1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunimi - mësim i madh nga Lufta e Dytë Botërore për Shqipërinë

Ani Ruci28 Nëntor 2014

70 vjetori i Çlirimit të Shqipërisë - moment reflektimi për politikën shqiptare. Qëndrimet e së djathtës në kohën e luftës, ndarja e mëvonshme e brezave nën vështrimin e historianëve në një konferencë shkencore.

https://p.dw.com/p/1DwOu
Konferenca Shkencore Ndërkombëtare kushtuar 70 vjetorit të Çlirimit të ShqipërisëFotografi: DW/A. Ruci

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore përbën një nga ngjarjet historike më të rëndësishme në historine e saj kombëtare. Edhe pse në Shqipëri vazhdon debati mes të djathtës dhe të majtës, për datën e çlirimit nga okupatorët nazistë, 28 apo 29 nëntor 1944, jubileu i 70-vjetorit të çlirimit është një rast për të riparë historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore në dritën e dokumentave të reja arkivore, vendase dhe të huaja.

Dobinë e një procesi të tillë duket se synoi ta theksojë edhe Konferenca Shkencore Ndërkombëtare, kushtuar 70 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë, që u zhvillua dje në Tiranë. Historiani i mirënjohur, Prof. Paskal Milo, autor librash dhe studimesh historike dhe i librit të sapobotuar ”Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, thotë për DW se Shqipëria u rradhit krahas Kombeve të Bashkuara Antifashite dhe u bë anëtare e OKB ,pikërisht përmes luftës së shumicës së shqiptarëve.

“Antifashizmi dhe antinazizmi u bë jo vetëm filozofi por edhe aksion konkret i shumicës së shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kontributi i Shqipërisë është domethënës jo nga numri i popullsisë dhe i forcave që u angazhuan në luftë, por i mesazhit, i rreshtimit të drejtë që bëri, në një moment të rëndësishëm historik”.

Bernd Fisher
Bernd FisherFotografi: DW/A. Ruci

Bernd Fisher, Profesor dhe shef i Katedrёs sё Historisё nё Universitetin Indiana Fort Wayne nё SHBA, autor librash pёr historinё e Shqipёrisё dhe anëtar i komisionit shtetëror për rishkrimin e historisë, përgjegjës për periudhën e Luftës së Dytë Botërore thotë për DW: “ Shqipëria ishte viktimë e agresionit, si shume vende të tjera, së pari nga fashistët italiane pastaj nga nazistët gjermanë. Ajo u rreshtua në anën e drejtë të koalicionit. Partizanët ishin grupi që vazhdoi rezistencën deri në fund, kurse grupet e tjera të rezistencës, si Balli Kombëtar dhe zogistët bashkëpunuan me pushtuesin, jo në bazë të ndonjë afrie ideologjike, por në bazë të një strategjie të gabuar, që solli humbjen e legjitimitetit të tyre për të qenë pjesë e sistemit politik, pjesë e qeverisë të pasluftës në Shqipëri,” thotë Bernd Fisher.

Bashkëpunimi me pushtuesin i të djathtës shqiptare- gabim i rëndë strategjik

Motivet e bashkëpunimit të së djathtës shqiptare të kohës së luftës me okupatorin janë të ndryshme, por që rezultuan të gabuara në pasojat që sollën. “Këto grupe donin të mos shpenzonin burimet e tyre të çmuara për të luftuar okupatorin, por t'i ruanin ato për të luftuar komunistët. Kur nazistët pushtuan Shqipërinë në shtator 1943, lufta kishte arritur në një fazë të përcaktuar nga Beteja e Stalingradit, kushdo që kishte njohuri për luftën e kishte të qartë që nazistët ishin në Shqipëri përkohësisht dhe se duhej pritur që ata të largoheshin. Zogistët dhe anëtarë të Ballit Kombëtar që bashkëpunuan me gjermanët nuk e bën këtë për shkak të ideologjisë, por strategjisë së gabuar. Lufta zgjati më shumë sesa e kishin parashikuar, zbarkimi i përshpejtuar i aleatëve nuk ndodhi. Sa më shumë që ata nuk u përfshinë në rezistencën kundër okupatorit, aq më shumë humbën reputacionin dhe respektin e popullatës. Nëse okupacioni nazist do të kishte qenë më i shkurtër, pozicioni i tyre pas luftës do të kishte qënë krejt ndryshe. Ndërkohë pati edhe nga ata që bashkëpunuan me italianët dhe gjermanët për të shpëtuar të shpëtueshmen, për të lehtësuar pushtimin në shumë aspekte, për të shpëtuar njerëzit që të mos dërgoheshin në kampe përqëndrimi. Ata duhen parë në një kontekst më të gjerë nga sa u panë prej komunistëve që, pas Luftës së Dytë Botërore, i quajtën trathëtarë ” mendon historiani Bernd Fisher.

E djathta shqiptare dje dhe sot

Ndarja e të djathtës dhe të majtës shqipatare të kohës së Luftës së Dytë Botërore mbështetur në qëndrimin ndaj okupatorëve nazi- fashistë është transferuar në ndarje te sotme për rolin e partive nacionaliste apo ditën, kur u cliruar Shqipëria.

„E djathta aktuale shqiptare bën gabim që vijon të justifikojë dhe të behet avokate e gabimit historik që bëri e djathta shqiptare në vitet e luftës. 70 vite janë një kohë e gjatë për të reflektuar dhe u distancuar nga gabimi fatal historik që bënë baballarët e të djathtës së sotme. Mendoj që 70 vjetori i çlirimit duhet të jetë një moment reflektimi për të gjithë, por sidomos për të djathtën aktuale që tek lufta duhet të shohin një vepër madhore të shqiptarëve, që i ka bërë dhe do t‘i bëjë nder Shqipërisë vazhdimisht“ thotë Paskal Milo.

Në këtë kontekst edhe debatin lidhur me ditën e çlirimit - 28 nëntor për të djathtët dhe 29 nëntor për të majtët , historiani Paskal Milo e cilëson „ një lojë të pandershme politike, një ndasi artificiale, absurde pasi nuk ka rëndësi dita por vepra“.

Paskal Milo
Historiani Paskal MiloFotografi: DW/A. Ruci

Lufta e Dytë Botërore dhe mbrojtja në Shqipëri e hebrenjve

Shqiptarët kanë hyrë në historinë e Luftës së Dytë Botërore si „komb i nderit“kombi që nuk u u dorëzoi hebrenjtë nazistëve.Historiani Bernd Fisher rreshton disa arsye pse ndodhi kështu: “Hebrenjtë erdhën në Shqipëri prej shumë rajoneve të Europës dhe Jugosllavise: ata mbijetuan pjesërisht për shkak të politikës gjermane, që u dha shqiptarëve autoritet të konsiderueshëm në çështjet e brendshme, pjesërisht nga tradita e besës, pjesërisht nga fakti që komuniteti i hebrenjve në Shqipëri ishte shumë i vogël dhe asnjëherë i perceptuar si rrezik për askënd, ishte vështirë të krijohej mes popullsisë, urrejtje etnike kur nuk kishte ndonjë lidhje të veçantë me hebrenjtë, si grup etnik, aq më tepër në Shqipëri nuk kishte ndonjë traditë antisemite gjë që luajti rolin e vet” vë në dukje Bernd Fisher.

Për Paskal Milon, mbrojtja e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore lidhet me historinë kombëtare. ”Shqipëtarët nuk kanë qenë kurrë agresivë ndaj vendeve dhe popujve të tjerë, vetëm janë mbrojtur. Nuk kanë urrejtje dhe nuk pjellin diskriminim. Në historine e tyre të gjatë kanë vuajtur shumë nga persekutorë të huaj, nga njerëz të pushtetshëm të kombeve të huaja, që i kanë trajtuar me racizëm nuk mund të bëheshin vetë po të tillë. Prandaj ata mbrojtën hebrenjtë, të ndodhur në rrezikun e shfarosjes sistematike raciste” thotë ai.

Mësime të çmuara nga Lufta e Dytë Botërore.

Në 70 vjetorin e Çlirimit nga kontributi i Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore vijnë mësime të çmuara, thotë historiani Bernd Fisher. „Mësimi i bashkëpunimit është një ndër më të rëndësishmit. Politikanët shqiptarë kanë treguar përherë një perceptim për vehten e tyre si shumë, shumë të zgjuar, që kuptojnë shumë mirë të gjitha proceset. Në kontekstin e Luftës së Dytë Botërore, politikanët e Ballit Kombëtar, bënë shumë gabime serioze që u kushtoi atyre vetëpërjashtimin nga qeveria e pasluftës". Shndrrimi i 70 vjetorit të Çlirimit në një moment reflektimi, sidomos për politikën, është shumë i rëndësishëm, për të afruar dhe shmangur urrejtjen mes vetë shqiptarëve.

„Për fat të keq ka përpjekje nga qarqe të caktuara politike që të nxisin ndarjen, urrejtjen, mbështetur në keqinterpretim të historisë. Muajt e fundit , shpura të caktuara politike, kanë keqinterpretuar historinë me qëllime keqdashëse dhe kanë nxitur një propagandë intensive për të fshirë të vërtetën objektive të historisë, për ta transplatuar atë në jetën e sotme politike. Kjo është e gabuar dhe e dëmshme. Rishkrimi i historisë mbetet mision i rëndësishëm për shkencën e historisë, jo për politikën. Brezave të rinj nuk duhet t‘u përcillen mesazhe të urrejtjes. Historia duhet filluar të rishkruhet për të shmangur urrejtjen mes vete shqiptarëve, që për fat të keq Lufta e Dytë Botërore i ka ndarë“ thekson Paskal Milo.