1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Real - Atletiko në finale të Ligës së Kampionëve

Bahri Cani1 Maj 2014

Atletiko Madrid mundi në gjysmëfinale Çelsin, ndërsa Reali deklasoi Bajernin. Dy ekipet nga Madridi u kualifikuan për finalen e madhe me 24 maj në Lisbonë.

https://p.dw.com/p/1BrtY
Fotografi: Adrian Dennis/AFP/Getty Images

Atletiko Madridi do të jetë kundërshtari i Real Madridit në finalen e Ligës së Kampionëve me 24 maj një Lisbonë. Ky do të jetë edhe dueli i tyre i parë në finalen e garës së ekipeve më të mira në Evropë. Atletico Madrid i cili kryeson në tabelën e Primera Division, e mundi mbrëmë bindshëm në Londër Çelsin e trajnerit Jose Mourinho me rezultat 3:1. Pas barazimit në stadiumi e vet para një jave (0:0) me meritë u kualifikua në finalen e madhe. Ishte kjo hera e parë pas 40 vjetësh që kjo skuadër të kualifikohet në finale. Para 38.000 shikuesve në Stamford Bridge golat për Atletikon i shënuan Adrian Lopez , Diego Costa dhe Arda Turan, ndërsa golin e vetëm për Çelsin shënoi spanjolli në radhët e këtij ekipi Fernando Torres.

Champions League Chelsea FC - Atletico Madrid
Fotografi: Glyn Kirk/AFP/Getty Images

Ekipi i londinezëve filloi ndeshjen më mirë dhe kaloi në epërsi në minutën e 36. "The special One" Jose Mourinho kishte vendosur kësaj radhe për një lojë më të hapur, të cilën në mënyrë të shkëlqyeshme e shfrytëzuan spanjollët nga Madridi. Shikuesit në stadiumin e mbushur shikuan një lojë të hapur nga të dyja anët. Në fund triumfoi ekipi më i mirë dhe u kualifikuan në finale, ku do të ndeshet me Realin, i cili një ditë më parë deklasoi Bajernin e Mynihut në stadiumin Alianz Arena me reazultat 4:0. Reali kishte fituar edhe në ndeshjen e parë në Madrid para një jave me rezultat 1:0. Ekspertët janë të një mendimi se ekipi me yjet si Ronaldo, Bale, Ramos, Alonso, Modriq e të tjerë, me meritë u gjet në finale.

Champions League Halbfinale FC Bayern München - Real Madrid CF
Gjysmfinalja e dështuar për Bajernin - Real fiton 4:0 në fushën e kundërshtaritFotografi: Getty Images

Dëshpërimi i bavarezëve

Dëshprimi i bavarezëve pas humbjes në gjysmëfinale ishte i madh. Lojtarët dhe shikuesit në Mynih një kohë të gjatë nuk mundin të kuptonin se çfarë ndodhi, pas një humbje kaq të thellë. Si ishte e mundur të ndodhë diçka e tillë, me ekipin ndoshta më homogjen gjatë tërë këtij sezoni?

Komentatorët gjermanë nënvizojnë se Bajerni nuk ka përjetuar kurrë një humbje kaq të thellë në stadiumin e vet në Ligën e Kampionëve. Por problemet e lojtarëve të Bajernit kanë filluar shumë para kësaj ndeshje - pas fitores së titullit të kampionit në Gjermani me 25 mars, që është fitorja më e shpejtë e titullit të kampionit gjerman në historinë e Bundesligës. Deri atëherë, Bajerni nuk kishte asnjë humbje në këtë kampionat. Shumë lojtarë dhe udhëheqës të Bajernit menduar se janë të paprekshëm. Por realiteti i hidhur erdhi shumë shpejt: fillimisht humbja nga Augsburgu, pastaj nga Borusia Dortmund (me rezultat 3:0) në Mynih dhe tani dy humbje me Real Madridin.

Gabimet e trajnerit

Shumë komentatorë mendojnë se një pjesë të madhe të përgjegjësisë për këtë rënie e ka edhe trajneri Pep Guardiola me ndërrimet e tij në formacion dhe me ndryshimin e stilit të lojës. Shansi i radhës për Bajernin është finalja e kupës në Gjermani ku do të ndeshet me Borusia Dortmund. Ndërsa në finalen e madhe me meritë do të ndeshen dy ekipet aktualisht më të mira në Evropë: Real dhe Atletiko Madrid.