1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shoqëria & Kultura

Bushido provokon pa u penduar

Fyerje, shprehje kundër homoseksualëve dhe fantazi dhune kundër politikanëve - reperi Bushido ka ngjallur shumë kritika me një këngë të re të tijën. Por diskutimi publik duket se vetëm përmirëson shifrat e biznesit.

""Stres pa shkak" titullohet kënga e Bushidos, e cila tani ka shkaktuar shumë stres dhe madje mund të përfundojë para gjykatës. Kryebashkiaku i Berlinit Klaus Wowereit dhe deputeti i Bundestagut Serkan Tören nga partia liberale (FDP) kanë ngritur padi kundër muzikantit.

Arsyeja: Bushido vë në lojë me fjalë vulgare homoseksualitetin e kryebashkiakut të Berlinit. Dhe në tekstin e këngës thuhet me tej "Dua që Serkan Tören tani të hajë dhe", dhe pas kësaj në këngë dëgjohen dy krisma. Tören është zëdhënës i FDP-së për politikën e integrimit në Bundestag.

Deputeti liberal Serkan Tören

Deputeti liberal Serkan Tören

Edhe kryetarja e ekologjistëve gjermanë (Bündnis 90 / Die Grünen), sulmohet ashpër nga Bushido: "Unë qëlloj mbi Claudia Roth dhe ajo bëhet me vrima si një fushë golfi", këndon reperi Bushido.

Deri ku shkon liria e artit?

Liri artistike apo shprehje të dënueshme? Për Serkan Tören fjalët që Bushido përdor në këngët e tij nuk kanë të bëjnë më aspak me art: "Me thirrjen për dhunë, me thirrjen për vrasje, me sulme kundër pakicave është kapërcyer një kufi", thotë politikani liberal. "Përfytyroni sikur nën pektun e lirisë së artit, në të ardhmen secili të mund të bënte çfarë të donte dhe të fyente kë t'i vinte për mbarë. Kjo thjesht nuk mund të pranohet."

Politikani e di përse pikërisht ai është vënë në shënjestër të fjalëve plot urrejtje të Bushidos: katër muaj më parë ai pati kërkuar që Bushido të kthente çmimin "Bambi", një nderim nga shtëpia e madhe botuese gjermane Burda në 2011 për angazhimin e tij në fushën e integrimit. Tören nuk ishte i vetëm me këtë kërkesë pasi u bë e ditur se Bushido kishte lidhje të ngushta me një klan mafioz berlinez.

Biznes me urrejten dhe dhunën

Në 2011 Bushido mori çmimin Bambi për intergrimin

Në 2011 Bushido mori çmimin "Bambi" për intergrimin

Politikania e gjelbër Claudia Roth nuk do të ndërmarrë hapa juridikë, por edhe ajo shprehet e indinjuar që "dikush, që e quan veten artist por që nuk ka arrin të shesë mirë muzikën e tij dhe nuk ka më salla të mbushura plot në koncerte, beson me sa duket se me shprehje vulgare dhe thirrje për urrejtje mund të bëjë biznes."

Edhe psikologia e muzikës Gabriele Hofmann pranë Universitetit Pedagogjik në Gmünd, mendon se Bushido kërkon vetëm të tërheqë vëmendje për diskun e tij të ri dhe të rrisë shitjet: "Provokacionet e nxisin biznesin dhe ky ka qenë gjithnjë synimi i vërtetë i Bushidos."

Mungesë reflektimi

Reperi vetë e pranon hapur: "Nga perspektiva e biznesmenit kjo ishte e shkëlqyer. Jemi në vendin e parë me 1,2 milionë klikime në më pak se 48 orë", tha Bushido në një intervistë në televizion. Ai nuk shprehur as reflektim dhe as pendim.

Sipas vlerësimeve të para të juristëve edhe juridikisht Bushido nuk ka shumë arsye për t'u trembur. Pengesat që ka vendosur gjykata kushtetuese gjermane për të mbrojtur lirinë e mendimit në art, janë shumë të larta, thotë zëdhënësi i prokurorisë së Berlinit, Thomas Fels.

Ndoshta kënga do të përfundojë në të ashtuquajturin indeks. Kjo është një listë me disqe dhe medie të tjera, tek të cilat të rinjtë nuk duhet të kenë qasje. Indeksi hartohet nga një zyrë federale kontrolli për medie të rrezikshme për rininë (BPjM), një autoritet nën varësinë e Ministrisë së Familjes. Titujt që BPjM i vendos në indeks nuk mund të shiten te të rinjtë nën 18 vjeç. Vetëm të rriturit mund t'i marrin me kërkesë të tyre.

Promovim pa dashje i shitjeve?

Psikologia e muzikës Gabriele Hofmann

Psikologia e muzikës Gabriele Hofmann

Shindy, partneri muzikor i Bushidos, i ka bërë thirrje në Twitter komunitetit të fansave të tij që ta blejnë shpejt albumin, përpara se të zhduket nga dyqanet - edhe kjo një strategji për të rritur shpejt shitjet.

Gabriele Hofmann druan se i gjithë aksioni ka më tepër gjasa t'i sjellë Bushidos më shumë fansa se sa t'i largojë ata ekzistues: "Unë kam parë vetë një herë në internet se si reagojnë fansat ndaj deklaratave të caktuara." Bushido vazhdon të marrë përkrahje. Dhe "shprehen hapur edhe shumë qendrime të tjera individuale agresive", thotë Hofmann.

Edhe pse fyerjet dhe promovimi i dhunës janë mjaft të përhapura në radhët e autorëve rap, kjo nuk është e vetmja alternativë. Për këtë arsye politikani liberal Tören nuk e konsideron në vetvete të dëmshme këtë zhanër muzikor. Përkundrazi! Politikani thotë se ai vetë dëgjon me dëshirë reperin nga Shtutgarti, Cro: "Ai arrin të ketë sukses dhe të bëjë për vete të rinjtë edhe pa sulme ndaj personaliteteve apo pakicave."