1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bilanci i dobët i ambjentit i Obamas

Robert Mudge/ Auron Dodi23 Shtator 2014

Kur të martën do të fillojë në OKB takimi i nivelit të lartë të klimës, aktivistët shpresojnë të dëgjojnë fjalë të qarta të Presidentit Obama. Politika e tij e deritashme e ambjentit i ka zhgënjyer shumë qytetarë.

https://p.dw.com/p/1DH4P
Marshim per klimen ne SHBA, New York City 21.9.2014
Fotografi: Simon Broll

Kur tufani Sandy bënte kërdinë dy vjet më parë mbi New York City, u prekën edhe shtëpitë fqinjë me shtëpinë e Elizabeth Yeampierres në Brooklyn. "Njerëzit humbën shtëpitë e tyre, u ndodhën papritur pa çati mbi kokë", i kujtohet aktivistes së ambjentit. Në mënyrë që një supershtrëngatë e tillë të mos e shkretojë edhe njëherë qytetin e tyre, Yeampierre ka ardhur për të marshuar për klimën në Central Park. Së bashku me 310.000 vetë që mendojnë si ajo, ajo donte të jepte një sinjal kundër ngrohjes së tokës. "Tani ka ardhur momenti kur duhet vepruar dhe udhëheqësit tanë duhet ta vënë re këtë", tha aktivistja. Ajo e ka fjalën në radhë të parë për Presidentin Barack Obama, nga i cili deri tani ajo "është zhgënjyer mjaft", kur bëhet fjalë për politikën ndaj ambjentit.

Sipas një studimi të shoqatës Oxfam, në SHBA në pesë vitet e fundit u regjistruan 100 katastrofa natyrore, kaq shumë sa në asnjë vend tjetër. Prej situatës së mirë financiare të qytetarëve të SHBA, dëmet megjithatë kanë qenë më të pakta se në rajonet më të varfra të botës, si për shembull në Filipine ose në Pakistan.

Kur të martën rreth 120 kryetarë shtetesh dhe qeverish do të takohen në New York për takimin e nivelit të lartë të OKB-së, sytë e shumë prej tyre do të jenë drejtuar tek Presidenti i SHBA. Ai nuk do të mundë të heshtë ose të hedhë sytë mënjanë, mendojnë ekspertët. Këtë e bënë të qartë edhe demonstruesit në marshimin e klimës në New York.

Ndotje e klimës nga termocentralet me qymyr në SHBA
Ndotje e klimës nga termocentralet me qymyr në SHBAFotografi: ap

Mbështetje nga qytetarët, bllokadë në kongres

Për Jeniffer Morgan-in nga World Resource Institute, marshimi i protestës është një shenjë e qartë se në SHBA po vjen koha për reforma. "Pas Sandy-t, mbështetja në popull për mbrojtjen e ambjentit është rritur shumë," thotë drejtoresha e Programit të Klimës dhe Energjisë, e cila angazhohet për një botë pa pluhur qymyri. "Presidenti Obama duhet ta shfrytëzojë këtë atmosferë, për të bërë publicitet më të madh për ambjentin".

Që prej kësaj të lindin projektligje, për këtë Morgan është më pak e bindur. "Pikërisht tani është e vështirë që të kalosh nëpër kongres ndonjë propozim", thotë ajo. "Këtë Obamas iu desh ta përjetojë në mandatin e tij të parë". Në vitin 2010 Presidenti i SHBA deshi të miratojë një ligj, përmes të cilit termocentralet do të kishin qenë të detyruara të blinin të drejta për emisione. Por projekti i tij "Cap and Trade" dështoi në senat.

Prandaj Obama ka zgjedhur për mandatin e tij të dytë një rrugë tjetër. Ai ka vënë në qarkullim një dokument, që kërkon që deri në vitin 2030, të gjithë termocentralet me qymyr ta reduktojnë me 30 përqind nxjerrjen e emisioneve, krahasuar me vitin 2005.