1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Borchardt: Eulexi nuk bën fushatë politike

Bahri Cani21 Shkurt 2014

Eulexi arrestoi së fundi disa prej personave shumë të njohur në Kosovë. Këtë javë ngriti aktakuzë të re kundër Fatmir Limajt. Për këto aktakuza dhe rolin e Eulexit pas qershorit në Kosovë për DW flet Bernd Borchardt.

https://p.dw.com/p/1BDSu
Bernd Borchardt
Fotografi: DW/B. Cani

Deutsche Welle: Zoti Borchardt, kohët e fundit Eulexi ka qenë shumë aktiv. Të përmendim vetëm disa: Oliver Ivanoviq dhe Dragoljub Delibashiq në veri, Ukë Rugova dhe para dy ditësh ngritja e aktakuzës kundër ish ministrit Fatmir Limaj me bashkëpunëtorë. Në opinion është krijuar një përshtypje se Eulexi ka filluar një fushatë të arrestimeve dhe ngritjes së aktakuzave. A ka të bëjë kjo vetëm me përfundimin e hetimeve, apo Eulexi me në fund ka marrë guximin të merret edhe me këto raste?

Bernd Borchardt: Kjo s'ka të bëjë fare me marrjen e guximit. Hetimet e kanë një rrjedhë normale. Ndonjë herë ato pëfundojnë shpejt, në rastet e tjera zgjasin më shumë, e ndonjë herë ndodh që nuk gjen dëshmitë e duhura për ngritjen e aktakuzës dhe një rast duhet të mbyllet. Eshtë rastësi që në disa javët e fundit kemi përfunduar disa procese të mëdha dhe që prokurorët kanë mbledhur materialin e mjaftueshëm për të lëshuar një fletarrest. Kjo ka të bëjë me rastin e Oliver Ivanoviqit dhe zotit Delibashiq, të cilët akuzohen për vrasje dhe krime lufte. Në rastin e Ukë Rugovës bëhet fjalë për kriminalitet të organizuar dhe mashtrime, ndër tjerash edhe mashtrime të ambasadës italiane. Zoti Vllashkoviq akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e një polici të Kosovës. Ai është liruar me kaucion. Tani kemi edhe rastin e ish ministrit të Transportit dhe disa bashkëpunëtorë të tij, të cilët akuzohen për keqpërdorimin e postit dhe disa akuza të tjera.

DW: Arrestimi i ish ministrit Fatmir Limaj erdhi në një moment, kur ai dëshironte të shpallte krijimin e një partie politike. Në opinionin kosovar ëshë krijuar një bindje se Eulexi po përzihet në proceset politike në Kosovë. Sa qëndrojnë këto akuza?

Bernd Borchardt: Nëse unë do të përpiqesha në çfarëdo forme t'i influencojë politikisht prokurorët apo gjykatësit, ata do të ankoheshin në mënyrë masive kundër meje në Bruksel dhe në Berlin, me plot të drejtë. Ndaj unë nuk e bëj një gjë të tillë. Nuk kam as përshtypjen se prokurorët dhe gjykatësit këtu po i ndjekin interesat politike. Fjala është për raste, për të cilat prokurorët mendojnë se në një moment të caktuar kanë dëshmi të mjaftueshme për të ngritur aktakuzën.

DW: Kur mund të fillojë procesi kundër Fatmir Limajt dhe të tjerëve?

Bernd Borchardt: Nuk kemi ndonjë termin të caktuar, por ne po përpiqemi që proceset të fillojnë sa më parë. Të gjithë të akuzuarit janë të pafajshëm, deri sa nuk dënohen. Ky është rregulli i çdo shteti juridik. Para gjykatësve të Eulexit janë nxjerrë reth 500 persona në pesë e gjysmë vitet e fundit. Prej tyre rreth 350 janë dënuar, ndërsa rreth 150 janë shpallur të pafajshëm. Kemi pasur raste nga më të ndryshmet. Në disa raste kanë mjaftuar dëshmitë për 3-4 të akuzuar, ndërsa të tjerët janë liruar. Ka pasur raste, kur të gjithë janë dënuar, apo të gjithë janë liruar. Nga kjo shihet se të gjithë të akuzuarit janë të pafajshëm, deri sa me të vërtetë nuk denohen.

DW: Një vëmendje të madhe të opinionit ka zgjuar edhe rasti i Oliver Ivnoviqit, i cili për një kohë të gjatë është konsideruar si politikan i matur, e tani akuzohet për krime lufte. Tani kanë dalur në opinion edhe informacione se ai është dashur të arrestohet që në vitin 2002, por këtë nuk e kanë lejuar forcat franceze. Sa të vërteta janë këto pohime, apo edhe në këtë rast deri tani nuk ka pasur dëshmi të mjaftueshme për arrestimin e tij dhe për ngritjen e aktakuzës?

Bernd Borchardt: Për këto pohime duhet të pyesni prokurorët dhe gjykatësit, që me këtë rast janë marrë në atë kohë. Unë nuk mund të përgjigjem në këtë pyetje, por e përsëris që një prokuror ngritë aktakuzën, kur mendon se ka dëshmi të mjaftueshme. E di që në Ballkan shumë pak njerëz besojnë në rastësi, por kështu është gjendja.

DW: Kur jemi te parimi i pafajësisë, për të cilin folët më lart, edhe Ivanoviqi pra ka të drejtë të kandidojë për kryetar bashkie në Mitrovicën Verire, apo jo?

Bernd Borchardt: Po, këtë e lejon drejtësia kosovare. Ai mund të kandidojë. Edhe në zgjedhjet e fundit komunale ka pasur raste të këtilla. Një prej tyre është, për shembull, një person nga i ashtuquajturi „Grupi i Drenicës“.

DW: Zoti Borchardt, sipas të gjitha informacioneve, që mund të lexohen dhe dëgjohen, para jush keni edhe disa raste tepër të rëndësishme. Sipas të gjitha gjasave, hetuesia juaj ka shkuar larg në hetimin e dyshimeve për tregti me organe. Ka informacione madje se së shpejti do të arrestohen disa persona të njohur në Kosovë. Cilat janë informacionet e sakta, deri ku ka shkuar hetuesia?

Bernd Borchardt: Ka tri raste të trafikimit të organeve të njeriut në të cilat është përfshirë Eulexi. Rasti i parë ishte „Rasti Medicus“, në të cilin në prill të vitit të kaluar janë denuar pesë persona në gjithsej 20 vjet heqje lirie, për shkak të tregtisë me organe dhe për vepra të tjera. Në rastin e dytë, ku janë të dyshuar tetë persona, bëhet fjalë për kriminalitet të organizuar, trafikim me njerëz dhe lëndime të rënda trupore. Ky është një rast, ku hetimet po vazhdojnë dhe prokurorët po përpiqen të mbledhin dëshmitë e mjaftueshme. E di natyrisht që juve ju interesojnë pohimet për trafikim me njerëz në vitet 1999 dhe 2000, të cilat përmenden në të ashtuquajturin raporti i Dick Marty. Por mund t'ju them vetëm se hetimet po vazhdojnë. Për hollësitë nuk mund të them asgjë më shumë.

DW: Kjo do të thotë se të gjithë emrat e personave, të cilët mund të lexohen në mediat e këtushme janë vetëm spekulime, apo ka dicka të vërtetë, sepse ka informacione, që disa persona të njohur në Kosovë i kanë përgatitur gjërat për kohën e arrestimit?

Bernd Borchardt: Hetimet po vazhdojnë dhe deri sa këto hetime janë në vazhdimësi, nuk mund të komentoj më shumë.

DW: Si qendron puna me pohimet për krijimin e një tribunali të vecant jashtë Kosovës, i cili do të merrej me gjykimin e të akuzuarve për trafikim me organe?

Bernd Borchardt: Natyrisht që edhe unë i kam parë këto informacione në media. Por nuk dua t'i komentoj.

Dë: Kjo nuk është në plan, apo nuk doni t'i komentoni këto pohime?

Bernd Borchardt: Nuk dua t'i komentoj.

DW: Zoti Borchardt, këto procese duhet të përfundojnë sa më parë, sepse juve së shpejti, pra në qershor, ju përfundon mandati. Në oponion është krijuar një përshtypje se për këtë shkak Eulexi ka filluar një lloj fushate për arrestime, për të treguar se ai është i domosdoshëm në Kosovë?

Bernd Borchardt: Unë nuk mund te spekuloj, nëse dikush me qëllim është më aktiv apo jo. Por për veten time mund të them se jam gjithmonë shumë aktiv dhe kjo me siguri që nuk ka të bëjë me përfundimin e mandatit. Por natyrisht që prej verës së kaluar po diskutohet më shumë për një mandat të ri. Shërbimi për Politikë të Jashtme i BE ua ka paraqitur vendeve anëtare të BE një propozim se si do të duket ardhmëria e mandatit të Eulexit. Ky propozim po diskutohet tani me vendet e tjera. Javën e kaluar kam qenë në Bruksel, ku është dashur të jap shumë shpjegime. Ne i kemi dhënë këto shpjegime dhe takimi i radhës do të mbahet të hënën e ardhshme. Pra, procesi po vazhdon.

DW: Qeveria e Kosovës ka kërkur që të përfundojë mandati i tanishëm i Eulexit, por Eulexi do të mbetet apo jo?

Bernd Borchardt: Tani edhe mua më duhet të spekuloj, por mendoj se edhe më tej në Kosovë do të ketë një mision evropian, i cili sipas të gjitha gjasave prapë do të quhet Eulex, ndonëse as kjo nuk është e sigurt. Propozimi i fundit parashikon që misioni të ketë një mandat të ndryshuar. Se si do të duket, tani është vështirë të thuhet, sepse për këtë duhet të bien dakord vendi nikoqir, pra Kosova, strukturat në Bruksel dhe 28 vendet anëtare, gjë që nuk është e thjeshtë. Por edhe ky proces po vazhdon.

DW: Sa janë të gatshme institucionet e këtij vendi për të marrë përgjegjësi të plota për rastet e krimeve të luftës, kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit të rëndë, apo këto raste edhe më tej duhet të mbeten në duar e ndërkombëtarëve?

Bernd Borchardt: Gati qe një vit ne e kemi ndryshuar bukur shumë kursin e misionit. Në fillim misioni ka bërë përpjekje që të zgjidhë problemet për Kosovën. Ndërsa së fundi po përpiqemi që të bashkëpunojmë sa më ngusht dhe problemet t'i zgjidhim së bashku me insitucionet e Kosovës. Për shembull, rasti i djalit të ish presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugova është një rast i realizuar nga Policia e Kosovës, të cilën ne e kemi mbështetur. Ka dhe shumë raste të tjera të ngjashme. Prej majit të kaluar nuk është bërë asnjë bastisje vetëm nga Eulexi, por gjithmonë në bashkëpunim me policinë kosovare. Kjo është edhe filozofia ime e një mandati të ri: që ne të bëjmë sa më shumë së bashku me kosovarët. Në sektorin e prokurorëve nuk kemi shkuar as larg sa në polici. Por një nga tri grupet e prokurorëve tanë vitin e kaluar ka nisur 12 procese, ndër to 11 në grupe të përziera me kosovarët. Sa i përket krimeve të luftës, rregullat e tanishme juridike parashikojnë që këto raste të hetohen prej prokurorëve tanë, por edhe këtu po përpiqemi që në disa segmente t'i inkuadrojmë edhe kosovarët. Ideja ëshë që gjërat t'i bëjmë së bashku. E sigurt është që këshilltarët tanë do të mbeten në Kosovë. Mendoj se mandati këshillues ka qenë shumë i suksesshëm. Nëse shikoni sondazhet për imazhin e policisë, Policia e Kosovës ka një mirëbesim të jashtëzakonshëm tek populli. Transparency International ka bërë një sondazh për imazhin e policisë në shumë shtete të rajonit dhe ka rezultuar se Policisë së Kosovës i besohet më së shumti nga të gjitha policitë në rajon. Edhe sondazhet tona japin rezultate të ngjashme. Do të thotë: ne jemi në rrugë të mirë. Këshillat tona pranohen me dëshirë dhe kanë sukses. Ky sukses i takon edhe OSBE-së e cila ka stërvitur policët këtu. Unmiku ka bërë shumë, por mendoj se edhe ne kemi dhënë një kontribut të madh. Situatë e ngjashme është edhe sa i përket doganave. Në vitin 2007 doganat kanë marrë rreth 500 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar megjithë krizën ekonomike, 850 milionë euro. Domethënë shumë gjëra janë bërë, por ende nuk e kemi arritur qëllimin, por besoj mund të bëhet edhe më shumë. Sektori i tretë, ku jemi të mirëseardhur nga të gjithë, është ndihma në zbatimin e Marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit. Ne ofrojnë ndihmë në pikëkalimet kufitare, si dhe në ndërtimin dhe stërvitjen e policisë kosovare në veri të Kosovës. Aktualisht po bisedohet për organet juridike në veri. Por ne jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe në këtë sektor.

DW: Si e shihni ju rolin e Eulexit në veri të Kosovës, ku me siguri që do të ketë nevojë për më shumë ndihma?

Bernd Borchardt: Misioni i Eulexit ka nisur në vitin 2008, ndërsa në prill të vitit 2009 e ka arritur shkallën e operacionalitetit. Prej atëherë jemi prezent dhe veprojmë edhe në veri. Në gykatën në veri të Mitrovicës veprojnë vetëm organet tona. Atje kemi përpunuar rreth 80 raste, por sa i përket kriminalitetit më të vogël, atje janë grumbulluar shumë raste, në radhë të parë raste civile. Pjesërisht me këto punë janë marrë atje organet juridike serbe. Ndër rastet, ku kemi punuar ne, ka pasur edhe raste të rënda. Për shembull, për pjesëmarrje në incidentet e marsit të vitit 2008. Një sektor tjetër, ku jemi ta angazhuar janë edhe pikëkalimet kufitare, ku ndihmojmë jo vetëm në stërvitje dhe dogana, por edhe kur paraqiten probleme mes autoriteteve të dy vendeve. Një storje suksesi është edhe ndërtimi i policisë kosovare në veri. Në fillim ishte ngritja e policisë kosovare në veri, ndërsa së fundi edhe integrimi i ish policëve paralelë, pra pjesëtarëve të MUP-it, në Policinë e Kosovës. Ky proces po zhvillohet mirë dhe jemi të gatshëm ta vazhdojë me angazhimin tonë. Kur të përfundojnë negociatat në sektorin e drejtësisë, ne do të ofrojmë ndihmat tona edhe në këtë sektor. Ne kemi mbikqyrur edhe procesin e shuarjes së organeve policore dhe juridike paralele, sepse kjo është e domosdoshme në shumë sektorë civilë. Në veri kemi mbështetur në mënyrë masive edhe procesin e zgjedhjeve lokale. Këtë do ta bëjmë edhe këtë fundjavë.

DW: Domethënë, ju keni ndërmarrë masat për zbatimin e qetë të zgjedhjeve të ardhshme lokale në Mitrovicën Veriore?

Bernd Borchardt: Natyrisht. Së bashku me Policinë e Kosovës dhe me Kforin kemi hartuar një plan sigurie dhe do ta zbatojmë në mënyrë që zgjedhjet të kalojnë në qetësi.