1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bushati: Të gatshëm për të hapur një kapitull të ri me Serbinë

Amarildo Topi22 Tetor 2014

Faktori shqiptar në rajon është një faktor paqeje, stabilitieti dhe promotor i integrimeve euroatlantike të rajonit, thotë në intervistë për DW Minsitri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati.

https://p.dw.com/p/1Da1U
Albanien Ditmir Bushati Außenminister in Berlin
Fotografi: DW/M. Cika-Kelmendi

DW: Zoti ministër menjëherë pas ngjarjeve në Beograd, në qytete të ndryshme serbe u sulmuan biznese shqiptarësh. Përveç se nga ju, këto sulme janë dënuar edhe nga autoritetet serbe. Keni informacion për situatën aktuale nëse ka pasur sulme të tjera? Cili është qëndrimi i Ministrisë së Jashtme për këtë çështje tek autoritetet serbe?

Ditmir Bushati: Për momentin janë ato raste që janë raportuar. Qëndrimi i Ministrisë së Jashtme ka qenë i qartë, që në fillim kemi dënuar aktet e dhunës kundrejt shqiptarëve në disa zona dhe qytete të Serbisë. I kemi kërkuar autoriteteve serbe jo vetëm që të distancohen nga aktet e dhunës, por edhe të çojnë para përgjegjësië autorët e këtyre veprave. Kemi marrë edhe informacionet paraprake nga ambasada jonë në Beograd, që një pjesë e këtyre njerëzve janë identifikuar dhe një pjesë janë ndaluar, por është ende herët për të folur për konkluzionet përfundimtare në lidhje më këtë ngjarje. Por autorët do të duhet të kenë një ndëshkim shembullor nga drejtësia në Serbi.

DW: Ju keni deklaruar një ditë pas ngjarjeve të Beogradit se homologu juaj Ivica Daçic ka refuzar komunikimin me ju. Po gjatë këtyre ditëve keni pasur komunikim?

Ditmir Bushati: Në radhë të parë dua të sqaroj që është një praktikë diplomatike, që në rast se ka një ngjarje shqetësuese e cila mund të prekë dy shtete, është një praktikë ku palët bien në kontakt fizik apo telefonik etj. Kjo ka qenë edhe arsyeja se pse kam kërkuar të isha në kontakt telefonik me homologun serb, para se të fillonte ndeshja, e më saktësisht në mesditë kur një grup njerëzish, personalitet të fushave të ndryshme në Shqipëri u ndaluan në aeroportin e Beogradit. Deri në këto momente nuk kam pasur ende kontakte me homologun Serb, besoj se do të takohemi nesër në Beograd në mbledhjen e ministrave të jashtëm dhe të ekonomisë të rajonit me BE. Takim që është në vijim të procesit të Berlinit dhe në vijim të takimeve që janë mbajtur në formate të tilla në Selanik, Berlin, Nju Jork dhe në Budva.

DW: Si mund të jetë takimi pas komunkimit të tensionuar përmes deklaratave në media?

Ditmir Bushati: Nuk është një takim biletaral, ka një axhendë të strukutuar dhe vendosur nga Komisioni Europian përsa i përket qeverisjes ekonomike dhe lidhshmërisë që duhet të ketë në fillim rajoni e më pas rrjetet kryesore infrastrukturore të Europës.

DW: Pas ngjarjes pati deklarata të forta nga pala serbe, po ashtu edhe nga ana shqiptare. Ka pasur ndërhyrje nga qarqet diplomatike europiane për uljen e tensioneve mes dy vendeve?

Ditmir Bushati: Kam përshtypjen se më shumë se çdo ndërhyrje dashamirëse të partnerëve ndërkombëtarë, besoj se ekziston vetëdija, dhe sidomos kjo vetëdijë është e fortë sa na përket ne, për të ecur përpara dhe për të izoluar fenomenet që kanë lidhje më ekstremizimin, që kanë lidhje me një retorikë të shkuar të këtij rajoni, dhe ne e dimë se cila ka qenë e shkuara e rajonit tonë. Ne jemi të vendosur për të ecur përpara. Kemi diferenca me Serbinë, jo thjesht për mënyrën se si e shohim atë çka ngjau në Beograd, por edhe për pozicionin që ka Serbia dhe Shqipëria në rajon dhe në raport me disa prej zhvillimeve të rëndësishme ndërkombëtare. Por kjo nuk duhet të kthehet në pengesë për të hapur një kapitull të ri, për të bashkëpunuar dhe për të zvogëluar diferencat që ekzistojnë. Ne jemi antarë të NATO-s, Serbia ka një politikë neturatliteti ndaj NATO-s, që më duket se është vënë në pikëpyetje me paradën ushtarake që u realizua gjatë vizitës së Putin. Jemi një vend kanidat për në BE, që në të ardhmen e afërt presim të marrin një datë për fillimin e bisedimeve të antarësimit. Serbia është një vend kandidat, ka një datë por ende nuk i ka nisur bisedmiet. Prandaj besoj se edhe në këtë pikë mund të ketë elementë të përbashkët që mund të ndihmojnë jo vetëm shtetet tona, por edhe rajonin.

DW: Vizita e kryeministrit Rama është shtyrë për më datë 10 nëntor. Sa të rëndësishme e konsideroni këtë vizitë në këtë moment?

Ditmir Bushati: Kjo është një vizitë e rëndësishme sepse është e para që ndodh në nivel kryeministrash mes Serbisë dhe Shqiprisë. Komunikimi natyrisht është gjithmonë lavdërues dhe ndihmues përsa i përket perspektivës së bashkëpunimit si në aspektin dypalësh ashtu edhe në funksion të bashkëpunimit rajonal dhe procesit të integrimit Europian. Të dyja vendet kanë një peshë të posaçme në rajon dhe jemi të intresuar që edhe në kuadër të procesit që kemi nisur në Berlin të ecim përpara në të gjitha këto shina, të cilat do ta bënin paqen në rajonin tonë më të qëndrueshme dhe gjithashtu do t'i krijonin një perspektivë më të qartë rajonit për tu afruar me BE-në përmes zbatimit të projekteve në fushën e ekonomisë dhe infrastrukturës.

DW: Ka mundësi që vizita të shtyhet sërish apo është datë definitive?

Ditmir Bushati: Data është publike pas bisedës së dy kryeministrave.

DW: Me ndryshime në agjendë?

Ditmir Bushati: Kemi rënë dakord për atë agjendë dhe çdo gjë do të jetë në kohë.

DW: Reagimi juaj menjëherë pas ngjarjes, përqëndrohej tek dhuna dhe gjuha e urrejtjes së tifozëve serbë. Përse Ministria e Jashtme e Shqipërisë nuk u distancua në mënyrë të qartë nga përmbajtja e banderolës me hartën e ‚Shqipërisë së Madhe‘, sepse siç e tha edhe kryeministri Rama pak ditë më pas, “ai nuk është projekti ynë”?

Ditmir Bushati: Ne i kemi dënuar mjaft qartë të gjitha provokimet dhe incidentet, para gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes. Duke filluar që nga momenti i mesditës unë kërkova që të kishim një komunikim me palën serbe. Dhe incidentet, provokimet dhe dhuna kanë filluar në fakt që në drekë, në bazë të informacioneve që ne i kemi monitoruar hap pas hapi. Pra nuk është e vërtetë që Shqipëria nuk është distancuar nga të gjitha aktet që kanë prishur atmosferën që duhet të ekzistojë në një ndeshje futbolli. Por dua them se përgjegjësia është qartësisht e palës serbe, sepse ajo është organizatore e mikpritëse e një takimi, rregullat janë shumë të qarta, të pranuar botërisht që mikpritësi siç ka shansin e madh të luajë në shtëpi e të gëzojë opinin publik dhe tifozët, po ashtu ka edhe përgjegjësinë e madhe për çdo detaj që ka lidhje me organizimin e një ndeshjeje.

DW: Në shumë media rajonale është theksuar rritja e nacionailzmit shqiptar. Ju si e shikoi faktorin shqiptar në rajon?

Ditmir Bushati:Faktori shqiptar në rajon është një faktor paqeje, stabilitieti dhe promotor i integrimeve euroatlantike të rajonit.

DW: Cilat janë hapat diplomatike që po ndërmerr Ministria e Jashtme për këtë ngjarje?

Ditmir Bushati: Hapat që ndjek një shtet serioz, i cili ezauron të gjitha elementet që kanë të bëjnë më diplomacinë dy palëshe, por edhe me mbajtjen e hapur të kontakteve dhe komunikimit me të gjitha kancelaritë e rëndësishme ndërkombëtare dhe për kryeqytet që kanë një peshë të caktuar me zhvillimet në rajon.