1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE shtyn vendimin për sanksionet kundër Rusisë

Bernd Riegert / exh25 Korrik 2014

Rrugët deri tek sanksionet evropiane kundër Rusisë janë të gjata dhe të përdredhura. Shumë shpesh është njoftuar një ashpërsim, dhe tani sërish shtyrje. BE do të zhvillojë përsëri konsultime, të paktën edhe një javë.

https://p.dw.com/p/1Cif5
Fotografi: picture-alliance/dpa

Shpjegimi dhe kuptimi i procesit të komplikuar të arritjes së një vendimi nga BE për ashpërsimin e sanksioneve kundër Rusisë, po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Edhe vetë zëdhënësja e së ngarkuarës së BE-së me politikën e jashtme, e kishte vështirësi ta bënte këtë gjatë konferencës së përditshme për shtyp në Bruksel. Të martën e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton pati njoftuar e vendosur se këtë të enjte do të merrej vendimi për sanksione më të forta ekonomike të shteteve anëtare të BE-së. Vec kësaj ajo tha se Presidenti i Këshillit të BE-së sot do të njoftonte nëse do të ishte i nevojshëm një tjetër samit i jashtëzakonshëm për krizën e Ukrainës.

Por zëdhënësja e Ashton nuk pranoi se deklarata kishte pasur këtë kuptim. Bëhet fjalë vetëm për diskutimin e propozimeve për sanksione dhe ai zhvillohet këtë të enjte (24.07.). Nuk është folur për një vendim tha Maja Kocijancic, në përpjekje për të interpretuar deklaratën e shefes së saj. Vetë Ashton nuk u prononcua.

Vendimet javën e ardhshme, ndoshta

Kërcënimet e së martës në adresë të Moskës njëherë për njëherë nuk ekzistojnë, ose të paktën janë shtyrë. "Ky diskutim do të vazhdojë javën e ardhshme", tha Jonathan Todd, zëdhënës i Komisionit të BE-së. Me fjalë të qarta kjo do të thotë: ambasadorët e BE-së që diskutojnë sot, do të diskutojnë edhe më tej javën e ardhshme. Vetëm pas një marrëveshjeje me 28 kryeqytetet e shteteve anëtare do të konkretizohet, por jo aq shpejt, u shpreh Jonathan Todd: "Sapo vendet anëtare në Këshillin të kenë vendosur, si do të veprojnë më tej dhe cfarë duan të bëjnë, Komisioni do të prezantojë projekt-ligjet. Këto rregulla ligjore do të miratohen më pas nga shtetet anëtare me procedurat e parashikuara."

Catherin Ashton
Catherine Ashton: vendimi për sanksionet shtyhetFotografi: Reuters

Nëse për këtë hap juridik, pra për miratimin e sanksioneve të reja kundër Rusisë është i nevojshëm një takim i ri i kryetarëve të shteteve dhe qeverive në Bruksel, ata duhet të vendosin vetë, thuhet nga zëdhënësit e Komisionit të BE-së. Kjo tingëllon sikur do të duhen edhe një ose dy javë deri sa vendimi të konkretizohet, mendojnë diplomatët. Kështu Rusia ka kohë që ndoshta të hapë rrugë dhe të plotësojë kërkesat e Perëndimit, p.sh. mbylljen e kufirit në zonat e separatistëve rusë.

Tregje financiare, teknologjia e zhvilluar, armët

Për cfarë diskutojnë tani ambasadorët e BE-së, pra përfaqësuesit e shteteve anëtare? Komisioni i BE-së ka paraqitur një listë me sanksione, të cilat mund të godisnin rëndë sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse. Këtu bëjnë pjesë jë embargo armësh, kufizime në qasjen në tregun ndërkombëtar të kapitalit, kufizime në eksporte për teknologjinë në fushën e energjisë dhe ndalimi i eksporteve nga Evropa për të ashtuquajturit produkte me përdorim të dyfishtë. Këto janë makineri dhe mallra të cilat mund të përdoren si në sektorin ushtarak ashtu edhe atë civil. Përmasat e sakta të listës do të bëhen më vonë të ditura. Shtetet anëtare të BE-së po kujdesen tani para së gjithash të ndajnë në mënyrë sa më të drejtë dëmin ekonomik që rezulton për sipërmarrjet evropiane dhe të vlerësojnë kundërmasa të mundshme të Rusisë.

Eksporti i mallrave dhe shërbimeve të gjithë BE-së në Rusi është aktualisht rreth 120 miliardë euro në vit. Gjermania merr pjesë me 36 miliardë. 250.000 deri 300.000 vende pune në Gjermani varen direkt nga biznesi me Rusinë, sipas të dhënave të shoqatave ekonomike.

Biznesi me Rusinë është ndërkohë në rënie

Ekonomia gjermane shënon që tani rënie të biznesit me Rusinë prej rreth 4 miliardë eurosh për shkak të sanksioneve në fuqi kundër personave dhe sipërmarrjeve të vecanta, tha në Bruksel zv/drejtuesi i Konferencës së Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë në Gjermani, Volker Treier. Porositë nga Rusia janë ndërkohë në rënie. Sanksione të reja në sektorin financiar do ta godisnin më rëndë Rusinë, beson Treier: "Përpjekja për t'iu drejtuar tregut të kapitalit dhe për të ndaluar fluksin e nevojshëm të kapitalit financiar në ekonominë ruse është një rrugë e mundshme. Nëse besohet se sanksionet duhet të jenë të forta dhe të kenë rreze sa më të gjatë në mënyrë që të shkaktojnë reagime politike."

Volker Treier
Volker TreierFotografi: DW/B.Riegert

Treier ka megjithatë dyshime të forta se sanksionet ekonomike mund ta bindin udhëheqjen ruse përreth Presidentit Vladimir Putin të hapë rrugë. BE pas goditjes së avionit civil me 298 viktima në lindje të Ukrainës ka theksuar disa herë se Rusia nuk bën sa duhet për të zbutur konfliktin. Edhe kancelarja Angela Merkel ditët e fundit duket sikur e ka humbur durimin me Rusinë.

Sipas njoftime të pakonfirmuara në medie, në listë janë jo vetëm dy banka gjysmë shtetërore ruse por edhe një numër institutesh kredie. Atyre duhet t'u ndalohet të sigurojnë para të reja në tregjet financiare evropiane pra në Londër apo në Frankfurt mbi Main. Nëse pasuritë ruse ishujt britanikë Virgin Islands (62 miliardë euro) apo në Qipro (11 miliardë euro), do të bllokohen, është e paqartë.

Virgin Islands
Virgin Islands: miliarda në llogaritë e Rusisë?Fotografi: picture-alliance/dpa/Jost Van Dyke

Zgjerohen sanksionet e shënjestruara kundër personave

Paralelisht me diskutimin për sanksione më të ashpra ekonomike, e përkufizuar në mars nga BE si "Shkalla 3", ambasadorët e BE-së kanë zgjeruar edhe sanksionet e "Shkallës 2". Personat dhe sipërmarrjet, të cilët janë përgjegjës për konfliktin në Ukrainë apo financojnë separatistë pro-rusë, do të penalizohen me bllokime llogarish në masë të gjerë dhe me kufizime për udhëtim. Vec kësaj sipërmarrjeve evropiane do t'u ndalohet të vazhdojnë të bëjnë biznes me firma apo persona të tillë. Nëse nga zgjerimi i këtyre sanksioneve vihet në shënjestër edhe rrethi i ngushtë i Presidentit Putin, është ende e paqartë. Emrat konkretë ndoshta do të publikohen në fletoren zyrtare të BE-së të premten. BE përpiqet që të harmonizojnë sanksionet e saj me ato të SHBA-së për të pasur qendrim unanim dhe për të shmangur vështirësi juridike për sipërmarrjet evropiane. Ato mund të lindnin nëse sanksionet për bizneset me Rusinë në SHBA dhe BE do të ishin të ndryshme.