1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papunësia e të rinjve në BE

Sabrina Pabst / Lindita Arapi23 Tetor 2013

Me shpërthimin e krizës në BE është rritur në mënyrë dramatike papunësia tek të rinjte. Me 6 miliardë euro, BE-ja synon të luftojë papunësinë e të rinjve. Por jo të gjithë do të përfitojnë nga këto fonde.

https://p.dw.com/p/1A4EM
Fotografi: REUTERS

Paketa e ndihmës është gati. Një shumë prej 6 miliardë eurosh do duhet të ndihmojë që të rinjtë të gjejnë më shpejt një punë apo një vend kualifikimi. Që në verën e vitit të kaluar, ministrja gjermane e Punës, Ursula von der Leyen bëri të ditur në Bruksel se Bashkimi Europian duhet të luftojë kundër rritjes së papunësisë tek të rintjë. Në BE ekziston një situatë absurde, që në veriun e Europës mbeten bosh vendet e punës që i kualifikojnë njëkohësisht të rinjtë, ndërkohë që në jug të rinjtë kërkojnë të dëshpëruar një vend pune apo kurse kualifikimi profesional. "Këtu duhet të kemi një koordinim më të mirë, po ashtu ndërmjetësimi i të rinjve për vende pune duhet të përmirësohet, të financohen kurset e gjuhës, udhëtimet e të rinjve që aplikojnë për punë, me qëllim që ata të kenë shansin të fillojnë një punë apo një vit kualifikimi." Kjo ishte dëshira e ministres gjermane para një viti. Tanimë Parlamenti Europian i dha dritën e gjelbër paketës së ndihmës për të rinjtë.

Shuma parashë për një kohë të shkurtër

Ka shumë mënyra se si mund të vihen në funksion të gjashtë miliardë eurot, që do të luftojnë papunësinë e të rinjve. Si pagesë shtesë apo si ndihmë për sigurimet sociale që duhet të bëjë punëdhënësi. Kështu vendet e punës hapen më shumë drejt atyre që hedhin hapat e parë në botën e punës. Edhe fondet e ndihmës për firmat e reja start-up në formë kredishë apo konsultash mund të luajnë një rol pozitiv në këtë drejtim. Por fondet mund të vihen në përdorim edhe për kualifikimin më të mirë profesional të të rinjve.

Në të gjithë Europën ekzistojnë sisteme të ndryshme kualifikimi, me problemet e tyre specifike. Max Uebe, referent në Drejtorinë e Përgjithshme të Punës, Çështjeve sociale dhe Inklusionit në Komisionin Europian shprehet se: "Aktualisht po përpiqemi me firmat, që kanë filiale në Europë, ta zgjerojmë në të gjithë Europën sistemin dual të kualifikimit*. Po përpiqemi të transportojmë një sistem, i cili nuk njihet ose njihet shumë pak në vende të tjera."

Me 6 miliardë mund të bëhet shumë punë. Max Uebe megjithatë synon: "Që mundësisht me shumë para në një kohë të shkurtër të arrihet të përmirësohet gjendja dramatike në tregun e punës për të rinjtë dhe të arrihet vërtet një rezultat konkret." Ai është i bindur se Komisioni Europian do të mund të arrinte një efekt më të madh, po qe se fondet do të jepeshin të përqëndruara. Duke pasur parasysh shifrat ekstreme të papunësisë tek të rinjtë, do të ishte më mirë që Komisioni t'i shpenzonte këto gjashtë miliardë mundësisht brenda dy vjetësh, kërkon ai. Papunësia në rritje tek të rinjtë do të duhej të merrte që në janar 2014 injeksionin e parë kurues.

Infografik Jugendarbeitslosigkeit in der EU
Grafiku i kuotës së papunësisë tek të rinjtë në vendet e BE-së, sipas të dhënave në korrik-gusht 2013

Fondet e Brukselit të përqëndrohen tek rajonet e prekura

Po t'i shpërndash fondet në një shifër prej 7,5 milionë të rinjsh nën 25 vjeç, që shkojnë në shkolla profesionale apo vizitojnë universitetin, çdo i ri do të kishte "dhuratë" një shumë prej 800 eurosh. Por këto fondet nuk do të shkojnë tek të gjithë të rinjtë dhe në të gjitha vendet e BE-së. Propozimi i Komisionit Europian është të mbështesë ato rajone, ku papunësia e të rinjve qëndron mbi 25%. Në Parlamentin Europian kishte zëra që kërkuan uljen e këtij kriteri në 20%, sepse kështu do të përfitonin më shumë rajone. Por Max Uebe thotë se "kjo do të nënkuptonte më shumë para për të rinjtë në rajonet e tjera. Ne jemi të kënaqur që vendet anëtare dhe Parlamenti ranë dakord për nivelin 25%. Kështu fondet e ndihmës së Brukselit për papunësinë do të shkojnë në periferitë e BE-së, në Spanjë, Greqi e Portugali. Gjermania, Danimarka apo Austria nuk do të përfitojnë nga këto fonde.

Struktura për të ardhmen

Shtetet anëtare do të vendosin vetë se ku do t'i investojnë fondet e ndihmës në vend. Nadja Hirsch, eurodeputete e partisë liberale shpreson "që të ketë vërtet interes nga vendet si Spanja, Greqia apo Portugalia që këto para të përdoren vërtet për ngritjen e strukturave, për shembull për investime në sistemin dual*. Besoj se është e rëndësishme që këto para të investohen në projekte që kanë në ndikim më afatgjatë, se në projekte afatshkurtra."

*shënim i përkthyesit: Sistemi dual është kombinimi i studimit me praktikën në prodhim, që aplikohet në Gjermani