1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bujar Aliko: Ëndrrën gjermane mund të përjetosh edhe në Shqipëri

8 Korrik 2010

Intervistë me Bujar Alikon, i cili hapi lojën e hyrjes së qytetarëvë shqiptarë në ambasadat përendimore në Shqipëri rreth dy javë para 2 korrikut të vititi 1990.

https://p.dw.com/p/ODBQ
Bujar Aliko
Bujar AlikoFotografi: DW

“Izolimi po na merrte frymën”. Ky është argumenti që përsërit disa herë në historinë e tij të para 20 viteve Bujar Aliko. Ai tani është 50 vjeç, por thotë se sërish do ta bënte atë akt të 17 qershorit të vitit 1990. Së bashku me një grup shokësh të ngushtë kishte planifikuar atë që në kohën e regjimit komunist ishte e pamendueshme, madje çmenduri: Të merrte autobuzin e tij dhe direkt të hynte në territorin e një ambasade. Na dukej se e gjithë jeta do të më shkonte e gjitha si në një kafaz, thotë Bujari për DW.

„E kishim bërë planin duke parë se çfarë ndodhte në Evropë, duke parë rënien e murrit të Berlinit, për Çausheskun, apo të tjerë që iknin një nga një. Ma dha ajo e momentit, e moshës, që të bëja dhe unë një akt, të jap dhe unë një shkëndijë. Se të shkoje në kufi të vrisnin. Gjoja të thërrisnin kthehu, por në fakt të vrisnin nga prapa. Ambasada ishte tokë e huaj dhe aty s'kishin se çfarë të të bënin“.

Bujari duke e ndjerë se ishte në fokus të organeve të sigurimit famëkeq të shtetit e kishte vendosur që aventurën do ta bënte me autobuzin e tij që punonte prej disa viteve në një linjë në periferi të Tiranës. Ishte një automjet i modifikuar në Shqipëri, tip „fizarmonikë“, pra që kishte gjatësinë e dy autobuzave të zakonshëm. Pas studimit prej disa javësh të terrenit, nga vendndodhja e bllokut të ambasadave përendimore në Tiranë, mjeti i tij mund t‘i afrohej vetëm ambasadës greke që ishte ngjitur me atë gjermane. Ata ishin 5 shokë të ngushtë që e kishin vendosjen hyrjen me forcë në ambasadë mëngjesin e 17 qershorit të 1990-s.

Shqiptarë që ikin, 1990
Shqiptarë që ikin, 1990Fotografi: picture alliance/dpa

„Por ata u tërhoqën në momentet e fundit. Kur u takuam në darkë ata u tëhoqën. Unë u thashë se vetë do të hyja pasi nuk duroja dot. E kam punën pisk, u thashë, dhe ata nesër ose pasnesër do të më arrestojnë. Erdhi vetëm njëri prej shokëve, Mond Vokshi. I hipëm autobuzit dhe nga „21 Dhjetori“ eca me një shpejtësi të madhe deri tek murri i ambasadës. E kisha llogaritur që kapaku i autobuzit lart i binte fiks me murrin. Edhe sot e kësaj dite e kujtoj tmerrin e asaj dite, frikën apo ato që më kalonin nëpër mend për ato 2 km “.

Askush nga rojat e sigurisë nuk e priste një „zbarkim“ me autobuz në ambjentet e ambasadës. Bujari me shokun e tij dhe dy të rinj që përfituan nga rrëmuja që u krijua atë moment ishin katër shqiptarët e parë të verës së vitit 1990 që u futën në territorin e një ambasade. Si një përpjekje për të kundërshtuar regjimin totalitar. Ishte ky akt i tyre që rreth dy javë më pas do të shndërrohej në një nga ngjarjet më të bujshme të historisë së Shqipërisë, që paralajmëronte ndryshimet e mëdha demokratike pas një diktature të egër afër 50 vjeçare.

Bujar Aliko kujton se është ndjerë i lehtësuar, por dhe shumë i emocionuar kur mësoi lajmin se mijëra të tjerë më 2 korrik e ditë më pas kishin bërë të njëjtën gjë si dhe ai. Madje i vëllai i tij më i madh ishte shumë pranë tij në territorin e ambasadës gjermane, që ishte ngjitur me atë greke. Që pa u nisur për në Greqi ai e dinte se destinacioni i tij shumë shpejt do të ishte Gjermania. Pas 7 muajsh ai mbërriti në Karlsruhe për tu vendosur si azilant në Ravensburg në Baden Wutenberg.

Tirana, 1990
Tirana, 1990Fotografi: picture alliance/dpa

Për 10 vite Bujar Aliko jetoi e punoi në Gjermani, fillimisht në një piceri dhe më pas si drejtues kamioni në një kompani ndërtuese. „Një eksperiencë e jashtëzakonshme, që më dha mundësi financiare, por dhe që më zgjoi dëshirën që të kthehem në Shqipëri. Të kisha edhe unë një biznes timin në vendlindje“, thotë Bujari për DW duke treguar për kthimin e tij sërish në Tiranë. Një kthim të cilin ai e përshkruan dhe me fat pasi krijoi dhe familje.

„Në Gjermani mësova shumë gjëra. Si bëhet biznesi, si të komunikosh me njerëzit, fundja si mund të quhesh tamam njeri. Për mua nëse më pyet njeri, ai që quhet shtet me të gjitha gërmat është Gjermania. Them dhe se Shqipëria nëse ecën edhe një cikë përpara, kë një vend pune, ke një të ardhur të mirë, jetohet mirë. Unë këtë mendim kam“.

Rikthimin e tij në atdhe Bujari e nisi si menaxher në një dyqan në Tiranë që përgatit e tregëton specialitete buke dhe ëmbëlsira si në Gjermani. Si një përpjekje për të importuar shijen dhe guston gastromike gjermane. Tani ai ka një aktivitetet të tijin, një bar kafe ku përfshihet dhe një sistem elektronik i parashikimit të ndeshjeve sportive. Është një nga stacionet më të frekuentuara në lagjen e tij ku mblidhen në mënyrë të veçantë fansat e futbollit gjerman. Duke i shndërruar takimet e kombëtares së Gjermanisë në një festë të vërtetë si në shkallët e stadiumit. „Ëndrën gjermane mund të përjetosh edhe në Shqipëri“, thotë Bujari për DW, si një argument shtesë për vendimin e kthimit në vendlindje.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama