1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

BE mbështet OJQ-të maqedonase në projekte ndërkufitare

Bashkëpunimi ndërkufitar i OJQ-ve nga Maqedonia dhe Shqipëria luan një rol të veçantë në bashkëpunimin e suksesshëm mes dy vendeve. Ky bashkëpunimi nxit edhe klimën e mirëkuptimit dhe tolerancës në dy anët e kufirit.

Intensifikimi i bashkëpunimit ndërkufitar midis organizatave joqeveritare është bërë një realitet falë mbështetjes financiare të projekteve të përbashkëta nga fondet IPA të Bashkimit Evropian. Komuna e Dibrës, e cila kufizohet me Shqipërinë, deri më tani është treguar tejet e sukseshme sa i përket iniciativave dhe realizimit të projekteve të përbashkëta ndërkufitare të organizatave joqeveritare.

Nxitje e bashkëpunimit përmes fondeve të IPA

Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar QMBN dhe Instituti për Demokraci nga Tirana, në qytetin e Dibrës kanë organizuar forumin e parë ndërkufitar në të cilin janë konkretizuar mbi 10 projekte të përbashkëta që do të kenë mbështetje financiare nga fondet IPA si dhe është arritur marrëveshja midis 40 organizatave joqeveritare për bashkëpunim ndërkufitar. Forume të tilla realizohen në kohën e duhur sepse bashkëpunimi midis sektorit qytetar dhe pushtetit lokal midis Maqedonisë dhe Shqipërisë ka ndikim të madh pozitiv jo vetëm në intensifikimin e bashkëpunimit midis dy vendeve fqinje por edhe rajonit në përgjithësi, thotë Goce Lubinovski koordinator i Qendrës për zhvillim të qëndrueshëm.

Organizatat joqeveritare nga Dibra kanë një bashkëpunim të suksesshëm me organizatat simotra nga Pogradeci dhe Dibra e Shqipërisë. Në takime janë konstatuar problemet dhe zgjidhja e tyre përmes projekteve të përbashkëta në sfera të ndryshme si ekologjia, infrastruktura, kultura dhe sporti.

Zonë ekologjike midis dy Dibrave

Projektet synojnë krijimin e një zone të gjelbër ekologjike në të dy anët e Liqenit të Dibrës

Projektet synojnë krijimin e një zone të gjelbër ekologjike në të dy anët e Liqenit të Dibrës

Një projekt i tillë po realizohet me sukses në afërsi të liqenit të Dibrës ku në të dy anët e kufirit po krijohet zonë e gjelbër ekologjike. Në këtë zonë janë mbjellur 600 fidane dhe kështu ky rrip ekologjik do të ketë një rëndësi të veçantë për mjedisin jetësor për të dyja anët e kufirit, vlersojnë ekologët.

“Projekti i formimit të zonës ekologjike ka filluar para 8 muajsh dhe duhet të përfundojë në muajin shtator. Zona ekologjike ka një rëndësi të veçantë për mjedisin jetësor e në veçanti për ruajtjen e pastërtisë së ujërave nëntoksore që derdhen në liqenin e Dibrës”, thotë Goce Lubinovski, koordinator i Qendrës për zhvillim të qëndrueshëm. Zona ekologjike pranë liqenit të Dibrës krijon një ambient të këndshëm për pushim dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Në pjesën tjetër të kufirit, në fshatin Trebishtë në rrethin e Gollo Bërdos është duke u realizuar projekti i pyllëzimit të një terreni eroziv. “Në të dyja anët e kufirit me këtë projekt ndërkufitar po bëhet pyllëzimi. Kjo zonë ekologjike ka edhe simbolikën e saj për zhvillimin e ndjenjave tek qytetarët për bashkëpunim dhe vlerësim se si të ruhet ambienti jetësor”, thotë Ziriad Alushi, drejtor i Institutit për demokraci dhe ndërmjetësim. Me formimin e zonës ekologjike në hapësirën ndërkufitare janë themeluar edhe klubet eklogjike, që kanë për qëllim mirëbajtjen dhe kujdesin e zonës ekologjike.

Bashkëpunim dhe solidaritet

Krahas projekteve ekologjike, në bashkëpunimin ndërkufitar nuk mungojnë edhe projekte nga sfera të ndryshme të jetës. Shoqata e qytetarëve të personave me nevoja të veçanta ”Porosia” nga Dibra dhe “Dora e ngrohtë” nga Pogradeci përmes fondeve IPA kanë konkretizuar bashkëpunimin e ndërsjelltë. Përmirësimi i pozitës së kësaj kategorie personash dhe pjesëmarrja e tyre aktive në jetën shoqërore do të mundësohet përmes projekteve të përbashkëta. Erzen Çavo, koordinator i Shoqatës të personave me nevoja të veçanta ”Dora e ngrohtë” është optimist se efektet nga projektet e përbashkëta do të japin rezultate pozitive.

“Këmbimi i përvojave dhe aktivitetet e përbashkëta me siguri do të mundësojnë zgjidhje adekuate të problemeve me të cilat ballafaqohen personat me nevoja të veçanta. Pjesëmarrja aktive në jetën shoqërore të personave me nevoja të veçanta i bën ata të barabartë me qytetarët tjerë. Bashkimi bën fuqinë dhe personat e kësaj kategorie kanë shumë nevojë për përkrahje dhe solidaritet”, thotë Erzen Çavo.

Personat me nevoja të veçanta janë kategori të qytetarëve që kërkojnë kujdesje të veçantë nga ana e shoqërisë, dhe projektet që kanë të bëjnë me këta persona përkrahen si nga pushteti lokal ashtu edhe nga ai qendror, thotë Bekim Ame kryetar i Shoqatës së prindërve të fëmijëve me nevoja të posaçme ”Porosia”.

“Ne si shoqata kemi nevoja të përbashkëta. Ndihma e ndërsjellë do të na mundësojë ndryshimin e pozitës në shoqëri të personave me nevoja të veçanta. Pjesëmarja e përbashkët në projektet e IPA fondeve mundëson angazhimin e kuadrit profesionist për këtë kategori të qytetarëve, i cili është tejet deficitar në Maqedoni”, shprehet Bekim Ame.

Mobilizim për konkurim në fondet IPA

Aplikimi për fitimin e projekteve ndërkufitare që mbështeten financiarisht nga fondet e BE-së IPA, është një procedurë pak e njohur për organizatat joqeveritare në Maqedoni. Për këtë arsye përfaqësues të OJQ-ve kërkojnë nga Ministria për Eurointegrime organizimin e seminareve dhe workshop-eve me pjesëmarrje të ekspertëve evropianë, ku do të merrnin udhëzimet e duhura, që të aplikojnë me sukses në këto projekte.

Krahas Shqipërisë, Maqedonia në kuadër tëfondeve IPA është duke realizuar edhe një sërë projektesh ndërkufitare me Bullgarinë, Greqinë, Kosovën dhe Serbinë.