1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cila ishte ana e errët e pilotit të Germanwings?

Auron Dodi (P.Hille, Welt, Spiegel)26 Mars 2015

Në ëndrrat tona më të këqia nuk na e merrte mendja një gjë të tillë, tha shefi i Lufthansas Carsten Spohr. Më parë ai kishte konfirmuar para medieve se piloti i dytë qe mbyllur në kabinë për të nisur rrëzimin e avionit.

https://p.dw.com/p/1Ey7i
Dera e kabines se pilotit te A320
Fotografi: Reuters/L. Foeger

Andreas L, piloti i dytë në avionin e Germanwings ishte një njeri që i pëlqenin shakatë. "Të qeshësh sa të të paralizohet fytyra" ishte një faqe që e preferonte ai në Facebook. Sipas informacioneve të gazetës gjermane "Die Welt", pilotit 28 vjeçar i pëlqenin shakatë që i kalonin pak kufijtë dhe e shkelnin disi etiketën e mirësjelljes. I pëlqente p.sh. që burrat të silleshin si çuna të mëdhenj dhe pilotët si kokëkrisur me zgërdhirje të vazhdueshme në fytyrë.

Po a kishte Andreas L. edhe një anë tjetër, të errët? Probleme private për momentin nuk janë të njohura. Edhe nëse mungon ende siguria për rrjedhën e katastrofës, pyetja tjetër që shtrohet është a vuante piloti i dytë vuante nga sëmundje psikike. Shkollimin si pilot, që e pati nisur gjashtë vjet më parë në Bremen (Gjermani) dhe në Phoenix, Arizona (SHBA), sipas Lufthansas ai e ndërpreu për disa kohë. "Për shkak të problemeve psikike?", pyetën përfaqësuesit e shtypit në zyrën e Germanwings-it. Një përgjigje për këtë koncerni nuk dëshiron të japë. Në bazë të ligjeve gjermane janë vetëm autoritetet e ndjekjes penale ato që mund të shohin kartelën mjekësore. Ky informacion i nënshtrohet detyrimit për të heshtur të mjekut "edhe pas vdekjes", thanë përfaqësues të koncernit.

Konferenca e shtypit e Carsten Spohr nga Lufthansa për tragjedinë
Konferenca e shtypit e Carsten Spohr nga Lufthansa për tragjedinëFotografi: Reuters/W. Rattay

Por pas ndërprerjes së shkollimit si pilot, Andreas L. i ishte nënshtruar sërish një testi shëndetësor dhe një testi nëse ishte i përshtatshëm si pilot. Dhe këtë test e kishte kaluar me sukses.

Kontrolli i fundit për Andreas L.: janar 2015

Në janar 2015, në një kontroll rutinë për sigurinë, Andreas L. ju dëshmua së fundi se ai nuk është i përfshirë në vepra penale ose ekstremiste.

"Ai ishte 100 përqind i aftë për të fluturuar. Rezultatet e tij në fluturim ishin shumë të mira, asgjë nuk të tërhiqte vëmendjen", u tha sot medieve shefi i Lufthansas, Carsten Spohr. Ai shtoi se në ëndrrat më të këqia nuk ia kishte e merrte mendja se mund të ndodhte një gjë e tillë.

Përvojat e para si pilot, 28 vjeçari i pati bërë me avionë pa motor, që rrëshkasin në ajër të shtyrë nga era. Faqja e klubit të sporteve ajrore Montabaur në Westerwald, ku mësoi ai, për momentin është jashtë sistemit të internetit.

"Ai deshi ta shihte të realizuar ëndrrën e tij, fluturimin", e përshkruajnë atë shokët e klubit. Kjo ëndërr u kthye me sa duket në zhgjëndërr të tmerrshme paraditen e 24 marsit në Alpet franceze.

Klubi i fluturimit në Westerwald, ku Andreas L. mori orët e para të fluturimit.
Klubi i fluturimit në Westerwald, ku Andreas L. mori orët e para të fluturimit.Fotografi: AFP/Getty Images/P. Stollarz

Kërkimi i gjurmëve sapo ka nisur. Një prokuror gjerman tha të enjten se ka nisur kontrolli i apartamentit të Andreas L. në Dyseldorf dhe vende të tjera për të gjetur dokumente dhe dëshmi nëse Andreas L e kishte planifikuar më parë aktin e tij. Vështirë është të përfytyrohet si e ndiejnë veten të afërmit e viktimave, tani që mësuan për tragjedinë. Gjithashtu është e vështirë të përfytyrosh si ndihen prindërit e Andreas L., në shtëpinë e të cilëve në Montabaur, midis Frankfurtit dhe Këlnit, lindi më 1987 Andreas L. dhe ku banoi deri në fund. Sipas prokurorit francez, Brice Robin, familja e Andreas L. është nisur për në vendin e rrëzimit të avionit.

Policia e ka bllokuar rrugën që çon në shtëpinë e prindërve të Andreas L. me automjete policie, të vendosura tërthorazi. Për të penguar automjetet e tjera të kalojnë. Shumë ekipe kameramanësh përpiqen të arrijnë në këtë zonë, për të folur me fqinjët. Por banorët janë tërhequr në shtëpitë e tyre. Disa shohin nga pas perdeve ose grilave gjysëm të ulura të dritareve.