1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

CV-ja duhet të jetë dy herë më e mirë

7 Dhjetor 2011

Stacioni i fundit i Dr. Arolda Elbasanit është Berlini. Këtu ka ardhur tre vjet më parë në Universitetin e Lirë të Berlinit. Por kjo nuk është hera e parë që ajo largohet nga Shqipëria.

https://p.dw.com/p/13OGV
Arolda Elbasani
Arolda ElbasaniFotografi: Arolda Elbasani

"Unë isha me punë në Shqipëri dhe më ofruan një pozicion shumë më të mirë në një qendrër kërkimore që konsiderohet si një nga më të mira në Gjermani, kështu që zgjedhja ishte e lehtë, me rrogë më të mirë dhe më të gjithë mundësitë për të ecur më përpara. Ishte pra oferta e mirë, që më erdhi nga Gjermania, që më bëri të vija këtu," tregon ajo.

Por kjo nuk është hera e parë që ajo largohet nga Shqipëria. "I kam bërë të gjitha jashtë shtetit, Universitetin e kam bërë në Turqi, masterin e kam bërë në Budapest, doktoraturën e kam bërë në Firence, ku edhe kam punuar, duke dhënë mësim në Firence dhe Bolonja," numëron Arolda sikur kjo të ishte gjëja më normale që mund të bëjë njeriu, të shkojë jashtë vendit për t`u marrë me punë shkencore.

Arolda Elbasani
Arolda ElbasaniFotografi: Arolda Elbasani

Largimi nga qyteti i lindjes Shkodra, ka ndodhur kohë më parë. Dhe vajtjet dhe ardhjet, kanë lënë gjurmë, asgjë nuk është më si më parë. "Sigurisht që ka ndryshuar shumë. Nga ana familjare, sepse shihemi një herë në vit me familjen, vetëm për pushime. Nga ana e perspektivës profesionale, sigurisht që këtu të ofrohen më shumë në fushën kërkimore. Në shkencat sociale Shqipëria është shumë e varfër, nuk ka jo vetëm institucione, por nuk ka as shembuj, pra njerëz që të kenë ecur dhe nga të cilët mund të mësohet, njerëz që drejtojnë. Në fakt kjo është ajo që mungon, se institucionet dhe krijohen kur ka njerëz, por në Shqipëri nuk ka njerëz me të cilët mund të mësosh, nuk ka lidera, nuk ka projekte të mëdha kërkimore, mundësitë janë shumë të kufizuara, kështu që nga ana profesionale ka ndryshuar si nata me ditën."

Dr. Elbasani merret rregullisht me Shqipërinë, sepse pjesa më e madhe e punës së saj kërkimore është e lidhur me këtë vend. "Unë kam bërë të gjithë doktoraturën për Shqipërinë, pjesa më e madhe e kërkimeve të mia ka të bëjë me Shqipërinë. Tani kam filluar ta zgjeroj fokusin, por deri tani kam punuar më shumë mbi Shqipërinë. Jam fokusuar më shumë në aspektin e zgjerimit Evropian dhe si ndikon BE duke mbështetur reforma të ndryshme. Unë duke u fokusuar në dy zona, në zgjedhjet, domethënë nëse ka ndonjë ndikim në aspektin ligjor dhe në administrimin e zgjedhjeve si dhe në administratën publike, nëse shohim ndonjë impakt të këtyre instrumentave të zgjerimit të BE në reformim dhe nëse e ka treguar vetveten në refirmimin e administratës publike. Plus kam bërë një projekt tjetër me një koleg ku krahasojmë se çfarë kanë bërë vendet postkomuniste duke përfshirë Shqipërinë, mbi problemin e përballjes me të kaluarën, çfarë është bërë me njerëzit që kanë bërë krime gjatë komunizmit, sa prezent janë ata në sistemin aktual, nëse kjo është një zgjidhje e mirë apo e gabuar. Domethënë është një projekt krahasues ku Shqipëria është një prej rasteve. Kam bërë diçka edhe mbi rolin e aktorëve fetarë në Shqipëri, duke u përqëndruar më tepër tek komuniteti islamik, pse komuniteti islamik në Shqipëri është pak më i ndryshëm nga aktorët islamikë në vendet e tjera, pse mbështesin demokratizimin, ndryshe nga ajo që dimë në literaturë që aktorët islamikë shpeshherë janë pengesë për proceset e demokratizimit. Në rastin e Shqipërisë e kanë mbështetur dhe janë shumë aktivë në proceset e demokratizimit, dhe proceset e integrimit evropian. Më intereson të di pse janë zhvilluar në këtë drejtim."

Arolda Elbasani
Arolda ElbasaniFotografi: Arolda Elbasani

Turqia, Italia, Hungaria, Gjermania, të gjitha vende të ndryshme. A mund të bëhen krahasime, duke u nisur nga përvoja personale?

"Kur je në tregun e punës, gjërat ndryshojnë, kjo është pak a shumë kthesë, sidomos kur flasim për punë që kërkohet, pra për treg cilësor pune. Në këtë moment gjërat bëhen më të vështira, domethënë është shumë e lehtë për të marrë bursa, është shumë e lehtë për të shkuar në universitet, për t`u integruar, por është shumë më e vështirë të marrësh rroga me punën tënde, sidomos në fushën akademike, ka shumë kompeticion, dhe barriera, a je shqiptare, a je evropiane, a je nga Ballkani, janë barriera formale që janë punë dokumentash, por janë barriera dhe joformale. Nëse ti do që të aplikosh për një vend pune kur i plotëson të gjitha kushtet që duhen, që ajo punë të të ofrohet ty dhe jo një lokali duhet ta kesh curriculum vitae të paktën dy herë më të mirë," thotë Dr. Arolda Elbasani që e ka kuptuar këtë dhe nuk pushon duke shkruar, botuar së fundi "Zgjerimi i BE-së me Ballkanin perëndimor"- London, New York.

Autor. Aida Cama

Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora