1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Beqë Cufaj: Zëri kosovar në Gjermani

18 Shtator 2011

16 vjet në endje mes Prishtinës dhe Stutgartit. E para lidh të kaluarën me të ardhmen, i dyti garanton qëndrueshmërinë e së tashmes.

https://p.dw.com/p/12U0G
Beqë CufajFotografi: Cufaj/Foto:Jürgen Sieckmeyer

Katër-pesë ditë në javë del e vrapon: Në vesh kufjet e Ipodit. Muzika? «Një miks nga të gjitha llojet: e lehtë, hiphop, klasike, house si ta kem ritmin», thotë. Dhjetë e pesëmbëdhjetë këngë kalojnë derisa ai bën xhiron e zakonshme nëpër kodrinat e Degerlohut e kthehet në «qelën e shkrimtarit». Aty dita fillon që nga ora pesë e mëngjesit. «Me dy tri filxhanë kafeje nga automati gjerman dhe duke lexuar gazetat në internet», rrëfen.

Kur erdhi atëherë në Stutgart, 16 vjet më parë, ishte 24 vjeç: pa thinja, me më shumë flokë, më i hollë, e më i ndrojtur. Tani shumëçka ka ndryshuar: Ai është baba i dy vajzave, 9 dhe 3 vjeç, trupi është pak më i mbushur, hapi i tij në tokën gjermane duket se është bërë më i rëndë, thua se zë më shumë vend në të: «Unë u përkas të dy botëve, asaj gjermane dhe asaj ballkanase», thotë ai.

Në Kosovë Beqë Cufaj njihet kryesisht për komentet e tij pikante, shpesh thumbuese e jo gjithmonë komode për të prekurit. Në botën gjermane është mishërimi i intelektualit shqiptar. E shpesh është i pranishëm edhe në mediet serbo-kroate si komentator e së fundi edhe si autor me librin "Shkëlqimi i huaj". Zhvillimi i vetes ishte çka e shtyu të vinte në Gjermani pas përfundimit të Letërsisë në Universitetin e Prishtinës. Ndryshe nga shumica e bashkëkohësve të tij nga Kosova ai nuk kaloi nga sporteli i azilkërkuesit, por nga kampusi universitar.
«Unë u regjistrova atëherë në universitet për të bërë ndonjë studim pasdiplomik, por pastaj erdhi shansi të punoja si gazetar për «Koha», fillimisht javoren, pastaj ditoren e kështu karriera ime në Gjermani mori një rrugë tjetër», rrëfen Cufaj.



Konfrontim me modestinë gjermane

«Jo të thuash çdo gjë që di, por të dish çdo gjë që thua». Ky citat i poetit gjerman Mathias Claudius, i njohur me pseudonimin Asmus, është njëri prej dy citateve të varura në dhomën e punës së Cufajt. Ka të bëjë me maturinë, por edhe me modestinë, një nga tiparet karakteristike të gjermanëve, të cilin ai e pat vënë re qysh në orët e para të mërgimit: «Kur erdha në fillim në Gjermani dija vetëm anglisht dhe kur doja të flisja me dikë, pyetja e parë që i bëja ishte: A e njihni anglishten? Dhe thuajse të gjithë më thoshin «a little bit». Kur fillonin e flisnin pastaj dilte që e njihnin gjuhën shumë mirë», kujton Cufaj. E pastaj shton: «Modestia është pjesë e kulturës dhe e mentalitetit të këtij populli». E lehtë nuk ishe të ambientoheshe me këtë veti kur kishe ardhur nga Ballkani ku vetëlavdërimi është virtyt më vete. Tekefundit ai që vetëlavdërohet e fton bashkëbiseduesin të gëzohet për suksesin që ka arritur. «E unë në këtë drejtim kam mbetur ballkanas», komenton Cufaj tek dëshiron të ndajë me bashkëbiseduesen krenarinë për mënyrën se si filloi të kapërcente barrierën e parë të madhe të integrimit në vendin e ri: gjermanishten: «Nuk kam ndjekur kurrë ndonjë kurs. Gjeta librin e Ismail Kadaresë, «Kronik në gur», e bleva dhe fillova ta lexoja, nga njërën anë në shqip dhe nga ana tjetër në gjermanisht.»

Më vonë do ta detyronte puna si korrespondent në kryeqytetin e atëhershëm të Gjermanisë, në Bon, që ta perfeksiononte gjuhën. Ishte viti 1998, viti kur Gjermania po përgatitej të merrte pjesë për herë të parë në një luftë jashtë territorit të saj. Kolegët e tij nga gazetat e tjera gjermane bëhen kureshtar për këtë të ri, vendi i të cilit së shpejti do të bombardohej. Opinioni gjerman ishte i pasigurt e kërkonte sqarime. Si e presin vendasit, kosovarët, këtë ndërhyrje të ushtarëve gjermanë? Beqë Cufaj, asokohe 28 vjeçar kishte shansin dhe përgjegjësinë t'i sqaronte: Ai fillon e shkruan sidomos për publikun akademik të fejtonit të së përditshmes Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) dhe çuditet për rezonancën. Një botues i njohur i kërkon një roman, të tjerë e thërrasin nëpër intervista televizive. «Unë në atë kohë isha pak i vetëdijshëm për këtë shans dhe nuk e di se sa kam mundur t'i plotësoj kërkesat e këtij publiku», kujton ai sot. Një përgjigje të kësaj pyetjeje e dërgon vetë fakti që edhe sot, 13 vjet më pas, lexuesi i shkolluar e kritik gjermanishtfolës i fejtoneve të FAZ-it ose të përditshmes zvicerane Neuer Zürcher Zeitung (NZZ) vazhdon të jetë i interesuar për atë çka mendon intelektuali i kosovar për transformimet në Evropën Juglindore, duke filluar që nga Gjyqet kundër kriminelëve të Luftës së ish-Jugosllavi në Hagë e deri tek mesazhet personale për ditëlindjen e Kadaresë.

Buchcover Projekt@Party von Beqe Cufaj
Kopertina e librit Projekt@Party nga Beqë CufajFotografi: Zeri/Cufaj



Kosova - e kaluara e papërfunduar

«E kaluara nuk ka vdekur, ajo madje as ka kaluar» - ky citat i shkrimtarit amerikan Willimam Faulkner është i dyti që varet në dhomën e punës së Cufajt. Gjuha është vatra e përhershme e autorit të disa romaneve dhe vëllimeve eseiste. Për Cufajn gjuha ndryshon si kafeja e mëngjesit: Aty nga ora 8 kur Kosova zgjohet nga gjumi dhe mediumet e para fillojnë aktualizimet e lajmeve ai hap gazetat ballkanase «Zëri, Koha Ditore, Danas, Jutarni List e me to pi kafe ballkanase». Më së voni me shijen e telvesë kupton se kur ka ardhur momenti për t'i hipur avionit e për të fluturuar sërish atje poshtë.

Në Prishtinë bioritmi ndryshon. Atje ai ngrihet në orën 7:00, sërish herët për ritmin e metropol Prishtinës. Aty s'ka jogging, tepër të lodhshme janë netët nëpër kafenetë e kryeqytetit të Kosovës: tym duhani, raki, diskutime deri në orët e vona të natës. «Atje të dalësh netëve e ke si detyrim», thotë. Edhe pse për këto net ka blerë enkas një apartament në Prishtinë, sërish jeta atje bëhet jashtë, jo brenda. «Është një dyzim i madh dhe jo forti i lehtë të jetosh pesë ditë në Prishtinë e shtatë ditë në Stuttgart ose anasjelltas», - konstaton ai.

«Zemra ime rreh ndryshe», thotë një nga personazhet e tij në librin Projekt@Party, i cili në qershor 2011 pa dritën e botimit në shtëpinë botuese «Zëri», Prishtinë. Abe Beqiri ka një ngjashmëri me autorin e vet. Ai i njeh mirë të dyja botët edhe atë gjermane edhe atë kosovare, por ndryshe nga autori, ai nuk është në gjendje t'i përvetësojë të dyja: prej njërës duhet të heqë dorë. Cufaj në të kundërt e ka gjetur formulën e balancës: «Ky dyzim është pasurim. Ballkani më jep atë që më mungon në Stutgart: të kaluarën e të ardhmen. Gjermania atë që më mungon në Ballkan: sigurinë e të sotmes.»

Autor: Anila Shuka

Literaturfestival Berlin 2010
Festivali i Letërsisë në Berlin, 2010, gjatë simpoziumit "E ardhmja kulturore e Ballkanit", Beqë Cufaj i ftuar si referentFotografi: DW

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora