1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bachelor und Master

23 Mars 2011

Më shpejt, më fort dhe në mënyrë më të strukturuar. Edhe Gjermania ka futur në sistemin e studimeve ato Bachelor dhe Master. Në këtë mënyrë zëvendësohen diplomat dhe magjistër-at.

https://p.dw.com/p/10gB9
Edhe universiteti i Bonit aplikon bachelor dhe masterFotografi: Frank Luerweg

Gjermania në vitin 1999 nënshkroi marrëveshjen për „reformën e Bolonjës“. Në të 45 kombe evropiane angazhohen të krijojnë një hapësirë të njësuar arsimimi. Kjo do të thotë, që të gjitha këto vende më e vonëta deri në vitin 2020, duhet të aplikojnë përfundimet e studimeve bachelor dhe master.

Më shpejt në jetën profesionale

Përparësia që ofrojnë përfundime të tilla studimesh, qëndron në faktin, që studentët mund të hyjnë më shpejt në jetën profesionale. Veç kësaj synohet nxitja e lëvizshmërisë së studentëve, pasi është lehtësuar kalimi nga një universitet në tjetrin. Përfundimet janë të krahasueshëm në plan ndërkombëtar. Studentët, që përfundojnë studimet në universitete gjermane, kanë kështu shanse më të mira punësimi në tregun ndërkombëtar. Dhe studentët e huaj vijnë më lehtë në Gjermani, pasi dëshmitë e përfundimit të studimeve në Gjermani, njihen pa probleme në vendet e tyre.

Lamtumirë diplomë dhe magjister

Me përfundimet bachelor dhe master në Gjermani hiqet dorë nga aplikimi i përfundimeve diplomë (për degët e shkencave natyrore dhe teknike) dhe magjister (në degët e shkencave sociale dhe filologjike). Mësuesit, juristët, mjekët dhe farmacistët e ardhshëm në pjesën më të madhe të landeve gjermane, ashtu si deri tani vazhdojnë të japin provimin e shtetit. Por në periudhë afatgjatë pritet që edhe në këto degë të aplikohen përfundimet bachelor dhe master në të gjithë vendin. Ashtu si më parë, promovimi pra marrja e titullit “doctor shkencash” është i mundur vetëm në një universitet dhe kushtëzohet nga një master me rezultate të larta.

Ausbildung zu Zahnmedizinern
Studimi i mjekësisë apo stomatologjisë përfundon me provimin e shtetitFotografi: picture-alliance/dpa/dpaweb

Shkurt dhe saktë

Deri tani koha e rregullt e studimeve në degët që përfundonin me diplomë apo magjister ishte të paktë tetë semestra, por në shumë degë studimet zgjasin në të vërtetë më shumë, pasi kërkesat nuk mund të përmbushen brenda tetë semestrave. Bachelori në Gjermani mund të kryhet brenda gjashtë semestrash, pra brenda tre vjetësh. Një studim me përfundim master kërkon edhe dy vjet të tjera studim. Drejtimet e studimit bachelor dhe master janë të ndërtuara në bazë modulesh. Studimi ka karakter shkollor, në vend të provimeve të mëdha pas dy deri tre semestrash që kryheshin më parë, tani ka provime pas çdo semestri. Studentët mbledhin të ashtuquajturat “pikë krediti” (credit points), për t'u kualifikuar për përfundimin përkatës të studimit. Deri tani në Gjermani mbi 80% e drejtimeve të ndryshme të studimit përfundojnë me bachelor apo master.

Shumë degë të reja studimesh

Ndërkohë që për dëshminë akadamike „diplomë“ duhej të përqëndroheshe në një fushë të caktuar, në magjister mund të kombinoje deri tre fusha të ndryshme studimi. Në kuadër të reformës së Bolonjës, universitetet tani ofrojnë kombinime degësh si drejtime të pavarura studimi. Kështu kanë lindur një sërë drejtimesh të reja studimesh, të cilat gjithnjë e më shumë zhvillohen në anglisht. Këtu bëjnë pjesë edhe të ashtuquajturat “përfundime të dyfishta”, të cilat mbështeten nga Shërbimi Gjerman për Shkëmbimin Akademik (Deutscher Akademischer Austauschdienst). Këto drejtime studimesh kryhen pjesërisht në Gjermani e pjesërisht në një universitet partner jashtë vendit. Fjala është për drejtime studimesh, të cilat u mundësojnë studentëve shanse më të mira në tregun e punës në të dy vendet.

Që prej vitit 2009 universiteti i Furtvangenit ofron degën „International Engineering"
Që prej vitit 2009 universiteti i Furtvangenit ofron degën „International Engineering"Fotografi: picture-alliance/ dpa

Dyfish është më e sigurt

Pjesa më e madhe e drejtimeve të studimeve me përfundim të dyfishtë kryhen në universitete partnere evropiane, pasi në Evropë janë zhdukur shumë kufij dhe njerëzit janë bërë më të lëvizshëm në tregun e punës. Universitetet gjermane duan t'i pregatisin studentët e tyre për tregjet ndërkombëtare. Drejtimet e studimeve me përfundim të dyfishtë po zhvillohen ndërkohë gjithnjë e më shumë edhe me vende joevropiane. Kështu për shembull dega "Joint Master of International Economic Law" (Master i dyfishtë në të drejtën financiare ndërkombëtare), për të cilën universiteti Martin-Luther në Halle bashkëpunon me universitete në Kinë.

Më i shpejtë, më rigoroz, më i strukturuar – edhe më i mirë?

Ndryshimi i përfundimeve të studimeve në bachelor dhe master nuk ka ndeshur vetëm miratim në Gjermani. Ka ende disa pengesa që duhen kapërcyer: studimi është i strukturuar në mënyrë shumë kompakte dhe rigoroze, shumë studentë kanë përshtypjen se brenda një kohe të shkurtër trajtohet një volum i madh lënde. Kështu nuk mbetet thuajse aspak kohë për të punuar paralelisht, një problem ky pasi në shumë lande gjermane shpenzimet për studimet janë rritur. Studentët që mbarojnë bachelorin nuk fillojnë menjëherë automatikisht masterin, por në varësi të kualifikimit. Dhe shpesh drejtimet e reja të studimeve nuk lënë hapësirë për praktika apo semestra jashtë, ndërkohë që qëllimi i tyre ishte thjeshtimi i rrugës për jashtë vendit …

Unifest der Universität Bonn: Studierende werfen ihre Hüte in die Luft
Më në fund!Fotografi: Frank Homann

Autor: G. Reucher / E.Xhani
Redaktoi: Aida Cama