1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brukseli nikoqir për zgjidhjen e krizës në Maqedoni

Fatos Musliu28 Mars 2015

Në Bruksel, të hënën (30.04), pritet të fillojnë negociatat midis dy partive kryesore në Maqedoni VMRO-DPMNE dhe LSDM për daljen e vendit nga kriza politike.

https://p.dw.com/p/1EyvY
Fotografi: DW/S. Padori

Këto negociata do të zhvillohen me ndërmjetësim të eurodeputetëve të PE-se, demokristianit Eduard Kukan, liberalit Ivan Vajgëll, dhe socialistit Riçard Houit. Treshja e europarlamentarëve do të ketë një mision të vështiërë për të negociuar me përfaqësuesit e partive politike nga Maqedonia, meqë pas skandalit të përgjimeve, dy partitë më të mëdha maqedonase kanë qëndrim diametralisht të kundërt për tejkalimin e krizës politike në vend. Derisa partia në pushtet VMRO-DPMNE, kërkon zgjidhjen e krizës përmes instancave gjyqësore, LSDM-ja opozitare kërkon formimin e qeverisë kalimtare dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, kërkesë kjo që fillimisht është rrefuzuar nga VMRO-DPMNE.

BDI pro ndërmjetësimit ndërkombëtar

Në fillimin e negociatave në Bruksel për tejkalimin e krizës në Maqedoni nuk është ftuar partia shqiptare në qeveri BDI. Nga kjo parti thonë se ata do të inkuadrohen në bisedimet e mëtejshme. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdylaqim Ademi thotë se nga fillimi i krizës politike në vend, BDI me këmbëngulësi ka kërkuar ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.

“ Ne kemi kërkuar kyçjen e faktorit ndërkombëtar për tejkalimin e krizës me vendosjen e një dialogu të mirfilltë. Ne përshëndesim fillimin e negociatave të paralajmëruara mes subjekteve politike të Maqedonisë në Bruksel. BDI duhet të jetë pjesë e dialogut dhe pjesë e zgjidhjes dhe tejkalimit të kësaj situate të ndërlikuar politike në vend", shprehet Abdylaqim Ademi.

Kriza është serioze - duhen negociatorë të guximshëm

Iniciativa e ndërmjetësimit të Parlamentit Evropian përbën një fillim të mirë për t'i ulur në trezë palët dhe për t'u njohur me qëndrimet e tyre, por zgjidhja e krizës kërkon angazhimin e të gjithë institucioneve të BE-së përfshirë këtu nivelin më të lartë të saj, vlerësojnë analistët.

Analisti Petar Arsovski thotë se me vetë faktin që negociatat fillojnë në Bruksel e jo në Shkup, tregon se institucionet e Maqedonisë dukshëm kanë humbur kredibilitetin e vet.

“Edhe partia në pushtet pranon faktin se institucionet dhe ambienti në Maqedoni nuk kanë kapacitet për të realizuar një dialog korrekt, andaj ata udhëtojnë për në Bruksel. Vlerësoj se niveli i negociatorëve është i ulët dhe nuk mund të ketë efektin e pritur. Kriza në Maqedoni ka eskaluar dhe aty duhet të ndërmerren hapa të guximshëm”, vlerëson Arsovski.

Bojan Mariqiq, nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian, është i mendimit se për tejkalimin e krizës në Maqedoni kërkohen ndërmjetësues të kalibrit të Karl Bild, Kethrin Eshton, apo Mirosllav Lajçak.

“Këto personalitete kanë përvojë në zgjidhjen e krizave në Ballkan. Marrëveshjet, që arrihen në Bruksel, duhet të zbatohen në Maqedoni, por nga përvoja e deritanishme një gjë e tillë shumë vështirë arrihet tek ne“, vlerëson Mariqiq.

Malevski: Mossuksesi i bisedimeve do të thellojë krizën

Negociatat mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-se në Bruksel janë thikë me dy teha, thotë profesori universitar Denko Malevski. Mossuksesi i tyre mund të ndikojë që konflikti të zgjerohet edhe në anën shqiptare, që do të mund të bëhej edhe më i ndërlikuar. Roli i lehtësuesve ndërkombëtarë është i dobishëm, por nga një herë ai duket të jetë edhe si ”blerje kohe”.

“Pas këtyre ndërmjetësuesve duhet të qëndrojë ndonjë forcë kredibile, e cila do të bënte presione për gjetjen e zgjidhjes, gjë që është e nevojshme në të tilla situata. Sepse po të ishte ndryshe, këto konflikte në botë do t'i zgjidhnin priftërinjtë, ose fituesit e çmimeve për paqë”, thotë Denko Malevski, ish ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë.

Në dialogun politik në Bruksel partitë nga Maqedonia do të përfaqësohen nga zyrtartë të nivelit të ulët, ndërsa ndërmejtësues do të jenë eurodeputetët. Në këtë situatë zgjidhja nuk është e mundur, thotë ish kryeparlamentari Stojan Andov. Gjithnjë sipas tij, përfaqësuesit nga Maqedonia, që shkojnë në Bruksel, nuk kanë asnjë autorizim, që do të mundësonte fillimin e zgjidhjes së krizës.

“Me përfaqësues të partive vështirë se mund të tejkalohet kriza. Në Bruksel duhet të udhëtojë kryeministri Nikolla Gruevski dhe lideri i opozitës, Zoran Zaev. Vetë prezenca e tyre atje, mund t'i obligojë ata që marrëveshjet e arritura, në përpikshmëri të zbatohen në Maqedoni", thotë Andov.

Se bisedat, që do të zhvillohen në Bruksel, duhet të jenë të një niveli më të lartë, është e mendimit edhe Simonida Kacarska nga Instituti per Demokraci Evropiane. Eurodeputetët edhe në të kaluarën kanë pasur rolin e ndërmjetësimit për kriza të ndryshme në Maqedoni, por epilogu i këtyre ndërmjetësimeve nuk ka qenë çdo herë i sukseshëm. Maqedonia tani është përfshirë në një krizë akoma më të thellë politike, prandaj Kacarska nuk është shumë optimiste se fillimi i bisedimeve në Bruksel do të mund ta zgjidhë krizën në Maqedoni.

“Shpresoj se në periudhën e ardhshme do të ketë një përfshirje në nivel më të lartë nga BE-ja, por edhe nga përfaqësues eminentë të organizatave të tjera ndërkombëtare. Çdo marrëveshje e arritur në bisedime duhet të ketë monitoruesin e fortë, i cili do të ndjekë zbatimin e saj në praktikë. Çdo lëvizje nga ky koncept hap rrugën e thellimit të krizës në Maqedoni”, vlerëson Kacarska.

Në takimin e së hënës në Bruksel partinë në pushtet VMRO-DPMNE pritet ta përfaqësojë ministri i jashtëm, Nikolla Popovski, ndërsa opozitën maqedonase, Radmilla Sheqerinska.