1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Boeing apo Airbus - konkurrenca e të mëdhenjve

BrigitteScholtes/Pandeli Pani16 Korrik 2014

Avioni Jumbo-Jet i prodhuesit amerikan Boeing quhet si "Mbretëresha e Qiejve". Lufthansa është klient i rëndësishëm i Boeing.

https://p.dw.com/p/1CdeP
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në veri të Seattle, në Everett, në Washington State, montohen avionët e mëdhej të prodhuesit amerikan Boeing. Dhjetë jumbo mund të montohen këtu në të njëjtën kohë. Kjo sa i përket vëllimit është salla më e madhe në botë.

Në verën e vitit 1965 Boeing filloi zhvillimin e avionit të parë të këtij lloji, me iniciativën e Juan T. Trippe, themelues i shoqërisë ajrore amerikane PanAm, kujton inxhinieri Joe Sutter, sot 93 vjeç. "Në ditët e para të avionit 747 zhvilluam biseda me PanAm-in, me Lufthansën dhe donim të dinim dëshirat e tyre. Ne u treguam atë që mund të bëjë teknologjia e turbinave të këtij avioni dhe pastaj punuam së bashku për zhvillimin e këtyre avionëve. "

Ekonomik dhe ekologjik

PanAm nuk ekziston më që nga viti 1991, por Lufthansa gjermane vazhdon të jetë klient i Boeing. Lufthansa vazhdon të luaj një rol të madh në zhvillimin e këtyre avionëve, thotë Nico Buchholz, i cili është përgjegjës për menaxhimin e flotës të Lufthansës. Lufthansa bleu tani avionin e 1500-të Jumbo 747, i cili ka qenë gjithmonë pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e flotës për linjat e gjata," thotë menaxheri.

Boeing 747
Boeing 747Fotografi: picture-alliance/dpa

Avionët e rinj të tipit Boeing 747-8 shpenzojnë 16% më pak karburant, çlirojnë më pak CO2 dhe bëjnë 30% më pak zhurmë se modeli paraardhës 747-400.

Synimi për t'u bërë sa më të efektshëm vlen si për Airbus edhe për Boeing. Dy prodhuesit më të mëdhej në mbarë botën janë në konkurrencë të vazhdueshme me njëri-tjetrin. Vetëm disa javë më parë shoqëria ajrore Emirates anuloi një porosi për 70 avionë Airbus A 350 dhe shprehu interes për modelet e ngjashme të Boeing.

Stimuj për konsumatorët

Ne sot duhet t'u ofrojmë klientëve gjithmonë stimuj të rinj, thotë drejtori i programit 747, Eric Lindblad. P.sh. përmes modeleve të financimit apo shërbimeve shtesë.

Po konkurrenca nxit biznesin, thotë Joe Sutter, i cili konsiderohet tek punonjësit e Boeing si "babai i Jumbos". Airbusi prodhon aeroplanë të mirë, por: "Unë mendoj se A380 nuk qe i mirë për ta, se kushton miliarda dollarë dhe nuk do të ketë të ardhme të gjatë." Sidoqoftë ai mendon se A320 dhe A330 janë avionë shumë të mirë dhe se gjithsesi është e rëndësishme që të ketë një konkurrent. "Kjo e mban Boeing në tension."