1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedohet për emrin dhe jo për identitetin e Maqedonisë

Fatos Musliu30 Korrik 2014

Ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrint, Metju Nimic, zhvilloi takime të ndara me krerët më të lartë politikë të Maqedonisë lidhur me dinamikën e bisedimeve për çështjen e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë.

https://p.dw.com/p/1CmBQ
Metju Nimic
Fotografi: DW

Diplomati amerikan Nimic ka vlerësuar pozitivisht qëndrimet konstruktive të Shkupit lidhur me zgjidhjen e problemit të emrit. Ai ka ripërsëritur qëndrimin e OKB-së se tani është koha e duhur për t'u zgjidhur ky kontest. Pas zgjedhjeve të organizuara në Maqedoni dhe zgjedhjeve evropiane në Greqi, është koha e duhur për t'i ringjallur negociatat. Shkupi shfaqi gatishmeri për të dëgjuar idetë e mia për zgjidhjen e problemit dhe shpresoj që edhe pala greke do të jetë konstruktive në këtë drejtim. Në negociatat e detitanishme vazhdimisht shpalosen ide në tavoline për çështjen e emrit dhe në to nuk bisedohet për identitetin, por për emrin e shtetit, është shprehur në Shkup ndërmjetësi i OKB-s për çështjen e emrit, Metju Nimic.

Konstruktivitet dhe respektim i kornizave

“Mandati i OKB-së është i qartë dhe i referohet emrit të shtetit, që do të thotë se në negociata bëhet ndërmjetësim vetëm për emrin e shtetit. OKB nuk negocion për identitetin e një populli, popujt e krijojnë identitetin e tyre përmes veprave dhe kulturës së tyre. Ky shtet ka identitet të vet“, është shprehur ndermjetësi i OKB-se për emrin Metju Nimic.

Nimic: OKB nuk negocion për identitetin e një populli.
Nimic: OKB nuk negocion për identitetin e një populli.Fotografi: Petr Stojanovski

Ai ka thënë se për zgjidhjen e çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë interes kanë treguar edhe shumë vende të tjera në veçanti SHBA-të dhe Gjermania.

“Kjo çështje është brengosëse për shumë shtete në Evropë dhe më gjërë. Problemi nuk duhet të lihet pezull, ai duhet të zgjidhet në kohë. Zgjidhja e kontestit të emrit është edhe një garanci për stabilitetin në rajon. Interesin e SHBA-ve dhe Gjermanisë për këtë problem e shoh si fakt pozitiv”, është shprehur Metju Nimic.

Propozim më i precizuar

Presidenti i Maqedonisë Gjorgji Ivanov pas takimit me Nimic ka theksuar se zgjidhja e kontestit mund të arrihet vetëm me konstruktivitet nga të dy anët dhe përmbajtje brenda kornizave, në të cilat po zhvillohen bisedimet, rezolutat e këshillit të sigurimit, marrëveshtja e përkohshme dhe akt- gjykimi i gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë.

Pas qëndrimit në Shkup ndërmjetësi i OKB-së Metju Nimic po qëndron për vizitë zyrtare në Athinë.

Vizita e ndërmjetësit Metju Nimic në Shkup dhe Athinë për njohësit e çështjeve ndërkombëtare mund të sjellë dinamikë të re në procesin e bisedimeve. Madje ata vlerësojnë se Nimic mund të vijë edhe me një propozim më të precizuar në të dy kryeqendrat falë angazhimit të shtuar të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Vendim tejet i rendësishëm

Analisti Sasho Klekovski vlerëson se vizita e Nimicit në rajon po realizohet në një atmosferë jo të favorshme. “Gjendja politike në Greqi është më kufizuese, koalicioni qeveritar atje ka pësuar disfatë në zgjedhjet lokale dhe ato për parlamentin evropjan, kurse në mars të vitit të ardhshëm do të ketë zgjedhje presidenciale. Edhe në Maqedoni koalicioni qeveriar është tejet i brishtë për të marrë një vendim tejet të rendësishëm, siç është zgjidhja e çështjes së emrit”, thotë Klekovski. Gjithnjë sipas tij vështirë është të pritet që politikanët grekë në këtë periudhë të marrin guxim për arritjen e ndonjë kompromisi të mundshëm.

Saso Klekovski
Analisti Sasho KlekovskiFotografi: Sveto Toevski

Ish diplomati Risto Nikovski thotë se ardhja e Nimicit me një optimizëm të madh do të thotë se diçka po ndodh. Kohëve të fundit po përmenden disa propozime për emrin. Për herë të parë Nimic fillimisht vjen në Shkup e pastaj shkon në Athinë.

“Kjo sinjalizon se ndoshta do të arrihet një marrëveshtje dhe se kjo vizitë e Nimicit në Shkup është vetëm për ta prekur pulsin e Maqedonisë", shprehet Nikovski.

Guxim për kompromis

Ish-diplomati Alajdin Demiri thotë se ofensiva diplomatike do të krijojë një situatë të re, ku edhe Greqia edhe Maqedonia do të detyrohen së paku të ulen dhe të negociojne seriozisht.

“Pozicioni ndërkombëtar, sidomos i SHBA-ve dhe i Gjermanisë për çështjen e emrit, mund të japin ndonjë rezultat. Ofensiva diplomatike sa është enigmatike po aq është edhe mistike, por jam i sigurt se diçka po lëviz lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit“, shprehet Demir.

Gjatë qëndrimit në Shkup Metju Nimic për herë të parë është takuar edhe me Vasko Naumovskin, i cili është emëruar negociator i ri në bisedimet për çështjen e emrit nga pala e Maqedonisë, meqë paraardhësi i tij Zoran Jolevski është emëruar ministër i Mbrojtjes.