1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Model gjerman parashikimi të fatkeqësive natyrore në Ballkan

Ani Ruci20 Shkurt 2015

Qeveria gjermane mbështet me 3,5 milionë euro sistemin e paralajmërmit ndaj fatkeqësive natyrore në vendet e Ballkani Perëndimor.

https://p.dw.com/p/1EfCQ
Flut Vjose Fluss Albanien
Fotografi: Ulrich Eichelmann/Riverwatch

Bashkëpunimi rajonal rezulton çelësi edhe në menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet dhe thatësirat në Ballkanin Perëndimor. Shtimi i këtyre dukurive edhe në rajon, si pasojë e ndryshimeve klimatike, e ka nxjerrë përballimin e tyre në krye të axhendës së bashkëpunimit rajonal. Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi janë angazhuar në realizimin e projektit “Adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike në Ballkanin perëndimor” të financuar me 3, 5 milion Euro nga qeveria gjermane , përmes GIZ ( Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar) Projekti është shumëdimensional dhe përfshin institucione shtetërore qëndrore dhe lokale nga të katër vendet. Projekti filloi para dy vitesh dhe tani është në fazën e tij përfundimtare. Rezultatet e tij të deritanishme, që u publikuan të enjten (19/02/2015) në Tiranë, duken të qëndrushme dhe që vlejnë qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik në rajon.

Albanien Tirana Projekt Klimawandel Westbalkan
Jakob Doetsch, menaxheri i projektit të GIZFotografi: DW/A. Ruci

Jakob Doetsch, menaxheri i projektit, thotë për DW: “Projekti i përgjigjet parashikimit të ndryshimeve klimatike në rajon, me një fokus të veçantë tek përmbytjet dhe thatësira si dy dukuritë më ekstreme të këtyre ndryshimeve. Ai po realizohet në katër vende: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi, nisur nga faktet që ndikimi i ndryshimeve klimatike në këto vende është pothuajse i ngjashëm dhe që lumenjtë nuk kanë kufij kombëtarë, pasi basenet e tyre shtrihen jashtë kufijve të një vendi, p.sh baseni i lumenjve Drin dhe Buna shtrihen në pesë shtete: Mali i Zi, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë dhe një pjesë shumë e vogël në Greqi. Prandaj, ajo që ndodh në një prej këtyre vendeve për sa i takon përmbytjeve apo thatësirave ndikon në atë që ndodh në tre vendet e tjera. Përmbytjet e mëdha që ndodhën në Shqipërinë Veriore në vitin 2010, numri i madh i popullsisë që u prek prej tyre identifikoi bashkëpunimin rajonal si domosdoshmëri jetike për shkëmbimin e informacionit në kohë reale mes vendeve të rajonit para se përmbytjet të ndodhin për t'u dhënë mundësi zonave të rrezikuara të evakuojnë popullsinë dhe shmagin dëmet e mëdha ekonomike” .

Sistemi në funksionim në tetor 2015

Sistemi për paralajmërimin e përmbytjeve është rezultati më i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm i këtij projekti. Ngritja e tij nuk ishte e lehtë. Nga një studim paraprak, në fillim të projektit, u konstatua se prodhohej shumë pak informacion për parashikimin e përmbytjeve dhe thatësirave dhe ai nuk shkëmbehej fare mes vendeve fqinjë. Kjo pasi stacionet metereologjike në të katër vendet e përfshira në projekt ose ishin mbyllur, ose ishin me teknologji shumë të prapambetur. Projekti nisi me reabilitimin dhe ngritjen e gjithsej 32 stacioneve dhe instituteve hidro- metereologjike në katër vendet e rajonit për të mundësuar informacionin dhe shkëmbimin e tij. Në sajë të kësaj ndërhyrjeje tani Shqipëria, Maqedonia,Kosova dhe Mali i Zi mund të prodhojnë informacion dhe ta shkëmbejnë atë mes tyre në kohë reale, duke dhënë kështu mundësi sejcilit prej vendeve të përfshira në projekt të kalkulojë rrezikun e përmbytjeve dhe të marrë masat e duhura. Klodian Zaimi, ekspert i parashikimit të përmbytjeve në Institutin e Gjeo- Shkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, me seli në Tiranë thotë për DW:“ Modeli i Sistemi të Informacionit, Shkëmbimit të tij dhe Parashikimit të përmbytjeve dhe thatësirave, i ngritur nga ky projekt është ai gjerman, që përdoret në pjesën e saj veriore, në Saksoni. Ai u përzgjodh sepse lumenjtë në këtë zonë të Gjermanisë kanë karakteristika të ngjashme me lumenjtë në Ballkanin Perëndimor. Teknologjia është moderne. Në muajt e kësaj vere do të bëhët aplikimi i modelit në nivel rajonal dhe zbatim i tij do të fillojë në tetor. Është një model i hapur, i aksesueshëm për publikun. Thelbi i sistemit është prodhimi i informacionit, shkëmbimi i tij në kohë reale mes katër vendeve të rajonit. Në fazën finale të dhënat prodhojnë automatikisht një sistem alarmi për popullsinë e zonave që janë në rrezik përmbytjesh. Tani jemi pikërisht në këtë fazë dhe po asistohemi nga ekspertë gjermanë. Sistemi në fjalë është i integruar në sistemin kombëtar të sejcilit prej katër vendeve të rajonit. Në Shqipëri tani për tani ai funksionon vetëm për lumenjtë e Drinit dhe të Bunës. Sistemi ka mundësi të parashikojë përmbytjet tri ditë para se ato të ndodhin, kohë e mjaftueshme për të bërë evakuimin dhe për të marrë masat e duhura nga institucionet përkatëse”.

Albanien Tirana Projekt Klimawandel Westbalkan
Klodian Zaimi, ekspert i parashikimit të përmbytjeve në Institutin e Gjeo- Shkencave, Energjisë, Ujit dhe MjedisitFotografi: DW/A. Ruci

Në Shqipëri ka një rekord përmbytjesh edhe nga lumenj të tjerë si ai i Matit, Shkumbinit, Semanit, dhe së fundi Vjosës. Klodian Zaimi thekson se “ është e domosdoshme që sistemi të ngrihet edhe për këta lumenj”.

Bashkëpunimi rajonal dhe direktiva e BE-së

Parakusht pozitiv për shtrirjen e sistemit të parashikimit të përmbytjeve edhe në lumenjtë e tjerë është ngritja e rrjetit rajonal dhe vullneti për të bashkëpunuar. Merita Meksi, koordinatore rajonale e projektit “Adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike në Ballkanin Perëndimor” thotë për DW : “Bashkëpunimi rajonal ka ardhur duke u forcuar. Ndërtimi i besimit të ndërsjelltë ka kërkuar kohën e vet. Ndarja e informacionit me vendet fqinje ka qënë konsdideruiar tabu. Tani kemi arritur të kemi një përqasje të përbashkët për domosdoshmërinë e shkëmbimit të informacionit në kohë reale. Sejcili nga të katër vendet ka tani një qëndër që merr dhe shkëmben informacion në nivel rajonal. Në të ardhmen shkëmbimi i informacionit pritet të bëhet në mënyrë automatike, nga një qëndër e vetme rajonale.”

Shqipëria përfiton edhe nga të dhënat e Qendrës Europiane për parashikimn e përmbytjeve, me seli në Itali, në Iskia, ku është anëtar Instituti shqiptar i Gjeo- Shkencave, Energjise, Ujit dhe Mjedisit. Si vend aspirant për anëtarëim në BE, Shqipëria ka detyrimin të zbatojë direktivën Europiane për parashikimin e përmbytjeve dhe menaxhimin e riskut që vjen prej tyre. “Të gjitha masat janë marrëë nga katalogu i kësaj direktive. Ndërkohë që bashkëpunimi rajonal për realizimin e sistemit të parashikimit të përmbytjeve për lumenjtë e Drinit dhetë Vjosës i ka hapur rrugën ecjes drejt një marrveshjeje rajonale me katër vendet fqinjë për krijimin e një komisioni të përbashket që mendohet të quhet” Drini River Care group” si është psh komisioni për Danubin apo për lumin Sava“, thotë koordinatorja rajonale Merita Meksi.

Albanien Tirana Projekt Klimawandel Westbalkan
Merita Meksi, koordinatore rajonale e projektit “Adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike në Ballkanin Perëndimor”Fotografi: DW/A. Ruci

Sistemi i parashikimit të përmbytjeve është një investim nga ku përfitojnë qytetarët e rajonit. Merita Meksi thote se “ai duhet shoqëtuar me ndërgjegjësimin e tyre për rrezikun e përmbytjeve dhe zbatimin e ligjit për moslejimin e ndërtimit të banesave pranë lumenjve”

Gjithë sa ka ndodhur në Shqipëri në 20 vitet e fundit: shkatërrimi i shtretërve të lumenjve, i pyjeve dhe mbyllja e syve nga autoritetet ndaj ndërtimeve buzë lumenjve e ka bërë qytetarin më vulnerabel nga ndryshimet klimatike. Kostoja e madhe për përballimin e dëmeve nga përmbytjet po tregon se lejimi ndërtimit të banesave në zonat me rrezik të lartë përmbytjeje kthehet ne bumerang për forcat politike në pushtet që kanë toleruar shkatërrimin e natyrës dhe të tilla ndërtime në këmbim të votave në kohë fushatash elektorale.