1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bank of America para një humbje të madhe

Bahri Cani7 Gusht 2014

Shpërdorimet gjatë shitjes së dokumenteve të hipotekimit do t'i kushtojnë shumë Bank of America. Ajo pritet të paguajë dëshmpërblime prej më shumë se 16 miliardë dollarë - një shumë rekord.

https://p.dw.com/p/1Cqhh
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Në procesin me autoritetet amerikane rreth shitjes së dokumenteve për pasuri të patundshme para shpërthimit të krizës financiare, Bank of America (BoA) duket se gjendet para një marrëveshje që do t'i kushtojë shumë: 16 deri 17 miliardë dollarë. Instituti financiar ka rënë dakord që nëntë miliardë t'i paguajë menjëherë, ndërsa me pjesën tjetër të ndihmojë personat në gjendje emergjente për shkak të blerjes së imobilieve, bëjnë të ditur qarqet e BoA.

Shefi i BoA, Brian Moynihan dhe ministri amerikan i Drejtësisë Eric Holder kanë biseduar javën e kaluar me telefon për këtë çështje, pohojnë burimet e informuara mirë. Sipas tyre, ata në parim kanë rënë dakord për një marrëveshje. Por marrëveshja përfundimtare do të bëhet publike javën që vjen. Kjo do të ishte shuma më e madhe e paguar ndonjëherë në ndonjë proces të zhvilluar para gjykatave mes qeverisë amerikane dhe ndonjë sipërmarrje.

Häuser stehen zum Verkauf in Chicago
Fotografi: picture-alliance/dpa

Të dëmtuarit rëndë

Negociatat mes bankës së dytë më të madhe në SHBA dhe autoriteteve të drejtësisë kanë filluar para disa muajve. Banka ka ofruar në fillim një dëmshpërblim prej 13 miliardë dollarë. Ministria e Drejtësisë e akuzon Bank of America se nuk i ka informuar blerësit e shtëpive sa duhet edhe për rreziqet ku ka dhënë kredi dhe letra hipotekare. Banka ka vepruar kryesisht me letra hipoteke. Pas shpërthimit të krizës së imobilieve, shumë blerës kanë falimentuar dhe kanë shënuar humbje të mëdha në vlerë prej miliarda dollarësh.

Usa Nevada Zwangsversteigerung Haus
Fotografi: Getty Images

Jo vetëm nga Bank of America por nga të gjitha bankat e tjera të mëdha në SHBA është kërkuar që të paguajnë dëmshpërblime për shkak të shpërdorimeve me rastin e blerjes së shtëpive dhe patundshmërive të tjera. Së fundi edhe Citigroup është dakorduar me Ministrinë e Drejtësisë që të paguajë dëmshpërblim në vlerë prej shtatë miliardë dollarë. Shumën më të madhe deri tani ka paguar banka JPMorgan, e cila në nëntor të vitit të kaluar ka rënë dakord që të paguajë 13 miliardë dollarë.