1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marsejë-Provansë 2013

Lindita Arapi16 Shtator 2013

Rajoni Marsejë-Provansë është kryeqytet europian i kulturës në 2013-n. Por rajoni i famshëm i Provansës franceze nuk ofron vetëm fushat e lavandës dhe historinë antike, por edhe muzeume spektakolarë, si MuCEM.

https://p.dw.com/p/19iEb
Fotografi: DW/L.Arapi

Franca nuk ka nevojë për ndonjë publicitet të veçantë për të prezantuar pasurinë e saj kulturore. La France! Vend i kulturës e historisë! Këtë bindje nuk e kanë vetëm francezët për vendin e tyre. Por me sa duket edhe Franca mesdhetare ka dëshirë të jetë në qendër të vëmendjes për 365 ditë. Një skenë të tillë e ofron përzgjedhja si kryeqytet i kulturës në Europë - një projekt i BE-së, i inicuar nga viti 1985. Për 2013-n kryeqytetet europiane janë Marsejë-Provansë dhe qyteti sllovak Kosiçe.

Marsejë- Provansë ka më shumë për të ofruar se fushat e famshme me lavandë, dritën tipike të jugut francez që frymëzoi shumë piktorë të njohur. Kush e ka vizituar rajonin, e kupton prezantimin që i bën Jacques Pfister, presidenti i bordit administrativ të Marseille-Provence 2013 në faqen zyrtare online të kryeqytetit kulturor. “Nuk ishte e lehtë bashkoje në një „Marsejë-Provansë 2013 - një udhëtim unik në historinë tonë, realitetin, dëshirat dhe projektet.“

Mesdheu i përbashkët

Por për një vit rajonet eMarseille, Aix-en-Provence, Arles, Aubagne, Gardanne, Istres, La Ciotat, Martigues, Salon-de-Provence“ u bashkuan me 400 aktivitete dhe projekte të pazakonta në kryeqytetin kulturor europian 2013, 800 milionë euro kushtuan të gjitha parapërgatitjet. Motoja që i bashkoi të gjithë: Mesdheu - një det i përbashkët” – qëllimi: Lidhja e të dyja anëve të Mesdheut. Nga kërcimi artistik, muzika, letërsia, e teatri, deri tek ekspozitat e artit, gastronomia dhe kinemaja.

Marsejë-Provansë është konceptuar si një projekt gjigand ndëraktiv, ku jo vetëm artistët, por edhe publiku ftohen të marrin pjesë e të pasurojnë kryeqytetin kulturor 2013. Një histori kulturore me tre kapituj, ku për çdo sezon përgjatë 2013-s ofrohen evenimente kulmuese, si TransHumance – një procesion gjigand artistik me kuaj, parada kryesore e të cilit u mbajt në Marsejë, "Le Grand Atelier du Midi” – një ekspozitë duale arti në Marsejë dhe Ex-an Provansë që përfshin periudhën 1880-1960 e të gjitha rrymat që morën frymë për herë të parë në Francë dhe përcaktuan artin e shekullit XIX e XX – nga impresionizmi deri tek surealizmi, kubizmi e artet abstrakte. Por edhe 100 vjetori i lindjes së shkrimtarit ekzistencialist Albert Camus festohet përgjatë vitit kulturor. Çdokush e gjen ofertën e përshtatshme në këtë program kulturor.

Arl antik takon skulptorin Rodin

Arl është njëri nga qytetet pjesëmarrës të Marsejë-Provansë 2013, e njohur shkurt si MP2013. Një qytet i njohur antik, vendstrehim i përkohëshm i Van Gogut, Arl prej kohësh është një atraksion turistik. Prandaj punonjësja e Qendrës së Informacionit të kryeqytetit kulturor MP2013 në Arl, Magali Polo thekson se ky vit nuk ka sjellë më shumë turistë për ne, sepse gjatë gjithë vitit ata janë pjesë e qytetit, por disa highlights të rinj. "Kemi tre ekspozita të rëndësishme, për shembull ekspozita e Auguste Rodin (1817-1917), e cila ndryshon nga muzeu në Paris. Këtu kemi një qytet antik, kështu krijohet marrëdhënia me periudhën romake, punët e Rodin u frymëzuan nga kjo periudhë. Por kemi edhe skulpturën e famshme të Venusit të zbuluar në Arl, e të përqëndruar në Paris, për herë të parë ajo është zhvendosur nga Parisi që prej 300 vjetësh."

Arles Das Amphitheater
Amfiteatri antik në Arl, një prej qyteteve të Marsejë-Provansë 2013Fotografi: DW/L.Arapi

Por vëmendjen e arlinezëve e tërhoqi në gusht një festë gastronomie me një meny perfekte nga kuzhinerë klasi të rajonit provençal vetëm për 15 Euro, e arlinezët e dinin, se kjo u bë për shkak të kryeqytetit kulturor, thotë Magali Polo. Një dhuratë për rajonet francezojugore, të njohura për çmimet e larta.

Van Gog duhet të presë

Simbolet e kryeqytetit të kulturës i sheh kudo në Arl, por ku është në program Van Gogu, me të cilin shumë vetë lidhin emrin e qytetit Arl? "Po ju kuptoj," thotë Magali Polo, "ne nuk kemi pasur kurrë muze të Van Gogut, megjithëse të gjithë turistët pyesin përditë ku është muzeu... Por tani falë kryeqytetit kulturor, fondacioni i Van Gogut do të rikonceptohet në një godinë të re me vepra të Van Gogut që për herë të parë do të vijnë në Arl, janë vepra të cilat Van Gog i pikturoi këtu, rreth 10 piktura ."

Pa dyshim, arlinezët i gëzon fakti që qyteti i tyre është pjesë e kryeqytetit kulturor europian, thotë Magali Polo, por Arl si qytetet e tjera të rajonit vuan për shkak të Marsejës. Impulset e kryeqytetit kulturor ndjehen më shumë në Marsejë, madje shumë vetë njohin Marsejsën si kryeqytet kulturor, duke harruar rajonet e tjera të Provansës. Magali nuk e fsheh as ajo. “Të gjithë televizonet flasin vetëm për Marsejë, Marsejë e prapë Marsejë."

Aix-en-Provence Provence Frankreich
Aix-en-ProvenceFotografi: picture alliance/Peter Richardson/Robert Harding

Po të shikosh prezantimin mediatik në Gjermani për prezantimin e kryeqytetit kulturor Marsejë-Provansë 2013, Magali Polo ka të drejtë. Shumë media janë përqëndruar tek ajo që njihet si “rebelja e bukur”, “Porta e Orientit”, Marseja, lokomotiva e kryeqytetit kulturor 2013. Para tre vitesh, Jean-Pierre Gaudin, kryebashkiaku i qytetit të dytë më të madh francez, pas Parisit premtoi se “Marseja do të shkëlqejë si një diamant” përgjatë vitit kulturor 2013.

"Rebelja e bukur" - Marseja

Synimi: Një ndryshim i plotë i imazhit të një qyteti që vitet e fundit zinte shpesh kryeartikujt francezë, për shkak të lagjeve veriore të tij, ku sundon kriminaliteti dhe varfëria. Një premtim i mbajtur pas vitesh riparimesh e bllokimesh trafiku me qëllimin e vetëm -ripërtëritjen e plotë të Marsejës. Në një përzgjedhje të Nju Jork Times për “Places to be” – vendet që duhen vizituar në 2013-n, Marseja renditet e treta.

Por në këtë qytet historikisht multikulturor nuk janë rindrequr vetëm monumentet e muzeumet ekzistues. Marseja merr si dhuratë në këtë vit të kryeqytetit kulturor, MuCEM – muzeun e qytetërimeve të Europës dhe Mesdheut – emblema e re e Marsejës. MuCEM nuk është një muze dosido, por një mrekulli arkitektonike, i cilësuar si një muze spektakolar. I inaguruar nga presidenti francez Francois Hollande më 7. Qershor, MuCEM është muzeu i parë kombëtar francez jashtë Parisit, me peshë 200 milionë euro - një arsye më shumë për të shtuar krenarinë e Marsejës, qytetit gjithmonë oponent ndaj superfuqisë së përhershme të Parisit.

MuCEM - qiell, det dhe histori mesdhetare

MuCEM - një kub qelqi me një mbulojë të plasaritur betoni në formë ornamentesh që të kujtojnë Orientin, i rrahur nga valët e Mesdheut lidhet me një urë të lartë me historinë, fortesën, Saint Jean. Një urë kjo që e lejon vizitorin të reflektojë për historinë e të dyja anëve të Mesdheut, Oksidentin e Orientin.

Marseille MuCEM Museum Brücke
Ura lidhëse e MuCEMFotografi: DW/L.Arapi

40.000 m2 i ofrojnë publikut historinë e të sotmen e brigjeve mesdhetare, një pikëtakim e përballje e popujve, kulturave, traditave, feve. Tre ekspozita permanente e shoqërojnë vizitorin nëpër historinë e qytetërimeve. “Galeria e Mesdheut” – një platformë ku prezantohen civilizimet kryesore që lindën përgjatë Mesdheut, udhët e zhvillimit, por edhe të konfrontimit mes tyre. Ndërsa në ekspozitën tjetër “E Zeza dhe Bluja” vizitori ftohet të reflektojë mbi dritëhijet e ëndrrës mesdhetare, “Në pazarin e gjinive” sillen perceptimet e ndryshme mbi rolin e mashkullit e femrës në shoqëritë mesdhetare sot.

Edhe Shqipëria, një vend që lidhet me Mesdheun përmes Adriatikut është prezente në ekspozitën e gjinive me një prezantim të shkurtër fotografik e filmik mbi “Virgjëreshat e betuara” – femrat që zgjedhin rrugën e burrërimit, duke zëvendësuar shpesh mashkullin që mungonte në familje.

Punonjësja e zyrës së shtypit të MuCEM, Marine Baran është e entuziazmuar. "Ky është ylli i ri i Marsejës dhe që i ka dhënë që tani qytetit një imazh të ri", thotë ajo e gëzuar. Edhe përshtypjet e vizitorëve që dalin të mrekulluar e mbështesin këtë. Njëri prej tyre i ka mbetur Marine Baran në mendje. "Ky është vërtet muze."