Prizren nga Nishi në vitin 1968 vjet, pasi babai i saj Stanimir Vuletiq, atëherë kolonel i Armatës Popullore të Jugosllavisë, kishte filluar shërbimin në qytetin buzë Bistricës. Si gjimnaziste ajo njihet dhe martohet me shqiptarin Nazi Koçani. Edhe pse prindërit e saj ishin të zemëruar në fillim, për shkak të martesës së saj në moshë shumë të re, dhe braktisjes së shkollës, pas dy muajsh gjithçka erdhi në vendin e vet.

Vitet po kalonin. Ajo po punonte në një ndërrmarrje tregtare, ndërsa burri i saj ishte profesor. Në 1999 ndodhi bombardimi i Jugosllavisë dhe ardhja e KFOR-it dhe UNMIK-ut në Kosovë. Atëherë pothuajse të gjithë serbët u larguan nga Prizreni.


Pa probleme edhe pas bombardimeve

„As atëherë nuk kam pasur probleme. Vetëm njëherë, kur isha vetëm në shtëpi në derë më erdhën dhjetë pjesëtarë të UÇK-së. Më thanë se deshën të vizitojnë profesorin. Por nuk kam pasur probleme“, thotë Sllobodanka.

Burri i saj, Nazi, kujton me kënaqësi kohën, kur gruaja e tij gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, ka ndihmuar shqiptarët, ndërsa jo me shumë kënaqësi kohën, kur vetëm tri ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, i është dashur të lëshojë vendin e të largohet për në Shqipëri. Sa i përket familjes nuk ka ndryshuar asgjë për shkak të shpërbërjes së Jugosllavisë.

„Motra ime është e martuar me një boshnjak në Sarajevë, vajza me një katolik, me të cilin jeton në Amerikë. Bashkëshortja, për të cilën jam shumë krenar, ka dashur që djalin ta martojë me një serbe, por fati e deshi ndryshe. Ne jemi një Kosovë e vogël”, thekson Nazi.

Tolerancë fetare dhe etnike

Pamje nga qendra e Prizrenit.
Pamje nga qendra e Prizrenit.Fotografi: Filip Slavkovic

Çifit bashkëshortor Koçani ka respektuar gjithmonë kulturën, traditën si dhe të gjitha besimet fetare. Në shtëpinë e tyre festohen gjithmonë si festat ortodokse, ashtu dhe ato myslimane.

„Unë respektoj Bajramin e tij, agjërimin, që zgjat një muaj dhe i përgatis krejt çfarë duhet. Kur dua të festoj krishtlindjet e mia, apo pashkët burri nuk m'i ka ndaluar asnjëherë. Më ka thënë – ‘ti festo e edhe unë me ty'. Gjithmonë ka ardhur me mua tek familja ime në Nish, për t'ju uruar festat”, sqaron Sllobodanka.

Edhe fëmijët e tyre janë rritur dhe edukuar në frymën e tolerancës fetare dhe etnike. Vajza e tyre tani jeton në San Diego dhe është e martuar me një shqiptar të besimit katolik.

„Ajo pesë-gjashtë vjet ka shkuar në xhami, por i don edhe fenë ortodokse dhe katolike. Ajo thotë se njeriu vetëm duhet të jetë i mirë, ndërsa Zoti është një“.

Dashuria nuk ka kufij

Nëse lemë mënjanë problemet e zakonshme të jetës, Sllobodanka dhe Nazi nuk janë penduar kurrë për martesën e tyre të përzier. „Dashuria nuk ka kufij, është e saktë! Ajo nuk njeh as fe, as racë e as komb“, thotë Sllobodanka.

Sllobodanka, tani si prizrenase e vjetër, përveç gjuhës serbe si gjuhë amtare, flet shqip dhe turqisht. Pas mbylljes së ndërrmarrjes ku punonte, dikur të suksesshme, ajo ka qenë e papunë për dhjetë vjet. Tetë muaj më parë Sllobodanka u punësua në Zyrën për Komunitetet në Kuvendin Komunal të Prizrenit.

Autor: Refki Alija / Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani