1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ciganët në Gjermani

8 Prill 2012

Të huaj, të lirë, të shfrenuar, dembelë - prej shekujsh janë krijuar stereotipet për njerëzit që diskriminohen si "ciganë"

https://p.dw.com/p/14ZE4
Anticiganizmi në Gjermani
Anticiganizmi në GjermaniFotografi: Dokumentations- und Kulturzentrum Deutscher Sinti und Roma

"Një fshat rom zhvendoset në Berlin" titullohej një artikull i gazetës Berliner Zeitung më 2 prill 2012, "Fëmijët romë mbingarkojnë mësuesit e Berlinit", titullohet më 3 prill një artikull i Morgenpost. Janë këto dy shembuj aktual nga gazetat gjermane. Këto tituj gazetash shoqërohen me njoftime për male me plehra, lypsarë agresivë ose shpërdorim të ndihmave sociale në Gjermani.   

Imazhi jo i mirë edhe pa këto tituj për një grup të popullsisë rrezikon të ngulitet në këtë mënyrë në shoqëri, për një pakicë e cila është denigruar prej shekujsh në Evropë. Edhe sot 44 përqind e popullsisë në Gjermani është e bindur se sintët dhe romët kanë tendenca kriminele. Ky ka qenë rezultati i një studimi të bërë nga Prof. Wilhelm Heitmeyer. 4 nga 10 të pyeturit thanë se kishin probleme të kishin afër sinti dhe roma. Heitmeyer dhe studiues të tjerë mendojnë se të pyeturit nuk njohin asnjë anëtar të këtij grupi popullsie kundër të cilit drejtohet armiqësia e tyre.

Sinti dhe Roma nga Kosova demostrojnë kundër dëbimit nga Gjermania
Sinti dhe Roma nga Kosova demostrojnë kundër dëbimit nga GjermaniaFotografi: picture-alliance/dpa

Kjo është tipike për të ashtuquajturin anticiganizëm. Ky qëndrim nuk bazohet tek përvojat por tek projektimet e pjesës më të madhe të popullsisë, thotë i bindur politologu nga Berlini,  Markus End: "Është e mundur që njerëzit të kenë qëndrim anticigan, pa patur kontakte konkrete me njerëzit që perseptohen si "ciganë". Kjo ka ushqyer klishetë e ardhura nga shekujt për papunësinë, dembelizmin ose kriminalitetin, të cilat karakterizojnë edhe në media imazhin e sintëve dhe romëve, po ashtu si dhe kundër grupeve të tjera kundër të cilëve drejtohet anticiganizmi".

Këtë e tregojnë edhe rezultatet e studimit të studiuesit të letërsisë, Klaus-Michael Bogdal. Për librin e tij me titull "Evropa rigjen ciganët. Një histori e magjepsjes dhe përçmimit" ai ka vlerësuar burimet informative dhe dëshmitë letrare që prej ardhjes së grupeve të romëve në Evropë, para 600 vjetëve. Ai tregon se si në kohën e krijimit të shteteve nacionale, anëtarët e një pakice përjashtoheshin dhe ndiqeshin si të huaj dhe të ardhur. Ata dëboheshin ose vriteshin, shkrimtarë që nga Cervantes deri tek Shekspiri dhe Gëte e deri tek shkrimtarët e sotëm si Gynter Grass-i,  kanë shkruar për karakteristikat kriminele të tyre ose egërsinë e shfrenuar, duke reaguar me frikëra irracionale ose magjepsje të fshehur. Edhe imazhet gjoja pozitive për "jetën plot kënaqësira të ciganëve" ose për lirinë seksuale apo këngët dhe vallet plot pasion, i katakterizojnë këta njerëz si devijues të normës së pjesës më të madhe të shoqërisë. Kjo nuk ka të bëjë me realitetin. "Sa kohë që nuk thuhet se sintit janë mbase matematikanë të mirë, thotë Markus End, për aq kohë edhe përshkrimet pozitive ndikojnë negativisht.

Roma dhe sinti Gjermani
Roma dhe sinti GjermaniFotografi: DW

"Mos thuaj që jam rom"

"Paragjykimet përfshijnë të gjitha shtresat e shoqërisë, deri tek administrata dhe autoritetet" thotë Iris Biesewinkel. Ajo drejton qendrën këshillimore sociale të shoqatës Rom e.V në Këln, shoqatë që lufton për rritjen e mirëkuptimit midis anëtarëve të sintëve dhe romëve dhe pjesës tjetër të shoqërisë. "Ti mund të vish të më vizitosh aty ku jam duke bërë praktikën, por të lutem mos thuaj që je rom se pastaj më ndalojnë të punoj në arkë", është lutja e një të reje, e cila është një shembull që tregon çfarë ndikimesh ka anticiganizmi në Gjermani. Për t'u perceptuar si njeri dhe për të penguar diskriminimin, shumë romë dhe sinti nuk thonë që janë pjesë e kësaj pakice. Por pikërisht kjo shton edhe më shumë perceptimin stereotip, thotë Markus End. Sepse sintët dhe romët e integruar prej kohësh në shoqëri mungojnë në imazhin publik të kësaj pakice.

Roma und Sinti in Deutschland
Shoqata e Këlnit Rom e.VFotografi: DW

Paragjykime të ngulitura mirë njeh edhe Evgenia Georgieva, e cila ka ardhur në Këln me tre vajzat e saj nga Bullgaria, për tu dhënë fëmijëve shanse më të mira për të ardhmen. 30 vjeçarja vendos dorën në ballë sikur të ngjiste atje një etiketë dhe thotë: "Dikush bën diçka të keqe dhe etiketa i vendoset të gjithëve, sikur të ishin të gjithë njësoj". Ajo vetë mëson gjermanisht, punon si punëtore pastrimi dhe dëshiron të mësojë ndonjë zanat, kur vajzat të jenë rritur.

Parulla raciste

Këshillimet e shoqatës Rom e.V. janë për të ardhur nga vendet e BE-së si Rumania dhe Bullgaria por edhe për ish-punëtorë të ardhur me kontrata apo refugjatët e luftës nga ish- Jugosllavia. Por këtu vijnë edhe sintë dhe roma që jetojnë prej brezash në Gjermani dhe ndihen megjithatë të diskriminuar. Sintët dhe romët njihen në Gjermani si pakicë kombëtare dhe shijojnë mbrojtjen e shtetit si të tillë. Por kjo nuk ndihmon ndaj armiqësisë. Në një sondazh reprezentativ 3 në katër sinti dhe roma thonë se diskriminohen shpesh në vendin e punës, nga fqinjët, në restorant apo vende të tjera.

"Parrullat raciste kundër sintit dhe romëvë në Gjermani janë të zakonshme," thotë edhe Qendra federale kundër diskriminimit. Anticiganizmin në internet e ka hulumtuar firma Jugendschutz.net. Gjuha e urrejtjejes dhe kërcënimet për vdekje janë të përhapura në platformat si facebook ose youtube.  

Autor: Andrea Grunau/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi