1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dashuri e ndaluar ballkanike - një projekt letrar serbo-kosovar

25 Mars 2011

Një projekt letrar kosovaro-serb përpiqet të thyejë një tabu dhe me anë të poezisë, prozës e eseve dërgon mesazhe dashurie nga Prishtina në Beograd e anasjelltas. Ai u prezantua në panairin e librit në Lajpcig në mars.

https://p.dw.com/p/10hUy
Nga Beogradi me Dashuri. Antologjia e re në shqip do të prezantohet në prill në PrishtinëFotografi: MM

Kishte qenë ideja e tij të publikonte në Serbi letërsi të fqinjëve të panjohur. Sasha Iliq është bashkëthemelues dhe redaktor i “Beton”. Shtojca kritike e të përditshmes beogradase “Danas” e quan veten për provokim ndryshe “pamflet kulturor propagandistik”. Pikërisht në panairin e Lajpcigut të vitit të kaluar Iliqi i ishte drejtuar kolegut të tij nga Prishtina, Jeton Nezirajt, me sugjerimin për një antologji të përbashkët serbo- shqiptare. 33 vjeçari, i cili aktualisht në Kosovë është drejtor i Teatrit Kombëtar, pranoi pa një pa dy. Një vit më vonë librat e porsa dalë nga shtypshkronja gjendeshin në raftet e Tradukit në panairin e Lajpcigut. Disa pjesë të tyre madje edhe në gjermanisht, në një numër të veçantë të “Beton”-it.

Leipziger Buchmesse Sasa Ilic
Sasha Iliq, nismëtari i projektitFotografi: Edi Matic

Titujt e tyre janë provokues. „Nga Beogradi me dashuri“ dhe "Iz Pristine s ljubavlju" (Nga Prishtina me dashuri). Qëkur i shqipton në shqip ose serbisht ato dëgjohen si blasfemi. Dhe botuesit janë mëse të vetëdijshëm për këtë efekt. Qëllimi i tyre tabu-shkelës duket që në kopertinë. Fjalët i përshkon një vijë e kuqe që të kujton redaktimin fshirës të censurës. Sepse edhe dymbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës mirëbesimi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës konsiderohet si diçka e pamundur.

Sasa Iliq und Jeton Neziraj dëshmojnë të kundërtën. Përzgjedhjen e teksteve për antologjitë ia lanë përsipër njëri-tjetrit. “Ne kishim besim tek njëri-tjetri si në aspektin njerëzor, ashtu edhe atë intelektual. Kur në fund i lexuam tekstet e përkthyera, thamë: Kjo është pikërisht ajo që donim”, rrëfen Iliq. Ndër autorët serbë janë edhe nga ata që tashmë kanë zënë në vendin e tyre në letrat serbe, si Milosh Zhivanoviq, Jelena Gjokiç apo Sasha Qiriq, por edhe të tjerë, që anashkalohen nga mainstreami letrar në Serbi, si Ildiko Lovash e Gjergj Serbhorvat nga Vojvodina apo Enes Haliloviq nga Sanxhaku.

Jeton Neziraj
Jeton Neziraj drejtori i Teatrit të PrishtinësFotografi: DW

Nacionalistët jashtë

Vetëm një parakusht ishte fiksuar që në fillim nga botuesit: Nuk do të kishte shkrimtarë nacionalistë. “Kjo ishte e lehtë për t'u dalluar. Unë e përjashtova nga projekti secilin që më pyeti se si do të prezantohej si shkrimtar i Republikës së Kosovës”, thotë Neziraj me humor. Por ajo çka kishte qenë më problematike për të, ishte gjetja e prozatorëve të rinj: “Tek ne shkruhet shumë pak prozë dhe shumë më tepër poezi. Prandaj edhe u detyruam të fusnim në antologji edhe drama, ese e poezi, ndryshe nga serbët që na kanë prezantuar vetëm prozë të shkurtër”, thotë Neziraj. Shumë tekste publikohen për herë të parë, disa prej tyre madje ai kishte gjetur në Facebook.

Tek proza e serbëve përjetimet e luftës nuk zënë ndonjë vend shumë të madh. Me përjashtim të disa rasteve, si për shembull tek rrëfimi i Sasha Iliqit, “Kuarti kinez”, ku ai flet për kontaktin e tij të parë me refugjatë serbë nga Kosova, ose në “Për sunduesin e huaj”, të Borivoje Adasheviqit, që tematizon hakmarrjen mbas një përdhunimi me motive politike. Ndërsa në antologjinë kosovare në serbisht, lufta zë një hapësirë më të madhe. “Kjo ka të bëjë me faktin, që shumë autorë shqiptarë e kanë përjetuar luftën mbi shpinë. Disa madje si Halil Matoshi e Ardian Haxhaj kanë kaluar vite nëpër burgjet e Serbisë”, thotë Neziraj.

Traduki projekt
Projekti letrar mundësohet nga TradukiFotografi: DW/Filipovic

Projekt i guximshëm

“Kjo do ta bëjë antologjinë shqiptare "Iz Pristine s Ljubavlju" më të papëlqyeshme në Serbi, se atë serbe në Kosovë”, parashikon Shkëlzen Maliqi, botues i revistës për kulturën bashkëkohore MM, në edicionin e së cilës botohet edhe “Nga Beogradi me dashuri”. Me filozofin dhe intelektualin e lindur në vitin 1947 skena e re kulturore e Kosovës lidhet me një traditë të kahershme të avangardës pacifiste. Qysh në vitin 1997, Maliqi është përpjekur t'i japë impulse procesit të pajtimit, me projekte të përbashkëta artistike mes Prishtinës dhe Beogradit. "Ka disa që thonë se fillimisht duhen shpaguar krimet e pastaj mund të fillojë komunikimi. Unë preferoj të shoh drejt të ardhmes, ashtu e kam konfigurimin”, argumenton ai qëndrimin e vet.

Buchmesse Leipzig Shkelzen Maliqi
Shkëlzen Maliqi, MMFotografi: Juli Ndoci

Antologjitë janë botuar me ndihmën e rrjetit evropian të përkthimeve "Traduki" dhe në mesin e prillit do të promovohen në Prishtinë e një javë më pas në Beograd. Tirazhi i tyre fillimisht është nga njëmijë kopje për gjuhë. Iliqi dhe Neziraj kanë vendosur që t'i shpërndajnë ato nëpër politikanë. Përpjekjen e parë e bënë në panairin e Lajpcigut ku Serbia ishte vend mysafir, e ku redaktorët e Betonit nuk ishin ftuar zyrtarisht. Njëri prej botuesve u përpoq t'ia jepte dy vëllimet ministrit serb të kulturës: "Ai tha se ishte shumë i mrekulluar, por luti që dhuratën më mirë t'ia jepnin në Beograd, sepse përndryshe librat do t'i rëndonin shumë gjatë rrugës”, rrëfen Iliqi me buzëqeshje disi mosbesuese.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi