1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shkenca & Edukimi

Bursa për ata që ndërpresin studimet

Universiteti privat Zeppelin në Friedrichshafen u ndihmon me bursa personave që i kanë ndërprerë studimet. Universiteti Zeppelin është privat, studimet këtu kushtojnë rreth 30.000 euro.

Themeluesi i Facebook-ut Mark Zuckerberg i ka ndërprerë studimet, ashtu si edhe Bill Gates apo moderatori shumë i njohur gjerman Günter Jauch. Të gjithë këta, ndonëse nuk kanë përfunduar ndonjë fakultet, kanë realizuar një karrierë shumë të suksesshme. "Disa njerëz e kuptojnë vetëm pas ndërprerjes së studimeve se çfarë duan të bëjnë në jetë", shpjegon Tim Göbel nga Universtieti privat Zeppelin (ZU) në Friedrichshafen. Shkolla e lartë jep bursa speciale për ata që i kanë ndërprerë studimet. Fjala është për të ashtuquajturat "bursa për diversitet".

Billy Contreras i ka ndërprerë studimet dhe tani merr një bursë të tillë. Pas përfundimit të gjimnazit ai kishte nisur studimet për ekonomi në Pforzheim. Por i ndëpreu ato pas dy semestrave. "Studimet i kam filluar me entuziazëm, por shpejt e kuptova se ky sektor nuk është për mua", thotë ai.

Pamje nga biblioteka e Universitetit Zeppelin

Pamje nga biblioteka e Universitetit Zeppelin

Bursisiti i parë

Pas ndërprerjes së studimeve Billy Contreras pa për mundësi të tjera në internet. Ai kërkonte diçka që lidhej me kulturën. Më në fund gjeti faqen e Univeristetit privat Zeppelin nga Friedrichshafen-i dhe fillimisht nuk mundi t'u besonte syve kur pa se kjo shkollë e lartë ofron bursa për persona që i kanë ndërprerë studimet. Ai u paraqit në këtë konkurs me shpresë se kjo do ta ndihmojë për një fillim të ri.

Universiteti Zeppelin është privat, ndaj edhe duhet të financohet, sepse studimet këtu kushtojnë rreth 30.000 euro. Ai kishte fat, sepse me bursën e fituar mund t'i niste studimet falas në këtë Universitet.

Përfitimet e universitetit

Ndërtesa e re e Universiteti Zeppelin

Ndërtesa e re e Universiteti Zeppelin

Ky Universitet ka aktualisht rreth 1000 studentë. Ata mendojnë se me pranimin e personave që kanë ndëprerë studimet diku tjetër krijohet një situatë win-win, që do të thotë se të dy palët përfitojnë. Personat që kanë ndërprerë studimet kanë një nivel të lartë të kompetencave sociale dhe kanë përvoja më të mëdha me punën. Disa prej tyre kanë punuar edhe më parë, gjatë kohës që kanë qenë studentë, ndërsa të tjerët janë të gatshëm të punojnë. Ndërkohë që kështu fitojnë një shans të dytë për studime. Edhe një gjë tjetër është me rëndësi: ata të cilët i fillojnë studimet për herë të dytë, janë shumë më të angazhuar për t'i përfunduar studimet. Ndaj janë edhe më aktivë në seminare dhe ligjërata. Nga kjo mund të përfitojnë edhe studentët e tjerë, pohon Göbel.

Një rëndësi të madhe luan edhe koha e studimeve, sepse në këtë Universitet mendojnë se përvoja që studentët sjellin me vete ndihmon edhe të menduarit më të thellë. Shkolla e lartë private, sipas Göbel, kujdeset për ata që nuk e kanë pasur të lehtë në jetë dhe nuk kanë mundur t'i plotësojnë ato çfarë prisnin të tjerët prej tyre.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Planifikohen edhe bursa të tjera

Bursa mund të përfitojnë jo vetëm ata, që i kanë ndëprerë studimet, por edhe personat që e përsërisin semestrin, shpjegon Göbel. Në të ardhmen do të ketë 12 bursa të tilla, për personat që e kanë përsëritur vitin. Po cili është qëllimi i këtyre bursave, vetëm sa për publicitet? Jo, përgjigjet Göbel. "Ky është një koncept i qëndrueshëm", shton ai.