1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Biznesi gjerman ka mjaft hapësira për të depërtuar në Shqipëri

Arben Muka24 Tetor 2008

Sipas presidentit të Unionit të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, Ilir Zhilla, sektori i energjisë dhe i ndërtimit janë më atraktivët për investimet gjermane ne Shqipëri.

https://p.dw.com/p/Fg0l
Aeroporti i Tiranës
Aeroporti i TiranësFotografi: DW

Presidenti i Unionit të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, Ilir Zhilla e vlerësoi shumë pozitivisht konferencën ekonomike shqiptaro-gjermane që u zhvillua së fundi në Tiranë, si një rast i mirë ku u diskutua gjerësisht për marrëdhëniet mes dy vendeve.

"Jo thjesht për të bërë bilancin e dy dekadave, por dhe për të parë realitetin dhe të ardhmen e kooperimit, fushat më prioritare, interesin reciprok, avantazhet e disvantazhet. Fakti që në delegacionin e palës gjermane ishin rreth 80 përfaqësues të firmave e kompanive tregon seriozitetin për t’i dhënë veprimtarisë një karakter konkret, sa më frytdhënës", thotë për DW, Ilir Zhilla.

Ai e ka përshkruar prezencën e biznesit gjerman në Shqipëri si mjaft të sukseshëm, me imazh të besueshëm tek publiku. Zhilla merr si shembull tipik transformimin radikal në një kohë të shkurtër të aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza" në Tiranë, ku paketën kryesore të manaxhimit e ka një kompani gjermane e njohur.

"Ka dhe sektorë të tjerë ku ata janë të prekshëm ne rezultate nga ana komunitetit, si në infrastrukturë, furnizimin me ujë të pijshëm dhe sistemin e kanalizimeve e të ujrave të zeza, në turizmin malor etj. Ashtu si ka mjaft hapësirë që biznesi gjerman të jetë edhe më prezent në Shqipëri", thotë Ilir Zhilla, president i Unionit të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë.

Zhilla përmend dy fusha kryesore, energjetikën e ndërtimin. Në sektorin e energjisë ka shumë projekte të mëdha, si privatizimi i operatorit të sistemit të shpërndarjes, OSSH, ndërtimi i burimeve të reja energjetike në kaskadat e lumenjve, ndërtimi i termocentraleve, apo dhënia me koncesion e objekteve energjetike ekzistuese ku dhe është shfaqur interesim prej kohësh nga sipërmarrjet gjermane.

"Shqipëria ka një vijë bregdetare rreth 420 km dhe e ardhmja është ndërtimi i porteve të reja dhe modernizimi i atyre ekzistuese. Ky është një aspekt ku prezenca gjermane nuk mund të mungojë. Një kooperim i portit të Hamburgut me Portin e Durrësit është mjaft i suksesshëm aktualisht, çka provon seriozitetin dhe potencialin që ka sipërmarrja gjermane në këtë aspekt. Fushë tjetër ku është shprehur interes nga biznesi gjerman është dhe projektet e ndërtimit të zonave industriale në Shqipëri.

Një kompani gjermane është afruar për zonën industriale të Lezhës, por atraktive them se janë dhe ato të Durrësit, të Vlorës dhe të Shkodrës. Firmat që zhvendosin aktivitetin e tyre në këto zona do të kenë lehtësi për fuqinë punëtore, për nivelin e ulët të taksave, për garantimin non stop në shfrytëzimin e ujit teknologjik energjisë elektrike etj." thotë për DW Ilir Zhilla.

Ai thotë se pas konferencës ekonomike shqiptaro-gjermane që u mbajt këto ditë në Tiranë do të ketë një intesifikim më të madh të marrëdhënieve dypalëshe. Në Unionin e Dhomave të Tregtisë në Tiranë sapo është atashuar një këshilltar ekonomik gjerman, Oliver Rohrbach. "Për dy vitet e ardhshme Rohrbach, me përvojën e tij do të koordinojë marrëdhëniet mes biznesit gjerman dhe atij shqiptar, do të shkëmbejë informacione nga të dyja krahët për fushat që janë me interes për kompanitë e firmat. Do të organizohen dhe veprimtari kontaktesh, trainime e vizita pune për t’i gjallëruar edhe me shumë marrëdhëniet në fushën e biznesit", thotë Ilir Zhilla.