1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE mbështet diplomacinë intensive

Barbara Wessel/ Auron Dodi18 Nëntor 2014

Në trajtimin e Rusisë nuk duhet të ndihmojnë vetëm sanksionet. BE dëshiron të mbajë kontakte diplomatike me Moskën dhe ta stabilizojë Ukrainën. Objektivi: pengimi i një lufte të hapur.

https://p.dw.com/p/1Dovl
Steinmeier dhe Hammond
Fotografi: picture-alliance/epa/O. Hoslet

Në një kohë kur Kancelarja gjermane, Angela Merkel në një fjalim për politikën e jashtme në Australi e kritikon edhe njëherë me fjalë shumë të qarta Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, sepse ai rrezikon rendin evropian të paqes dhe i referohet gjoja së drejtës së më të fortit, Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier ushtrohet në Bruksel si të thuash në një durim të pafund diplomatik: "Pa dyshim, edhe në vështrimin tim, ne për momentin po bëjmë hapa pas; Protokolli i Minskut (marrëveshja e paqes) kërcënon të zhvlerësohet. Çështja është se a ka instrumente, a kemi ne diçka në dorë, me të cilën të frenojmë shpërthimin e një spiraleje të re të dhunës në Ukrainën Lindore"? Dhe këtu nuk bëhet fjalë për mjete çudibërëse, por për mendimin e Ministrit, vetëm diplomacia këmbëngulëse dhe mbajtja hapur e kanaleve të bisedimeve me Moskën mund ta pengojnë më të keqen - dhe kjo do të ishte lufta. Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko është këtu më pak i përmbajtur dhe deklaron se Ukraina nuk ka frikë nga lufta.

Diskutimet në Bruksel duhet të sqarojnë strategjinë e përgjithshme të evropianëve përballë Rusisë: e Ngarkuara me Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini theksoi se sanksionet nuk janë qëllim në vetvete dhe të vetme nuk të çojnë përpara në konflikt. "Ato mund të jenë një instrument, po të ndërmerren së bashku me masa të tjera." Dhe evropianëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të kërkojnë pa u lëkundur të bisedojnë me Moskën. Diplomatët deklaruan se nuk duan të pyesin edhe njëherë veten, nëse i kanë ndërmarrë të gjitha për ta penguar më të keqen. Pra sipas Ministrit të Jashtëm gjerman, fjala është "nëse ne, përtej vendimeve që kemi marrë në të shkuarën, përballë shkallëzimit në Ukrainën Lindore gjejmë edhe mundësi të tjera, se sa ta shtojmë edhe më tej presionin ndaj Moskës me sanksione të tjera". Gjë që gjithsesi nuk rezultoi pa pasoja, po të shohësh shifrat e ekonomisë ruse, tha Steinmeier-i.

Të flasësh me Moskën dhe ta ndihmosh Kievin për t'u zhvilluar

Por çfarë mund të bëjnë evropianët, për ta thyer mitin e rrethimit dhe të izolimit, i cili i është kthyer në obsesion Moskës? Ministri Steinmeier propozon që të nisë një nivel i ri bisedash ekonomike për shembull me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik të sapothemeluar, për ta mbajtur edhe më tej Rusinë në tryezën e bisedimeve. "Mundësitë për bisedime ne nuk duhet t'i kthejmë në shesh konfrontimi" paralajmëroi Ministri i Jashtëm gjerman. Po në këtë koncept bën pjesë që qeveria e re në Kiev të ndihmohet në ndërtimin ekonomik dhe politik të vendit. Në fillim të vitit të ardhshëm do të mblidhet një konferencë ndërkombëtare donatorësh dhe BE do të ketë siguri që ndihmat financiare të shkojnë në kanalet e duhura. Sipas Brukselit nevojiten përparime në luftë kundër korrupsionit, në forcimin e policisë dhe të drejtësisë dhe në reformimin e administratës. Kjo të kujton masat, me të cilat BE është përpjekur të reformojë shtetet e Ballkanit.