1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Buja: Jam i gatshëm për verifikimin e diplomave në Kosovë

Jam i gatshëm që të verifiohen të gjitha kritikat për shitjen e diplomave dhe për plagjiatura. Për verifikimin e diplomave do të aplikojmë sistemin e digjitalizimit, i thotë DW ministri i Arsimit të Kosovës Ramë Buja.

Deutsche Welle: Zoti ministër, shkaqet janë të ndryshme por është një fakt: Arsimi kosovar nuk është në nivelin e duhur në dekadat e fundit. Çfarë masash po ndërmerren për përmirësimin e gjendjes, pasi shpesh janë dëgjuar kritika edhe për nivelin e ulët të përgatitjes së mësimdhënësve në Kosovë?

Ramë Buja: Me arsimin kosovar është eksperimentuar më shumë se pesë dekada dhe ky eksperimentim ka lënë gjurmët e veta dhe do t'i lerë ato edhe për ca vite të tjera. Është e pamundur që gjendja të ndryshojë brenda natës dhe që gjithçka të kthehet mbarë dhe aty ku dëhirojmë ne. Pas luftës janë bërë hapa serioze, hapa të mëdhenj si në infrastrukturën tenike shkollore, ashtu edhe në cilësinë e mësimeve. Por akoma jo sa duam ne. Nuk dua të krahasoj mësimin tonë me rajonin, sepse me rajonin jemi gati të barabartë, por qëllimi ynë është që të arrijmë nivelin e vendeve evropiane. Unë kam vizituar shumë institucione me famë në Britaninë e Madhe, Gjermani, Austri dhe vendet të tjera dhe kam parë se si zhvillohen studimet dhe punimet shkencore atje - aq sa mund të shihet gjatë një vizite. Kjo më ka inspiruar që të angazhohem edhe më shumë për përmirësimin e cilësisë së mësimeve në Kosovë. Por ne nuk mund të nisemi nga kulmi, duhet të nisemi nga themeli.

DW: Kur jemi tek themeli: sikurse edhe Ju e thatë ka pasur dhe ka shumë probleme, por cilat janë sfidat kryesore që kërkojnë zgjidhje emergjente?

Ramë Buja: Sfida kryesore ka qenë infrastruktura shkollore, sepse fëmijët tanë kanë mësuar në sistemin e tre turneve dhe në kushte shumë të rënda. Deri në fund të vitit, apo në fillim të vitit të ardhshëm, do të jenë përfunduar edhe 27 objekte shkollore, që janë duke u ndërtuar. Kjo është sfida e parë. Por në Kosovë është eksperimentuar shumë, sepse studentët tanë kanë nisur studimet e mjekësisë apo të inxhinierisë dhe kanë përfunduar si mësues. Kjo ka lënë pasoja të këqija...

DW: Zoti ministër, çfarë po bëni Ju për të ndryshuar këtë gjendje?

Ramë Buja: Para më pak se një viti unë kam marrë vendimin që ta transformojmë fakultetin e edukimit në Kosovë. Duke e transformuar këtë fakultet do të transformohet i gjithë Universiteti i Prishtinës dhe institucionet e tjera shkollore. Tendenca është që të përgatisim pedagogë të mirë në mënyrë që më vonë të kemi mësues, mjekë, inxhinerë, ekonomistë dhe ekspertë të tjerë të mirë në profesione të ndryshme. Ky projekt do të zgjasë dy vite si projekt pilot dhe më pas do të fillojë zbatimi i përhershëm. Projekti është hartuar sipas univesiteteve më prestigjoze në botë.

DW: Po mësimi në gjuhën serbe në Kosovë si është organizuar?

Ramë Buja: Mësimi në gjuhën serbe në Kosovë nuk është në nivelin që ne duam ta kemi. Akoma mësimi i gjuhës serbe dhe i programeve të nxënësve serbë nuk është konform programit dhe kurikulave të Kosovës. Ne i kemi bërë kurikulat edhe në gjuhën e tyre. Unë i kam vizituar disa komuna me shumicë serbe dhe kemi biseduar për këtë punë. Ata janë shprehur shumë të gatshëm që t'i realizojnë këto programe dhe kurikula, por në fakt gjërat kanë mbetur në vend. Unë shpresoj se marrëveshja e ardhshme mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë edhe në përmirësimin e gjendjes në këtë sektor, sepse është shumë e qartë që serbët e këtushëm kanë presione të jashtëzakonshme nga qendra në Beograd. Kemi shembuj të mirë në komunat që kanë hyrë në zgjedhjet tona, por në fakt akoma nuk jemi të kënaqur. Unë kam biseduar edhe me deputetët serbë në parlament dhe kam propozuar hapjen e degës së sllavistikës në Universitetin e Prishtinës. Studentët serbë duhet të kenë kontakte me studentët shqiptarë me qëllim që të zbuten ndjenjat që akoma ekzistojnë mes dy popujve. Kam propozuar që edhe Instituti i Historisë të zhvendoset nga Leposaviqi në Çagllavicë, edhe kjo është pranuar si ide. Ne kemi probleme me universitetin e tyre, i cili herë quhet i Mitrovicës e herë i Prishtinës, varësisht se prej kujt duan të marrin donacione. Ne jemi në kontakt edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë, por ende nuk ka ndonjë zgjidhje. Besoj se pas marrëveshjes në Bruksel do t'i qasemi seriozisht dhe do ta zgjidhim edhe këtë problem.

DW: Domethënë Ju prisni që kjo çështje të hapet edhe në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, i cili po zhvillohet në Bruksel?

Ramë Buja: Neve na mjafton një fjali, me të cilën do të hapej mundësia që këtij problemi t'i qasemi seriozisht. Ky univeristet që e quan veten herë i Mitrovicës e herë i Prishtinës, nuk na jep kurrë asnjë raport dhe ne nuk e dimë se si është gjendja atje. Sipas kornizës sonë ligjore ai duhet të na njoftojë me gjendjen në mësime dhe gjendjen financiare, me qëllim që ta ndihmojmë dhe jo ta pengojmë.

DW: Zoti ministër, keni dëgjuar për rastin ish-ministres gjermane të Arsimit Anette Schawan?

Ramë Buja: Po, kam dëgjuar.

DW: Dhe cili ëshë mendimi Juaj për këtë rast, ku një ministre e arsimit jep dorëheqje për shkak të supozimeve se punimi i saj shkencor, i bërë para 30 vitesh, ishte plagjiaturë?

Ramë Buja: Ky është një rast i mirë që duhet t'i bëjë të gjithë të reflektojnë. Një gjë e tillë me siguri që duhet të ndodhë edhe në Kosovë dhe unë e kam pëlqyer këtë gjë. Unë mendoj se nëse duhet të nisë diçka e tillë, pra verifikimi i diplomave, duhet të nisë nga i pari - nga ministri i arsimit.

DW: Zoti ministër, ka pasur kritika edhe në llogarinë tuaj, se punimi Juaj i doktoraturës nuk i plotëson kushtet e duhura shkencore?

Ramë Buja: Ata që e kanë nisur këtë temë, duket se nuk e kanë nisur mbarë. Megjithatë është hapur si temë, por ata të cilët e kanë nisur këtë debat, nuk e kanë ditur as cila është tema ime e magjistraturës dhe as ajo e doktoraturës. Sidoqoftë fenomeni gjithsesi është me rëndësi dhe pozitiv, sepse nëse ne nuk i luftojmë këto dukuri dhe nuk i godasim, ato do të lulëzojnë edhe më shumë dhe do të godasin të gjitha nivelet e arsimit.

DW: Domethënë edhe vet ministri është i gatshëm që t'i nënshtrohet verifikimit të diplomave të tij, me qëllim që të konstatohet nëse ato janë të një niveli të duhur shkencor?

Ramë Buja: Absolutisht po.

DW: Kosova ka nxjerrë vitet e fundit me qindra doktor shkence. Shpresoj se gaboj, por personalisht kam përshtypjen se ka një lloj inflacioni të titujve doktor i shkencës, ku jo gjithmonë respektohen kriteret shkencore. Mendoni se duhet bërë një verifikim i përgjithshëm i këtyre diplomave, apo përshtypja ime është e gabuar?

Ramë Buja: Nuk mund të them me bindjen e plotë 100 % se a e keni mirë apo keq. Por e them me përgjegjësi të plotë si ministër se jam i gatshëm t'i hyj kësaj pune. Ne kemi nënshkruar edhe një marrëveshje me qeverisë e Austrisë për digjitalizimin e maturave dhe në këtë kuadër kam kërkuar që të instalohet një software për antiplagjiaturë. Këtu do të hyjnë të gjitha librat, punimet dhe diplomat dhe do të verifikohet nëse i plotësojmë apo jo kriteret e duhura shkencore.

DW: A do të instohet ky program?

Ramë Buja: Besoj se po. Jemi në rrugë të mbarë dhe në këtë mënyrë do të konstatohet se si janë bërë doktoraturat dhe diplomat e filanit apo fistekut. Ka shqetësime të tilla, ndaj edhe ky sistem duhet të ekzistojë. Në vendet perëndimore ekzistojnë sisteme të tilla dhe para dorëzimit të punimeve më të thjeshta ato futen në këtë sistem dhe verifikohet se a i plotëson ai punim kriteret e duhura shkencore. Unë jam i gatshëm ta realizoj këtë gjë, për të eliminuar dyshimet për doktoraturat dhe dipomat.

DW: Zoti ministër, në media kam lexuar se diplomat në Kosovë mund të blihen me para, duke filluar nga diplomat e shkollave të mesme e deri tek doktoraturat. Keni Ju njohuri për dukuri të tilla dhe çfarë po ndërmerrni për eliminimin e tyre?

Ramë Buja: Njohuritë tona nuk konfirmojnë të dhënat që janë bërë publike në media, për shitjen e diplomave. Njerëzit për të cilët thuhet se gjoja po shesin diploma, janë verifikuar nga inspektoriatet tona menjëherë dhe është konstatuar se është fjala për njerëz që ndihmojnë në sistemimin dhe realizimin teknik të diplomave. Ky është informacioni jonë. Nëse këto probleme ekzistojnë, me ata persona duhet të merret prokuroria dhe gjyqësia. Por verifikimet tona tregojnë se ata njerëz japin ndihma teknike për të realizuar ndonjë temë.

DW: Zoti ministër, të kalojmë tek një temë tjetër, e cila u instereson me dhjetëra mijëra të rinjve, të cilët kanë kryer shkollën, i kanë marrë diplomat dhe rrinë në shtëpi - të papunë. Ju me siguri që nuk mund t'ju gjeni punë atyre, por në anën tjetër është përgjegjësi morale e Juaja që të merreni edhe me këtë çështje, që të angazhoheni dhe të bëni presion ndaj institucioneve që këta të rinj të punësohen. Jeni duke bërë diçka në këtë drejtim?

Ramë Buja: Falemnderit për këtë pyetje, sepse ky është me të vërtetë një problem shumë i madh. Ne kemi vendosur një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Odën Ekonomike të Kosovës me qëllim zbutjen e këtij problemi. Projekti po vazhdon të realizohet, por jo me shpejtësinë që ne do të donim, sepse qëllimi ynë është jo vetëm që të kujdesemi për shkollimin e të rinjve, por që shkollimin ta lidhim me ekonominë dhe biznesin, me qëllim që këtyre njërzve t'u hapen mundësi për punësim. Me autoritetet gjermane në Hamburg ne kemi arritur edhe një marrëveshje që njerëzit që shkollohen këtu në disa profesione të shkojnë atje për gjashtë muaj deri në një vit dhe të rikualifikohen. Sepse vetëm landit të Hamburgut i duhen rreth 42.000 ekspertë në sektorin e shëndetësisë.

DW: Keni arritur ndonjë marrëveshje për dërgimin e ekspertëve kosovarë në Gjermani, pasi në këtë vend ka nevojë për shumë ekspertë të huaj, ndërkohë që në Kosovë ka shumë njerëz të diplomuar, të cilët kanë mbetur të papunë?

Ramë Buja: Jemi në prag të realizimit të kësaj marrëveshjeje. Por të diplomuarit në Kosovë kanë nevojë për kualifikim të mëtejshëm për mësimin e gjuhës gjermane dhe përvetsimin e mëtejshëm të dijeve shkencore. Besoj se së shpejti do të ketë një marrëveshje të tillë edhe me Gjermaninë.